LAJMI I FUNDIT:

Si po ndikon agresioni rus në Ukrainë në operacionet hapësinore?

Si po ndikon agresioni rus në Ukrainë në operacionet hapësinore?

Lëshimi i një roveri të prodhuar nga Britania e Madhe për të kërkuar gjurmët e jetës në Mars është shtyrë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Roveri robotik Rosalind Franklin do të lëshohej në një raketë Proton më vonë këtë vit, si pjesë e projektit evropiano-rus ExoMars.


Por Agjencia Evropiane e Hapësirës tha se aktiviteti i misionit të përbashkët ishte pezulluar për shkak të “pamundësisë së tanishme” të bashkëpunimit me Rusinë, përcjell Telegrafi.

Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, pjesë e së cilës është edhe Mbretëria e Bashkuar, do të kryejë një “studim të shpejtë” të opsioneve alternative për përfundimin e misionit në Mars, tha ESA në një deklaratë, shkruan Sky News.

Kontributi i Rusisë në mision përfshin platformën e uljes së roverit dhe disa instrumente shkencore, si dhe raketën e rëndë për lëshimin.

E ardhmja e misionit tani është e pasigurt pasi ESA do të duhet të zëvendësojë teknologjinë ruse dhe të gjejë një mjet të ri lëshues me kosto të konsiderueshme.

Misioni ishte vonuar edhe si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, por tensionet politike midis Roscosmos, agjencisë ruse të hapësirës dhe homologëve të saj perëndimorë janë rritur që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Dmitry Rogozin, shefi i Roscosmos, kohët e fundit tërhoqi teknikët rusë nga objekti i nisjes evropiane në Guiana Franceze dhe kërcënoi se do të rrëzonte Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në SHBA.

Në mënyrë domethënëse, ESA aktualisht po bashkëpunon në misionin e saj të parë me Kinën. Një komponent kyç për një satelit të motit hapësinor do të dërgohet në Shangai në ditët në vijim. /Telegrafi/