LAJMI I FUNDIT:

Skllavëri në mes të Evropës: Të shitur e të shfrytëzuar

Skllavëri në mes të Evropës: Të shitur e të shfrytëzuar

Viktimat e tregtisë me njerëzit punojnë të pambrojtur në shtëpi private, shfrytëzohen për 16 orë në ditë në ndërtim për një copë bukë, apo prostituojnë. Ata nuk i sheh kush, e megjithatë ndodhen në mes të Evropës.

“Erdha me shpresa të mëdha”, thotë Joy K. nga Nigeria. “Por, nuk e dija atëherë se ç’do të thoshte ky udhëtim dhe që në fund do të përfundoja prostitutë.”


Me premtimin për një punë si kujdestare fëmijësh, ajo u josh të shkonte në Itali, por përfundoi tek një “madamë nigeriane” që e detyroi të futej në prostitucion. Ajo para nuk pa.

“Më tha se i detyrohesha 45 mijë euro për udhëtimin, shumë që duhej t’ia ktheja.”

Në intervistë për Deutsche Wellen, Joy rrëfen për peripecitë e saj, një viktimë e trafikimit të njerëzve.

Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Punës, ILO, më shumë se 21 milionë vetë janë të prekur në të gjithë botën nga prostitucioni, nga shfrytëzimi pa mbrojtje në shtëpi private, në peshkim, ndërtimtari apo si fëmijë ushtarë.

Tek UNODC, Zyra e OKB-së për luftimin e drogës dhe kriminalitetit në Vjenë, nuk flitet për shifra absolute. Shifra reale është shumë më e lartë, pasi shumë vende as që bëjnë statistika të tilla.

UNODC analizon tendencat që vihen re në botë.

“Në Evropën Perëndimore e vëmë re tregtinë me njerëzit në drejtim të shfrytëzimit seksual. Në kontinente të tjera, si Afrika apo Azia, vihen re forma të tjera shfrytëzimi, si puna e detyruar”, thotë Fabrizio Sarrica, që e sheh tregtinë me njerëzit si një problem global.

Numri i rasteve të regjistruara për prostitucion të detyruar është shumë i ulët, po të kujtosh se në Gjermani veprojnë rreth 150.000 deri në 200.000 prostituta. Lea Ackermann nga organizata “Solidaritet për femrat në nevojë”, SOLWODI, rrëfen se shumë femra vijnë nga shtetet e Ballkanit, Rumania, Bullgaria, edhe Shqipëria, por edhe nga Nigeria. 1700 kontakte me viktimat e shfrytëzimit seksual ka krijuar kjo organizatë. Ata kanë regjistruar rastin e një femre që rrëfente se e lidhnin pas kaldajës, apo të tjera që rriheshin nëse nuk funksiononin.

Një ligj i ri synon të mbrojë më mirë viktimat. Lea Akcermann thotë se “tregtia me njerëzit fillon gati në të gjitha rastet aty ku njerëzit janë në nevojë.” Edhe refugjatët bëhen viktimë e tregtisë me njerëzit dhe shfrytëzimit. Të 1700 rastet e femrave që ka kontaktuar kjo organizatë kanë pasur probleme me lejen e qëndrimit. Pranda,j SOLWODI kërkon mbrojtje e shanse më të mira për njohjen e azilit për femrat që shfrytëzohen në Gjermani.