LAJMI I FUNDIT:

S’KA ASNJË SHPRESË

S’KA ASNJË SHPRESË

Poezi nga: Idea Vilarino
Përktheu: Maksim Rakipaj

Nuk ka shpresa
që gjithçka të marrë rrugë
që dhimbja të qetësohet
dhe bota të rregullohet.


S’ka pse gënjejmë veten
që jeta të verë në fije
kërkesat e saj të rrëmujshme
dhe veprimet e saj t’i verbojë.
Një fund i lumtur s’ka për të qënë,
as një puthje pafund,
gjithë kënaqësi, ashtu përhumbshëm
s’do të na parathotë ditët që na presin.

Dhe s’ka për të qënë një mëngjez
i freskët, kundërmues
i një pranvere të re
gëzueshëm për të filluar.
Përkundrazi, e gjithë dhimbja
sërish do të vërshojë
dhe s’ka kush të na çlirojë
nga ngërthim i saj.

Duhet të ecim përpara
të vazhdojmë të marrim frymë
të durojmë dritën
dhe të mallkojmë gjumin
të gatuajmë pa besim
të kurvërojmë pa qef
të përtypim pa dëshirë
dhe gjithmonë pa lot.