"Spider-Mani i Jemenit" humbi jetën pasi ra në një krater vullkanik


Aventuristi i njohur si “Spider-Mani i Jemenit” ka humbur jetën pasi ra në një krater vullkanik, ndërsa po përpiqej të ngjitej në shkëmbinj vertikalë pa pajisje mbrojtëse, njoftuan autoritetet.
Al-Kaka Ibn Antar (30 vjeç) po ngjitej të premten në muret e pjerrëta të kraterit vullkanik të digës Hardah, në provincën jugore jemene Dale, kur humbi mbështetjen dhe ra në një krater me thellësi rreth 120 metra, bëri të ditur Mbrojtja Civile, e cila publikoi edhe një video të shkurtër të momentit të aksidentit.
Në pamjet dhjetësekondëshe shihet Antar duke u ngjitur në një shkëmb të thepisur pa asnjë pajisje sigurie. Në shkëmbin ku ngjitej ishin shkruar me shkronja të bardha emra në gjuhën arabe. Më pas shihet duke u mbajtur me dorën e djathtë në shkëmb, ndërsa dorën e majtë e ka të ngritur në ajër. Pak çaste më vonë ai humb mbështetjen dhe bie.
Ekipet e shpëtimit, përfshirë zhytës dhe ekspertë të shpëtimit në ujë, u dërguan në vendngjarje për të nxjerrë trupin e Antarit. Zhytësit e gjetën trupin e tij në një thellësi prej rreth 30 metrash nën sipërfaqen e ujit.
- YouTube youtu.be
Mbrojtja Civile e përshkroi kërkimin dhe operacionin e shpëtimit, i cili zgjati katër orë, si një proces “të ndërlikuar” për shkak të terrenit të pjerrët dhe shkëmbor që vështirësonte qasjen.
Diga Hardah, e njohur gjithashtu si Haradat Damt, është një krater unik vullkanik që ndodhet pranë qytetit Damt në provincën jugore jemene Dale. Krateri, një nga atraksionet natyrore të zonës, është i rrethuar me mure të larta shkëmbore, ndërsa në fund të tij ndodhet një liqen i nxehtë me përmbajtje squfuri.
Antar kishte fituar popullaritet të madh në rrjetet sociale, ku publikonte video të ngjitjeve të tij të rrezikshme në disa nga zonat më të paarritshme të Jemenit. Shumë prej videove të tij bëheshin virale.
Në njërën prej tyre, ai shihej duke u varur vetëm me duar nga skaji i një shkëmbi, ndërsa këmbët i qëndronin mbi një shpat të thepisur, duke kryer një veprim ekstrem pa asnjë pajisje mbrojtëse.
Mbrojtja Civile u bëri thirrje të gjithë personave që merren me ngjitje dhe sporte aventureske që të respektojnë rregullat e sigurisë dhe paralajmëroi për nevojën e përdorimit të “pajisjeve të përshtatshme mbrojtëse për të parandaluar incidente të ngjashme”. /Telegrafi/






































