Sobrino de Botin, restoranti më i vjetër në botë (Video)

Tradita e tij ka më shumë se dy shekuj dhe vazhdon të jetë në funksion edhe në ditët e sotme.
"Sobrino de Botin", quhet restoranti në Spanjë, i cili cilësohet të jetë më i vjetëri në botë.
Restoranti është vlerësuar edhe nga Libri i Rekordeve Guiness si më i vjetëri që ende funksionon, transmeton RTV Dukagjini.
Javier Sanchez është menaxheri i restorantit. Ai thotë që gjithmonë ka qenë e rëndësishme mënyra e pritjes së klientit dhe shërbimi i realizuar ndaj tyre.
“Gjithmonë kemi pasur dëshirë që secili që vije në këtë vend të ndjehet si në shtëpinë e tij. Renovime të vogla i janë bërë në disa pjesë, kurse shumica e orendive brenda vazhdojnë të jenë të njëjtat që 200 vite”, ka theksuar Sanchez.
Restoranti ndodhet i vendosur në sheshin “Cutlers” dhe e veçanta është fakti që nuk ka pushuar kurrë së funksionari.
Sipas menaxherit, fillimisht vendi është hapur nga një person që nuk pati fëmijë dhe pasuria i kaloi nipit të tij. Për këtë edhe e ka marrë emrin "Sobrino de Botin", që do të thotë "Nipi i Botinit".
“Nga jashtë mund të duket shumë i vogël, por ka vend të mjaftueshme, siç mund të shihet, është dy kat dhe dizajni që ka e bënë edhe më të veçantë. Nga muret mund të shihet se sa gjatë ka qëndruar.”
Sanchez ka thënë se vendi njihet në të gjithë Spanjën dhe madje ka marr vëmendjen e njerëzve në mbarë botën. /Telegrafi/






































