Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mbajtur një takim të rëndësishëm në Washington me ambasadorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ambasadorin e Kosovës, Ilir Dugolli, dhe atë të Serbisë, Dragan Sutanovaq.

Takimi u zhvillua në ambientet e Ambasadës së BE-së në SHBA, në kuadër të vizitës së parë zyrtare të Sorensenit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga marrja e mandatit si ndërmjetës i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.


Ambasadorja e BE-së në Washington, Jovita Neliupshiene, konfirmoi zhvillimin e takimit përmes një postimi në rrjete sociale, ku theksoi se në agjendë ishin çështjet e sigurisë, stabilitetit dhe perspektiva e zgjerimit të BE-së.

“Është kënaqësi të mirëpres Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij të parë në SHBA në këtë pozitë. Krahas ambasadorëve nga Ballkani Perëndimor, në agjendë ishin siguria, stabiliteti dhe zgjerimi. Uniteti është çelësi për të ecur përpara”, shkroi Neliupshiene.

Ky takim vjen në një kohë të ndjeshme për rajonin, me përpjekje të shtuara nga BE-ja dhe SHBA-ja për të rigjallëruar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për të nxitur integrimin e vendeve të Ballkanit në strukturat euroatlantike.