LAJMI I FUNDIT:

Sistemit korrektues dhe deradikalizimi në Kosovë

Sistemit korrektues dhe deradikalizimi në Kosovë

Lajmi i raportuar nga mediat për arrestimin e 40 personave të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në “xhihad” në shtetin e Sirisë dhe Irakut, nga një pjesë e njerëzve në rrjetet sociale u prit me një entuziazëm. Shumë nga statuset në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale kishin shprehur përkrahjen për Policinë e Kosovës dhe kishin uruar që gjykatat e Kosovës të mos na zhgënjejnë.

Duke pasur parasysh që sipas raportit të mediave në këtë operacion policor si prova materiale ishin gjetur edhe armë, municion dhe eksploziv, na lë të kuptojmë që problemi i islamizmit në Kosovë nuk është vetëm në fazën e përhapjes ideologjike (duhet të bëhet dallimi në mes Islamit dhe Islamizmit), por në shkallën e konkretizimit të ideologjisë.


Sipas Timothy Holmanit, shqiptaret nga të gjitha viset të cilët iu kanë bashkangjitur organizatave terroriste në Irak dhe Siri njihen nën emrin “Albanians” dhe janë grupi i tretë me afro 320 pjesëtarë (raport nga qendra për luftim të terrorizmit, West Point. qershor, 2014).

Bazuar në ato që është shkruar në ditët e fundit, stabiliteti në Ballkan është i brishtë në aspektin e radikalizimit të popullsisë, megjithatë qeveritë e këtyre vendeve duhet të tregohen shumë të matura në asesimin e problemit. Nuk duhet të krijohet panik në masë, sepse kjo do të ketë kundër efekt. Në anën tjetër, sistemi gjyqësor në Kosovë pritet të thotë fjalën e tij në lidhje me personat që janë të arrestuar tashmë.

Ajo që më brengos është fakti se sistemi korrektues i Kosovës nuk ka as edhe një program të vetëm që mund të merret me deradikalizimin e këtyre individëve. Problemi nuk do të përfundojë me rastin kur këta persona përfundojnë prapa grilave. Në fakt, problemi atëherë mund të thellohet edhe më shumë kur dihet se burgjet janë një inkubator për përhapjen e ideologjive, çfarëdo qofshin ato. Të burgosurit, sipas Carl Bjorkmanit (studiues i grupeve selafi në Itali), janë popullsia e cila mund të jetë më e ndishme ndaj radikalizmit, pasi që në një mënyre të burgosurit janë në krizë të ekzistencës, të cilët janë në kërkim të një prehjeje shpirtërore.

Bazuar në artikujt shkencorë, shumë nga të rinjtë të cilët radikalizohen kanë njohuri shumë të limituara për islamin e vërtetë dhe nga dëshira e madhe për të qenë myslimanë të mirë, iu bashkëngjiten grupeve të cilat përdorin ideologjinë ekstremiste për të realizuar agjendat e tyre. Qeveria e Jemenit, Izraelit, Arabisë Saudite, Libisë, Egjiptit, Suedisë, Britanisë, Holandës, Norvegjisë, Danimarkës etj. kanë krijuar programe specifike të cilat merren me trajtimin e këtyre personave dhe rehabilitimin e tyre. Programet e tilla, ndryshojnë sa i përket qasjes, varësisht nga vendi ku ato implementohen.

Qëllimi i këtyre programeve është që në mënyrë kohezive të parandalojnë involvimin dhe radikalizimin e të tjerëve, si dhe të rehabilitojë ata të cilët tashmë janë radikalizuar. Shumë nga shtete programet e veta i kanë të dizajnuara duke u bazuar në rrethanat sociale dhe ekonomike.

Sistemi korrektues i Kosovës nuk ka ndonjë program të tillë, andaj këtij sistemi i duhet të ndërmarr diçka për krijimin e këtyre programeve. Sistemi korrektues në Kosovë nuk duhet të përdoret si vend ku njerëzit kryejnë dënimin e tyre, derisa koha e tyre për lirim të vije. Përkundrazi, ky sistem duhet të përdoret për rehabilitimin dhe krijimin e individit (të cilët gjenden në këtë sistem) si pjesëtarë produktivë të shoqërisë përmes kurseve, punëtorive dhe formave të tjera të ndihmës (qoftë ajo përmes vullnetarëve ose përmes organizatave të tjera), në mënyrë që këta persona kur një ditë të kthehen në shoqëri mos të sjellin më shumë probleme se sa që bënin para se të hynin në burg. Burgjet shpesh ndikojnë në perfeksionimin e “zanatit” dhe mësimin e “zanateve” (krime) të reja për individët që kalojnë kohë në burg.

Ideologjitë shpërndahen dhe forcohen shumë më shpejt në burgje se sa në masë të gjerë. Keqinterpretimi i islamit dhe lejimi i predikimit të një islami të korruptuar janë shkaqet që dërgojnë në radikalizimin e popullsisë, posaçërisht të asaj popullsie e cila nuk di shumë për fenë, por që ka dëshirë të dijë më shume, e që informatat e sajë i merr nga burime jokredibile fetare.

Në shumë raste luftërat në Afganistan dhe Irak janë përdorur për të radikalizuar dhe ekstremizuar individë dhe grupe të ndryshme, duke predikuar se këto luftëra janë luftëra kundër islamit dhe myslimaneve; se islami është duke u sulmuar dhe vet ekzistenca e kësaj feje është në rrezik, përkundër faktit se realiteti nuk qëndron aty. Andaj, shumë shtete në programet e tyre mundohen që t’i japin sa më shumë publicitet marrëdhënieve të mira që kanë me shtetet e botës arabe dhe se vendi i tyre nuk ka asgjë kundër myslimanëve. Rast i tillë është rasti i Danimarkës, ku Qeveria daneze kishte filluar një kampanjë të gjerë, për t’i njoftuar shtetasit e sajë, por edhe grupet minoritare në lidhje me marrëdhëniet ndërshtetërore të vendit të tyre – në veçanti me shtete arabe.

Edhepse shpesh varfëria është quajtur motivuesi kryesor për individët që t’ju bashkëngjiten grupeve terroriste, megjithatë, sipas Alex Schmindit (Raporti hulumtues i Hagës), varfëria individuale nuk është shkak që personi të involvohet në terrorizëm, por papunësia mund të ndikojë në angazhimin e këtij individi në akte terroriste. Kjo argumentohet edhe nga shumë të rinj të cilët iu janë bashkangjitur grupeve terroriste në Somali e Nigeri, ku xhihadi ishte mundësia e vetme për punësim.

Mosfunksionimi i duhur i shumë institucioneve në vend, brishtësia e sistemit korrektues në Kosovë, dhe mospasja e programeve adekuate që mund të ndikojnë në deradikalizimin e individëve tashmë të radikalizuar, si dhe parandalimi i radikalizmit të tjerëve brenda burgjeve (por, edhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi), mund të kontribuojë në përhapjen edhe më të madhe të ekstremizmit fetar i cili tashmë është në rritje në vend.

Kosova, edhe pse shumicën dërmuese të popullsisë e ka të besimit mysliman, nuk është shtet islamik. Andaj, program i deradikalizimit që duhet të dizajnohet nga sistemi korrektues i Kosovës duhet të jetë një model miks i programeve nga Lindja dhe atyre nga Perëndimi. Ideologjisë duhet t’i kundërvihemi me ideologji, ku klerikët fetarë dhe teologet e përgatitur mirë promovojnë vlerat e vërteta Islame dhe jo ato vlera që janë në kundërshtim me fenë e paqes, siç është quajtur islami.

Iniciativa për krijimin e një program deradikalizues brenda burgjeve në Kosovë nuk duhet të shihet si luftë ndaj besimit islam ose myslimaneve, por një iniciativë për pengimin e përhapjes së islamit të korruptuar dhe keqinterpretimit të fesë e cila pastaj po rezulton me të rinjtë tanë të vrarë në vendet arabe, të cilët konfliktin mund ta zhvendosin edhe në shtetin tonë të “njomë”.