LAJMI I FUNDIT:

Skenarët e mundshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj

Skenarët e mundshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj

Ramush Haradinaj, ditën e premte (19 korrik)  ka lënë në gjysmë mandatin e tij si kryeministër i Kosovës, shkak për këtë u bë ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Për përballjen e radhës së tij me drejtësinë ndërkombëtare, Haradinaj ka njoftuar vetë gjatë një konference për media,  katër ditë parë.

I mbushur me emocione, Haradinaj gjatë kumtimit të lajmit për dorëheqjen e tij si shef i ekzekutivit, ka thënë se në Hagë do të shkojë si qytetar i thjeshtë dhe jo si kryeministër.

“Nderi i kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë”, kishte thënë Haradinaj para pak ditësh.

Jep dorëheqje Ramush Haradinaj, ftohet nga Gjykata Speciale
Lexo po ashtu Jep dorëheqje Ramush Haradinaj, ftohet nga Gjykata Speciale

Se çka do të ndodhë pas dorëheqjes së Haradinajt dhe se cilët janë skenarët e mundshëm, për Telegrafin kanë folur njohësit e çështjeve politike.

Analisiti Ramush Tahiri, ka thënë se pasi që Ramush Haradinaj t’ia dorëzon dorëheqjen zyrtarisht presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, atëherë procedurat kalojnë tek presidenti.

“Unë konsideroj se dorëheqjen nuk mund ta miratojë presidenti, ai vetëm njoftohet. Dorëheqjet duhet t’i miratojë Kuvendi i Kosovës ose kryetari i Kuvendit, sepse Kuvendi e ka zgjedhur kryeministrin dhe jo presidenti. Pastaj, fillojnë procedurat e konsultimit të kryetarëve të partive politike nga presidenti i vendit, së pari konsultime duhet të ketë me koalicionin PAN, sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës, për t’i pyetur presidenti se a kanë ndonjë kandidatë të ri për kryeministër, atëherë tre liderët e PAN-it, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe Fatmir Limaj duhet ta njoftojnë presidentin, Thaçin që nuk kanë kandidatë dhe presidenti duhet t’i shkurtojë procedurat dhe t’i thërras edhe partitë tjera në një konsultë të përbashkët me të gjithë liderët, brenda këtyre ditëve më së largu dhjetë ditë dhe ta caktojnë datën e zgjedhjeve”, ka shpjeguar analisti Tahiri për Telegrafin.

Analisti politik, Ramush Tahiri

Ai ka thënë se data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dekretimi i tyre është kompetencë e presidentit dhe se ajo bëhet jo më herët se 30 ditë prej datës së pranimit të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe jo më larg se 45 ditë nga kjo datë.

“Zgjedhjet do t’i kemi në gusht ose shtator më së largu. Një procedurë tjetër është nëse dëshirojnë qeveri teknike edhe nëse koordinohen për qeveri teknike por  nuk besoj që do të ketë”, tha ai.

Duke folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme, Tahiri bëri edhe një parashikim se cilat parti mund të bëjnë koalicion parazgjedhor.

“Gjasat janë  që me PDK-në askush të mos bëjë koalicion, por varet se çfarë ofrohet, unë nuk besoj që do të ketë koalicion parazgjedhor, eventualisht mund të ketë koalicionin LDK-PDK,  në qoftë se merren vesh për figurën e kryeministrit, por partitë tjera nuk besoj që mund të hyjnë në këtë koalicion sepse të gjitha po e synojnë postin e kryeministrit”, ka potencuar ai.

Për skenarët e mundshëm pas dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, është deklaruar edhe analisti Imer Mushkolaj.

“Janë dy opsione qe presidenti bazuar në përgjegjësit e veta kushtetuese dhe ligjore t’i shpallë datën e re të zgjedhjeve pas konsultimeve që duhet t’i bëjë me subjektet politike, dhe e dyta të gjendet një mandatar i ri për vazhdimin e qeverisë për dy vitet e ardhshme”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.

Ai tha se, duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendet skena politike por edhe deklarimet e subjekteve politike, shumica prej të cilave kërkojnë zgjedhje të reja nuk kanë pajtim për gjetjen e një personi që do ta qonte tutje mandatin qeverisës.

Analisti politik, Imer Mushkolaj

“Kështu që i bie presidentit që t’i shpallë zgjedhjet, por nëse presioni ndërkombëtar është i madh për shkak se Bashkësia Evropiane, kërkon që dialogu të vazhdojë sa më shpejtë atëherë edhe mund të ketë propozime, që do të mund të merrte edhe pajtimin e partive politike për një person të caktuar që bëhet mandatar për vazhdimin e qeverisjes”, thotë analisti.

Mushkolaj deklaroi se zgjedhjet e reja duhet të mbahen sipas sipas rregullave ligjore e kushtetuese, që parashihet të mbahen 45-dite pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Ndryshe, dorëheqja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ngjallur reagime të shumta.

Liderët e partive politike në vend, kanë shprehur keqardhje për situatën në të cilën gjendet Haradinaj, duke shtuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pastër dhe se do të triumfojë në çdo vend.

Vlen të përmendet se është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.

Në vitin 2005 ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që i ishte ngritur aktakuzë për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori