LAJMI I FUNDIT:

Si po e hesht Vladimir Putin opozitën në Rusi – The Economist shfaq tregimin se si po ngacmohen, frikësohen dhe burgosen kundërshtarët e tij

Si po e hesht Vladimir Putin opozitën në Rusi – The Economist shfaq tregimin se si po ngacmohen, frikësohen dhe burgosen kundërshtarët e tij

Në fillim të këtij viti, dhjetëra mijëra rusë dolën në rrugë si pjesë e demonstratave më të mëdha të ndodhura brenda një dekade. Protestuesit marshuan në 130 qytete në të gjithë 11 zonat kohore të Rusisë. Shumica dërrmuese e tyre ishin në të 20-tat dhe në fillim të 30-tave, një brez që përfshinë rusët që ishin fëmijë kur presidenti Vladimir Putin erdhi në pushtet. Dikur shumë prej tyre e mbështesnin, tani më pak se një e treta e 18-24-vjeçarëve duan që Putin të qëndrojë në detyrë edhe më gjatë.

Protestat u frymëzuan nga udhëheqësi i opozitës në vend, Alexei Navalny. Ai i mbijetoi helmimit me Novichok nga agjentët e sigurimit shtetëror në gusht të 2020-së, ku u largua jashtë vendit për shërim. Ai u kthye më 17 janar pasi u shërua në Gjermani dhe u arrestua në Aeroportin e Moskës. Derisa ai ishte në paraburgim, ekipi i tij publikoi një video për një pallat luksoz që dyshohet se i përkiste Putinit. Nga pas hekurave, Navalny bëri ftesë që njerëzit të dalin në rrugë. Vetëm disa javë më vonë, ai u dërgua në burg ku është duke mbajtur dënimin.


Protestuesit marshuan kundër korrupsionit financiar dhe moral, dhunës shtetërore dhe uzurpimit të pushtetit nga Putini.

“Në Rusinë e Putinit, ne nuk kemi të ardhme”, tha një 20-vjeçar në Shën Petersburg.

Përgjigja e shtetit shënoi një fazë të re të zymtë të represionit në Rusi. Pas protestave u arrestuan më shumë se 11 mijë njerëz.

Organizata e Navalnyit që vepron kundër korrupsionit u shpall si grup ekstremist. Disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë u larguan nga vendi.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Sarah Collinson, një gazetare e The Economist punoi në Rusi, duke regjistruar jetën e përditshme të aktivistëve të opozitës në mes të shtypjes nga pushteti. Ajo kaloi pesë muaj duke filmuar në tre qytete dhe takoi shumë rusë që kundërshtonin Putinin. Bindja e njerëzve për të thënë mendimet e tyre para një kamere ishte e vështirë, mirëpo tre vajza dolën vullnetare. Ato u përballën me ngacmime, frikësime dhe madje edhe burgosje brenda një spitali COVID-19.

Violetta Grudina dikur drejtonte selinë e Navalnyt në Murmansk, një qytet në veriperëndim të Rusisë. Pas mbylljes së zyrës, ajo vendosi të kandidojë si e pavarur në zgjedhjet lokale të mbajtura në shtator. Ndërsa përgatitej për ditën e votimit, ajo u përball me pengesa të frikshme. Selia e saj u vandalizua dhe menaxheri i fushatës së saj u arrestua me akuza të sajuara për trafik droge.

Për vetë Grudinan, pandemia COVID-19 dha pretekstin për një formë të keqe për frikësim. Edhe pse krejtësisht e shëndosh, ajo u mbajt në një spital për pacientët e sëmurë me COVID-19, gjoja për ta parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Ky veprim jo vetëm që e pengoi atë të bënte fushatë, por edhe të regjistrohej si kandidate në Komisionin Zgjedhor. Vetëm pasi ajo filloi një grevë urie tetë ditore, ajo u lirua dhe më në fund mundi të dorëzonte dokumentacionin e saj për të kandiduar në zgjedhje. E shpallur ekstremiste, ajo u ndalua të konkurronte. Më pas vazhduan marrjet në pyetje dhe ndalimet.

Më 9 nëntor, Liliya Chanysheva një politikane e re e cila ashtu si Grudina drejtoi një nga selitë rajonale të Navalnyt, u arrestua me akuza të zbatuara në mënyrë retrospektive për “ekstremizëm”. Ajo mund të përballet me burg prej një dekade.

Lusya Stein i përket Pussy Riot, një grup kolektiv i cili mori famë botërore pas një proteste në vitin 2012. Grupi performoi një këngë anti-Putin në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar të Moskës dhe tre anëtarë shkuan në burg për këtë veprim. Stein nuk bëri diçka të madhe. Ajo u arrestua për publikimin e mesazheve në Twitter në lidhje me protestat të mbajtura në janar, duke e akuzuar për nxitje të thyerjes së rregullave të karantinës kundër COVID-19.

Në qershor, ajo dhe disa anëtarë të tjerë të Pussy Riot u arrestuan me akuza të rreme. Pasuan pesëmbëdhjetë ditë paraburgim. Edhe kur u lirua, Stein sërish është provokuar.

“Autoritetet [ruse] kanë vendosur të shtypin këdo që ka mbetur këtu dhe që ka ndonjë lidhje me opozitën e me aktivizimin e të drejtave të njeriut”, shprehet Stein.

Presioni u bë i padurueshëm edhe për të tjerët në Pussy Riot. Nga fundi i korrikut, të paktën tre nga gjashtë anëtarët e saj ishin larguar nga Rusia.

Gjyqet penale sot në Rusi pothuajse pa ndonjë ndryshim arrijnë të njëjtin përfundim: 99.64 për qind e tyre përfunduan me dënim.

Historia e Irina Fatyanovas ka ngjashmëri me atë të Grudinas. Dyshja ishin në mesin e mbështetësve të Navalnyt që vendosën të konkurrojnë në zgjedhjet lokale si kandidatë të pavarur. Fatyanova vendosi ta bënte këtë pasi puna e saj në selinë e Navalny në Shën Petersburg kishte marr fund.

Vullnetarët që punonin me Fatyanovan u arrestuan. Kur njëri u sulmua fizikisht, policia e injoroi sulmuesin dhe në vend të kësaj u përpoq ta akuzonte viktimën për vendosje të paligjshme të një karrige në një rrugë publike.

Megjithatë, Fatyanova arriti të mbledhë 4 mijë nënshkrimet e nevojshme për të dorëzuar dokumentet e saj si kandidate. Pavarësisht kësaj, asaj iu ndalua të kandidojë në zgjedhje për shkak të përfshirjes së saj të supozuar në aktivitete ekstremiste, i njëjti pretekst i përdorur për të shpërbërë organizatën e Navalnyt.

Padrejtësia e përdorur mbi aktivistët e opozitës tregon se shteti rus i sheh ata si një kërcënim. Pavarësisht ngacmimeve dhe burgosjeve, Navalny dhe lëvizja e tij lanë gjurmë gjatë zgjedhjeve për Dumën ruse. Natyrisht, partia e Putinit fitoi shumicën e vendeve, mirëpo votimi nuk ishte aspak i drejtë.

Disidentët si Fatyanova, Stein dhe Grudina ende arrijnë të dëgjohen përmes medieve sociale dhe platformave të tjera.

Siç raportohet, fuqia e Kremlinit është mbështetur në tre shtylla. Ekonomia është përmirësuar që kur Putin mori detyrën. Ai ka një monopol mbi informacionin. Dhe nëse gjithçka tjetër dështon, ai mund t’i “plasarit” kokat. /RTK/

Në trend Botë

Më shumë
Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë

Zelensky tregon tri llojet e armëve që i duhen Ukrainës për të mposhtur Rusinë

Botë
Ukraina tërheq nga vijat e frontit tanket amerikane Abrams për shkak të kërcënimeve nga dronët rus

Ukraina tërheq nga vijat e frontit tanket amerikane Abrams për shkak të kërcënimeve nga dronët rus

Botë
Mercenari serb që lufton për rusët në Ukrainë i ankohet Putinit, thotë se nuk iu dha shtetësia ruse

Mercenari serb që lufton për rusët në Ukrainë i ankohet Putinit, thotë se nuk iu dha shtetësia ruse

Evropa
Pse Greqia dhe Spanja po refuzojnë ta furnizojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore?

Pse Greqia dhe Spanja po refuzojnë ta furnizojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore?

Botë
Blinken: Rusia do të përballej me vështirësi në Ukrainë nëse nuk do të kishte ndihmën e Kinës

Blinken: Rusia do të përballej me vështirësi në Ukrainë nëse nuk do të kishte ndihmën e Kinës

Botë
Erdogan shtyn vizitën në Shtëpinë e Bardhë

Erdogan shtyn vizitën në Shtëpinë e Bardhë

Botë
Kalo në kategori