LAJMI I FUNDIT:

“Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”

“Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”

Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, organizoi ekspozitën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në monedhën dhe kartëmonedhën shqiptare”.

Kjo ekspozitë u hap në ambientet e Ndërtesës së Lidhjes në qytetin e Prizrenit. Për herë të parë ajo u hap në Muzeun e Bankës së Shqipërisë, në Tiranë, më 17 janar 2018.


Koleksioni i përzgjedhur nga Banka e Shqipërisë për këtë ekspozitë prezanton monedha dhe kartëmonedha shqiptare të viteve 1921-1996, të cilat paraqesin Heroin Kombëtar dhe simbole të lidhura me të, elemente shtypi të këtyre prerjeve, si dhe monedha përkujtimore që përkujtojnë me ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit dhe Shpallja e Pavarësisë.

Ekspozita shoqërohet edhe me një kënd edukativ ku publiku i grupmoshave të ndryshme mund të njihet me funksionet e bankave qendrore të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tematika të tjera të edukimit financiar.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 12 qershor 2018.