Policia spanjolle ka sekuestruar atë që besohet të jetë një sasi rekord kombëtare kokaine nga një anije në Oqeanin Atlantik, me një sasi që potencialisht mund të arrijë në 40 ton.

Garda Civile e kapi anijen në ujërat ndërkombëtare pranë Ishujve Kanarie të Spanjës, me rreth 20 persona të arrestuar.


Vlerësohet se “janë sekuestruar midis 35 dhe 40 ton kokainë”, që e bën atë “një sekuestrim historik”.

Raportohet se anija, e cila tani po inspektohet në Ishujt Kanarie, ishte nisur nga kryeqyteti i Sierra Leones, Freetown, për në Bengazi të Libisë.

Modeli i operacioneve të tilla të mëparshme sugjeron se qëllimi ishte shkarkimi i drogës në anije më të vogla për shpërndarje në Evropë.

Ndryshe, lidhjet e ngushta të Spanjës me Amerikën Latine dhe afërsia me Marokun, një prodhues kryesor i kanabisit, e bëjnë atë një pikë kyçe hyrjeje për drogën në Evropë.

Në vitin 2024, policia spanjolle sekuestroi 13 ton kokainë nga një anije që kishte mbërritur në portin jugor të Algeciras nga Ekuadori, ngarkesa më e madhe e drogës e regjistruar ndonjëherë në vend.

Në janar, policia bëri sekuestrimin më të madh të kokainës në det nga një anije që transportonte pothuajse 10 ton drogë. /Telegrafi/