LAJMI I FUNDIT:

Skënderbeu do t’i luftonte otomanët edhe sikur të ishin të krishterë!

Ka kohë që në mediat tona (veçanërisht në rrjetet sociale), shumë individë merren me figurën e Skënderbeut. Sidomos janë të zëshëm disa “post modernistë” dhe disa radikalë fetarë që personalitetin e Skënderbeut e minimizojnë duke e shtjelluar vetëm nga aspekti religjioz (ose interesave egoiste), qoftë ai islam apo i krishterë. Vërehet qasja e tyre tendencioze (bile nuk ngurrojnë që Skënderbeun ta rendisin edhe përkrahë Milosheviqit) të cilët duke (keq)përdorë vend e pa vend autorë dhe të dhëna, tentojnë të argumentojnë “poentën” e tyre. Si bie fjala (sipas post modernistëve), “Skënderbeu luftërat i bëri për prona dhe fenë”; “ e kishte nënën serbe” apo (sipas radikalëve) “Skënderbeu masakroi shqiptarët myslimanë”; “ishte Atlet i Krishtit”; “ hero i katolikëve sepse luftoi për Papën kundër islamit” etj. Të gjitha “konkludime” janë të nxjerra jashtë kontekstit, edhe qëllimisht, por edhe për shkak të injorancës, duke i ngatërruar tërësisht konceptet e të ashtuquajturës “epokë e errët”.

Nëse nisemi nga premisa se Skënderbeu ishte shumë i respektuar nga Sulltan Murati II (por edhe nga të tjerët), dhe se gjeneralët e dalluar në Perandorinë Osmane karrierën e tyre e vazhdonin si sadrazem (kryevezir) apo serasker (ministër i Mbrojtjes) ose vali (udhëheqës) në ndonjë territor të Perandorisë, atëherë përfundimi logjikë del se Skënderbeu (nëse pra ka qenë i motivuar vetëm për përfitime personale) shumë më hesap ka patur që të rrinte pranë Sulltanit në Edirne, sesa të kthehej e të luftonte për kodrat dhe shkëmbinjtë e Shqipërisë. Patjetër se Skënderbeu këtë mesele s’e ka ditur. Pastaj, shtrohet pyetja: si arriti që t’i motivonte mijëra bashkëluftëtarë të luftonin deri në fund përkrah tij? Me çka i motivonte ata? Sigurisht se jo me prona (sepse Shqipëria e asaj kohe nuk ishte aq e madhe) apo me poste ministrore ose poste tjera në departamentet dhe institucionet e ndryshme shtetërore! E, as nuk i paguante me flori, sepse nuk kishte as për vehte, prandaj kërkonte ndihma nga Papati apo Alfonsi V!


Ndonëse shumëçka nuk është sqaruar mire për atë kohë, megjithatë disa gjëra janë të sqaruara edhe nga shumë studiues botërorë. Bie fjala, ne e dimë se Perandoria Osmane përdorte strategjinë e “sundimit gradual”. Pra, kur i mposhte ushtritë kundërshtare, së pari ato vende i bënte vasale. D.m.th. edhe për një kohë të caktuar udhëhiqeshin nga sunduesit lokalë, duke jetuar në organizimin e tyre të mëparshëm shoqërorë. Dhe, në fazën e dytë, Perandoria Osmane bënte regjistrimin e pasurisë (ekonomisë) dhe banorëve në defterë, i eliminonte sunduesit lokalë duke i zëvendësuar me sunduesit e rinj nga Porta, të cilëve ua falte tokat (timaret) e konfiskuara nga sunduesit dhe fisnikët lokalë. Kjo merrte kohë varësisht nga vendi (lexo autorët Halil Inalcik, Andrew Hess. Imber Colin etj.).

Gjithashtu dihet se Perandoria Osmane, ndonëse i ngriti disa garnizone ushtarake ka viti 1415, sundimin në tokat shqiptare nuk e konsolidoi deri kah gjysma e fundit të shekullit XV. Bie fjala, ajo pjesën jugore e futi nën kontroll vetëm pasi pushtoi bregdetin e detit Jon më 1449 (Janinën dhe Artën i pushtoi me 1431); Kosovën me 1445; Shkodrën me 1479, kurse Durrësin nuk e zotëroi deri më 1500.

Osmanët (Mehmeti i II-të) e pushtuan Kostandinopojën me 1453, gjersa selia tjetër e Shenjtë, pra Vatikani, asnjëherë nuk u pushtua nga asnjë fuqi. E, “masakra ndaj shqiptarëve myslimanë” thuhet se Skënderbeu bëri pas disa muajve pasi që u kthye në Krujë (1443)! Prandaj, duke i pasur parasysh këto të dhëna, shtrohet pyetja se kush ishin ata shqiptarë (dhe sa ishin !?) të cilët u konvertuan në islam ende pa u konsoliduar pushteti osman!?

Halil Inalqiku – njëri nga historianët më të respektuar turq për Perandorinë Osmane – në veprën e tij "Othoman Methods of Conquest" të publikuar me 1954, duke u mbështetur në defter (Aranvutluk defteri) thotë se “shumë nga të shpërngulurve prej anëve të ndryshme nga Azia e Vogël dhe gjithandej ju dhanë timare (zotërime) në Shqipëri mes viteve 1415 dhe 1430 (lexo fq. 103-129)…". Sigurisht se në mesin e kësaj “kolone të pestë” kishte edhe ndonjë shqiptarë që ishte konvertuar për arsye të privilegjeve të mundshme (si bie fjale vet Skënderbeu, por edhe nipi i tij Hamza e kishin bërë një gjë të tillë).

Në këtë kontekst, gjithashtu duhet pasur parasysh edhe faktin se në trevat shqiptare në këtë kohë është folur shqipja, latinishtja, greqishtja dhe në disa vende edhe sllavishtja, por ama osmanishtja dhe arabishtja pak e hiq. Po ashtu fakt i njohur është se (në këtë kohë) edhe librat ishin të rrallë dhe shumë të shtrenjtë (luks), bile deri në periudhat e më vonshme pasi Gutenbergu zbuloi shtypshkronjën e tij më 1450. Andaj, me të vërtet shtrohet pyetja se në kohën kur nuk kishte libra, kur nuk flitej gjuha dhe kishat (ortodokse dhe katolike) bënin punën e tyre të zakonshëm, si mund të flitet për të konvertuar!? Si u bindën ata që të konvertohen!? Procesi i konvertimit zgjatë dhe kërkon kohë dhe kushte të caktuara. Pra: kush dhe si i bindi shqiptarët që të konvertohen, para vitit 1444, kur supozohet të ketë ndodhur “masakra ndaj shqiptarëve myslimanë”.

Prandaj, studimi i autorit Inalqik (dhe i shumë të tjerëve) nuk lë përfundim tjetër pos asaj se Skënderbeu ata “që i masakroi”, ai i “masakroi” sepse i trajtoi si osmanë dhe agjentë osmanë (rrezik potencialë) e jo si (shqiptarë) myslimanë.

Nënën e kishte sllave! Ani çka nëse Vojsava Tribalda paska qenë sllave!? Madje, disa për të rritur imitimin ndaj Skënderbeut, Vojsavën e paraqesin si serbe nga dera e Brankoviqëve, duke e (keq)përdorë supozimin e Shmittit dhe duke i anashkaluar autorët tjerë të cilët mendojnë ndryshe (si austriakun Johann Georg von Hahn, gjermanin Karl Hopf, britanikun Harri Hodginson, bullgarin Strashimir Dimitrov, Fan Nolin etj.).

Mohuesit e figurës së Skënderbeut "faktin" se nëna e tij ishte sllave e fryjnë duke ja dhënë kuptimin bashkëkohorë të gruas, madje edhe të shoqërive ku barazia gjinore me të vërtet është realitet. Pra, një fakt e nxjerrin tërësisht jashtë kontekstit. Anashkalojnë realitetin se në atë kohë detyra e gruas ishte thjeshtë të kujdesej për burrin dhe familjen. Identitetin familjes ia jepte burri. Thënë ndryshe, një fëmijë i një turku që kishte nënën shqiptare ishte turk (shumica e sulltanëve nënat i kishin sllave ose greke). Në realitet, unë edhe sot njoh qytetarë të Kosovës (kasabali) të cilët nënat i kanë shqiptare, por ata ndihen turq sepse babai i tyre ndihet turk. Ashtu sikurse që ka të tillë që nënat i kanë të themi boshnjake apo të ndonjë nacionaliteti tjetër, por veten e njejnë shqiptarë. E, mos të flasim për shoqëritë arabe ku edhe mbiemrat sot e kësaj dite i kanë me “Bin” apo “Ibn” (që d.m.th., i biri ), si bie fjala “bin Ahmed”, “bin Laden’ (i biri i Ahmetit, i biri i Ladenit) apo “Saleh ibn Tariq ibn Khalid” etj.

Andaj, çka nëse Skënderbeu e pati nënën sllave, kur kemi parasysh periudhën e mesjetës apo ndryshe epokën e errët? Ai e ndiente veten shqiptar! U kthye për ta liruar tokën e vet, e jo tokën e dajave. Bile, sa për ta theksuar edhe më tepër identitetin e tij, kur “daja” i tij, Gjuraq Brankoviqi ( i cili vajzën Mara ia kishte dhënë për grua Sulltan Muratit II) nuk e lejoi që të kalojë nëpër territorin e tij me ushtri, për t’i ndihmuar mbretit polak Vladislavit dhe atij hungarez Janosh Hunjadit në Betejën e Varnës, Skënderbeu ju kundërpërgjigj duke e plaçkitur dhe shkatërruar territorin e Brankoviqëve. Andaj, sikur të ndihej vetëm pak serb, Skënderbeu, sigurisht se nuk do ta bënte një gjë të tillë!

Atleti i Krishtit… Edhe ky fakt shumë (stër)përdorët, sikur nga radikalët myslimanë po ashtu edhe ata katolikë, po edhe të tjerët. Siç dihet, Papa Kaliksi III pas fitores së Betejës se Albulenës (Ujëbardhë) më 1457, e dekoroi Skënderbeun me këtë titull. Mirëpo, Skënderbeu nuk e bëri atë betejë kundër Perandorisë Osmane (e as edhe luftërat tjera) me qëllim që ta fitonte atë titull, por i bënte për qëllime krejt tjera. Thënë shkurtë: Papa e dekoroi, Skënderbeu nuk konkurroi për atë shpërblim! Ju dhurua dhe sigurisht se e mori, sepse jo vetëm që nuk mund të refuzonte një aleat shumë të rëndësishëm, por edhe për faktin se për atë kohë ishte një shpërblim që me të vërtet kishte domethënie, të cilën e morën elita luftarake e kohës si Janosh Hunjadi, Stefani i Madh etj.

Për ndryshim të themi nga Sulltan Mehmeti II, i cili kur e pushtoi Kostandinopojën e shpalli vetën “Kayser-i Rûm” (Cezar i Romës), titull po ashtu shumë i rëndësishëm i kohës, Papa nuk ia pranoi, sepse Papa e kishte të drejtën e kurorëzimit (në këtë periudhë titullin “Imperium Romanum Sacrum” e mbanin Habsurgët). Më kot Sulltan Mehemti II u mundua të argumentonte se Kostandinopoja ishte Roma Lindore (që në të vërtet edhe ashtu ishte), dhe se ai në familjen e tij kishte princesha bizantine (pesëgjyshi i tij, Sulltan Osmani – themeluesi i Perandorisë – kishte për grua një princeshë bizantine).

Thënia se Skënderbeu ishte hero katolik, kjo edhe më pak lyp të argumentohet, sepse deri më tani nuk ka fakte të qëndrueshme që vërtetojnë se Skënderbeu u konvertua në katolik. Vërtet ishte shumë afër mbretërve të Napolit dhe Papës, por ajo afërsi ishte për interesa strategjike.

Me që u cekën mbretërit e Napolit, sa u përket atyre, sidomos Alfonsit V, i cili ishte mbret edhe i Aragonit (pjesë e Spanjës), dhe mbret i Majorkës, Valencisë, Katalonisë, Korzikës, Sardenjës, dhe Sicilisë, dihet se ai kishte orekse për t’u bërë mbret i tërë Mesdheut, prandaj e përkrahte Skënderbeun. D.m.th., se që të dy kishin interesa nga njëri-tjetri. Ndërsa, sa i përket Papatit (të gjithë, si Eugjeni IV, Nikolla V, Kaliksi III, Piu II apo Pavli II) e përkrahnin Skënderbeun sepse Perandoria Osmane e rrezikonte Kristendiomin (Evropën krishtere) d.m.th., edhe monopolin e saj. Kurse, në anën tjetër, Kisha Ortodokse (për shkak të situatës që gjendej ajo) nuk e përkrahte Skënderbeun ortodoks. Ai nuk pati përkrahje nga asnjëri Patriark ekumenik i Kostandinopojës. As nga Gregori III, Athanasi II, e mos të flasim për Genadin II, Isidorin II apo Joasafin I etj. Sepse, pas pushtimit të Kostandinopojës, Kisha Ortodokse kishte marrëveshje me Perandorinë Osmane për të mos përkrahur asnjë kryengritje kundër saj. Fakti se Patriarku ekumenik ortodoks nuk mund të zgjidhej pa bekimin e sulltanit, e shpjegon mirë atë relacion. Siç dihet, që nga viti 1453 e deri me 1923 (kur u shpall Republika turke) askush nuk mund të zgjidhej Patriark i Kostandinopojës, nëse nuk ishte qytetar i Perandorisë. Edhe sot ai duhet te jete qytetar i Turqisë, i cili i nënshtrohet autoritetit (ligjit) turk.

Prandaj, Skënderbeu, i cili ishte në luftë kundër një superfuqie botërore të kohës, sigurisht se kishte nevojë për ndihmë, dhe natyrisht iu afrua “armiqve të armiqve të tij”. Por, të thuhet se Skënderbeu luftoi për “Papën dhe se ishte hero katolik” kjo nuk qëndron, edhe për faktin se Skënderbeu ishte ai i cili më 1447-48 luftoi (Lufta e Kalasë së Dejës) kundër Republikës së Venedikut (katolike), e cila për interesa të saj u bë aleate e Perandorisë Osmane (islame). Madje venedikasit (katolikë) dhanë një çmim prej 100 dukatë ari për vit, për kokën e Skënderbeut. Ndërsa, tre vite më parë (më 2 mars 1444), kur kishin interesa, të njëjtit (venedikasit) e lejuan Skënderbeun që të mbajë Kuvendin (në kishën Shën Nikolla), në Lezhë, të cilën në atë kohë ata e sundonin.

Për fund patjetër duhet cekur edhe involvimin e Skënderbeut (kundër dëshirës së Papatit) në luftën për fron të mbretërisë së Napolit. Siç dihet, Papa Kaliksi III, me vdekjen e Alfonsit V, e shpalli të vdekur dinastinë e Aragonit (sepse Ferdinandi I ishte djali jashtëmartesor i Alfonsit V, me të dashurën e tij Gjiraldona Karlino) dhe pronën mbretërore të tyre e shpalli “feudum” (pronë) të Kishës. Këtë situate Gjoni i anzhujve tentoi ta shfrytëzojë për veti, duke u futur në garë për fron (të cilën e kishte humbur babai i tij Rene). Por, Skënderbeu, për shkak se ishte i ndihmuar nga babai i Ferdindandit (Alfonsi i V) në ditët më të vështira, i shkoi në ndihmë djalit të tij, të cilit Alfonsi V i kishte lënë fronin trashëgim .

Kështu bëri edhe më vonë, më 1460, kur Ferdinadi ishte në luftë me Princin e Tarantos. Siç dihet, Princi i Tarantos, nga frika që kishte prej Skënderbeut (i cili moti kishte fituar name si luftëtar) tentoi ta bënte nga vetja Skënderbeun por nuk ia arriti, sepse ai përsëri tregoi besnikërinë e tij ndaj Ferdinandit (Alfonsit V).

Në trend

Më shumë
Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Ekipi më i mirë i sezonit 2023/24 në Bundesliga, Granit Xhaka është ylli në mesin e yjeve të tjerë

Bundesliga
Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerikani u kthye nga varrimi i xhaxhait dhe gjeti të bijën duke luajtur letra – pyeti kush fiton dhe përgjigja e tmerroi

Amerika
Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Aktori turk Caglar Ertugrul dyshohet se bleu dhe shkatërroi ish-shkollën, në shenjë hakmarrjeje për traumat e fëmijërisë

Magazina
Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Banorja e Big Brother VIP Albania 3 që po pëlqehet më shumë në Instagram

Magazina
FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

FAZ: Ballkani po mbetet pa popullatë, po popullohet me emigrantë nga Azia

Lajme
Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Artistja 77 vjeçare Cher tregon pse lidhet me djem të rinj: Sepse ata të moshës time, thuajse të gjithë kanë vdekur

Magazina
Kalo në kategori