LAJMI I FUNDIT:

Skenari 2014

Skenari 2014

Ka shumë teori mbi atë se çfarë e vendos të ardhmen tonë. Dikush beson se krejt çfarë ndodh është e shkruar nga Zoti. Disa të tjerë besojmë se të ardhmen e vendos pozicioni i yjeve në gjithësi, e dikush tjetër në atë se a ta ka ‘pre macja e zezë apo e bardhë rrugën’.

Pa pasur asnjë qëllim që të hedh hije dyshimi a shkëndija besimi mbi të gjitha teoritë e mbifuqishme, po zgjedh teorinë që pashmangshëm përcakton një pjesë të asaj që do të na ndodhë për të përshkruar pak këtë skenar të vitit 2014. Po bazohem në teorinë e veprimeve. Janë veprimet që i kemi bërë ato që pastaj na çojnë te një zhvillim. Është zhvillimi që ia kemi bërë argatin dikur në një kohë, në një vend.
Ky është skenari në tri akte i Kosovës 2014.


Akti 1

Trupat e turpit

Baci Azem mund të vdesë i qetë në fund të këtij viti. Ankthi 15-vjeçar do t’i marrë fund kur Batajnica, Bori dhe nja dy lokacione tjera do t’i nxjerrin trupat e të dashurve të bacit Azem, të dashurve të mi, trupat e shqiptarëve tanë të pagjetur.

Kësisoj, pasi t’i ketë rehatuar eshtrat e të gjithë anëtarëve të familjes, baci Azem do të lehtësohet.

Zhvillimi nuk do të ndodh sepse tek tash është mësuar lokacioni i trupave, por sepse vetëm tash Serbia ka interes ta zhvarrosë marren dhe çmendurinë. Normalizimi dhe BE-ja janë interesi.

Akti 2

Prej nga këta trupa?!

Jovana mund të mos ketë nevojë që në këtë qershor të ndezë qirinj dhe të qajë para çezmës së shatërvanit.

Nëna serbe, nga rrethina e qytetit jugor, humbi burrin pesë ditë pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s. Ajo dhe disa nëna e baballarë serbë përjetojnë ankth, diçka të ngjashëm me atë të bacit Azem. Dikush më shumë e dikush më pak, pa pasur ende një njësi të saktë të matjes së dhimbjes. Nejse, këta serbë as pa e ditur se sa janë, sepse shteti i tyre i talli sa herë u tha që janë shumë më shumë sesa që janë.

Sidoqoftë, Jovana me shumë gjasë do të mësojë se çfarë ka ndodhur me burrin e saj. Jo se dikush nuk e ka ditur deri tash, por sepse vetëm tash e kemi përpara normalizimin.

Akti 3

Raporti

Gazeta londineze do të dalë edhe njëherë fituese në garën mes mediave të Prishtinës dhe Beogradit për të pasur ekskluzivitetin e raporteve të ndjeshme ndërkombëtare.

Amerikani i ngarkuar për ta ndjekur telenovelën e verdhë, do ta kryejë punën e tij pak muaj para se të përfundojë ky mandat i EULEX-it dhe rrjedhimisht edhe i tij. Organe nuk ka. Por, ka të pagjetur për zbardhjen e fatit të të cilëve tash do të duhet të përkujdeset një gjykatë dhe prokurori evropiane.

Individët sërish do të mundohen ta shpëtojnë veten duke e kolektivizuar përgjegjësinë.

Akti tre nuk do të ndodhë, sepse u shty nga dikush kundër UÇK-së apo shqiptarëve. Por, sepse kemi fate njerëzish që duhen zbardhur. Fate që dikush dikur ua bëri një argat.

(Autori është Redaktor Përgjegjës në gazetën Tribuna)