LAJMI I FUNDIT:

Slack ka filluar t’i mbyllë profilet në Rusi për shkak të sanksioneve

Slack ka filluar t’i mbyllë profilet në Rusi për shkak të sanksioneve

Disa organizata në Rusi mbetën pa shërbimet e aplikacionit Slack pasi profilet e tyre u mbyllën.

Aplikacioni Slack është në pronësi të kompanisë Salesforce, e cila filloi mbylljen e profileve të përdoruesve nga Rusia dhe kjo është rezultat i sanksioneve të vendosura ndaj këtij vendi për shkak të pushtimit të Ukrainës.


Profilet shuhen kryesisht nga organizata që preken drejtpërdrejt nga sanksionet.

Slack shërben si forma kryesore e komunikimit për kompanitë, mund të përdoret gjithashtu për ndarjen e skedarëve brenda organizatave, kështu që përmban kryesisht shumë të dhëna të rëndësishme.

Organizatat që kanë humbur papritmas qasjen në profile mund të mbeten pa një shans për të tërhequr të dhënat e tyre nëse nuk janë përgatitur më parë për mundësinë e revokimit të qasjes në Slack.

Salesforce njoftoi në fillim të këtij muaji se po largohej nga biznesi në Rusi. Thuhet se Slack ka një numër të vogël përdoruesish në këtë vend dhe se shkëputja me ta tashmë ka filluar.

“Slack duhet të ndërmarrë veprime për të respektuar sanksionet në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera ku ka operacione, dhe këto përfshijnë mbylljen e profileve pa njoftim paraprak, siç kërkohet nga ligji. Ne jemi në kontakt me klientët që i nënshtrohen sanksioneve kur bëhet fjalë për statusin e tyre dhe në mënyrën e lejuar me ligj”, tha Slack.

Slack nuk fshin të dhënat e klientëve rusë, por organizatat e sanksionuara nuk do të jenë në gjendje të kenë qasje derisa të hiqen sanksionet. /Telegrafi/