eksperti-banner

Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit të ajrimit, (gjë që është dëshmuar edhe me raportin e Inspektoratit Sanitar të Kosovës), gjyqtarët e Gjykatës Supreme gjatë qëndrimit ditor në zyrë ndjejnë marramendje, dhimbje koke, molisje dhe simptoma të tjera të ngjashme, të cilat nuk u janë manifestuar më parë, raporton Telegrafi.

“Ndaj, kërkojmë ndërmarrjen e hapave urgjent për sanimin e kësaj gjendjeje të papranueshme, e cila po rrezikon shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatës. Si pasojë e mosfunksionimit të duhur të ashensorëve jeta e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës u rrezikua disa herë në këtë pallat, brenda një periudhe të shkurtër, prej kur jemi vendosur këtu. Që nga rasti i fundit, liftat janë jashtë funksionit dhe nuk shohim askënd që punon në rregullimin e tyre”, thuhet në komunikatë.


Në anën tjetër, nga raporti i Inspektoratit Sanitar të Kosovës i datës 23 prill 2015, del se ky objekt nuk e ka pasur as pëlqimin sanitar për lokacionin ku është ndërtuar dhe nuk e ka pëlqimin sanitar për pranimin në aspektin e kushteve sanitare-teknike dhe higjienike.

Raporti në fjalë, ka konstatuar se sistemi i ajrosjes nuk funksionon në të gjitha hapësirat e objektit.

"Ndaj, kërkojmë, po ashtu që, edhe Kryeministria dhe Zyra e BE-së në Kosovë, si financuese e këtij projekti, të marrin rol aktiv në tejkalimin e kësaj gjendje, e cila po bëhet e papërballueshme për gjyqtarët dhe stafin mbështetës, duke penguar funksionimin e tyre në punë dhe duke rrezikuar shëndetin e tyre", thuhet në komunikatë. /Telegrafi/