Nga: Timothy Garton Ash / The Spectator
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Nëse Ukraina do të zgjasë edhe për një mijë vjet, do të thonë njerëzit, “ky ishte momenti më i veçantë i tyre”. Siç ishte për Britaninë e vetmuar rezistenca nën Winston Churchillin, kundërshtimi madhështor i ukrainasve do ta kalisë – te brezat që do të vijnë – shëmbëlltyrën e vendit të tyre në botë. Por, ajo që pothuajse me siguri i pret ukrainasit në ditët e ardhshme, është diçka shumë më e keqe se ajo nëpër të cilën kaluan britanikët në vitin 1940. Ata do të ballafaqohen me një fushatë të bombardimeve ruse nga distancat e largëta dhe nga rrethimi që – përmes frikës, urisë, etjes, të ftohtit, sëmundjeve dhe të gjitha pasojave tjera të shkatërrimit të rrëmujshëm – synon ta thyejë vullnetin e tyre për të rezistuar. Mariupoli veçse është i shkatërruar. Kasapi çeçen Ramzan Kadyrov tashmë ka njoftuar se ndodhet në Ukrainë, me thikën e tij të mprehur për më shumë kasaphane. Janë rrëmbyer kryebashkiakët ukrainas të qyteteve kryesore, ndërsa agjencitë e inteligjencës perëndimore raportojnë për planet ruse për ekzekutime publike. Me një fjalë: terror.
“Kurrë nuk do të dorëzohemi”, ka thënë avokati që u bë pjesë e rezistencës së Kievit, në një video-debat pjesë e të cilit isha disa ditë më parë. Një tjetër jehonë çërçilliane. Më vonë, teksa forcat ruse i afroheshin kryeqytetin ukrainas, ai ma dërgoi një email për ta shprehur shpresën e tij se do t’ia dalë “mbanë”. E shton një emoji (figurë), por nuk është asnjë emoji i duhur për ta përfaqësuar atë mendim.
Debati për luftën në Ukrainë shpejt po rrëshqet në tema të tjera – po sikur Putin të sulmojë NATO-n? E çka me Kinën? Çfarë do të thotë kjo për ekonominë tonë dhe për të ardhmen e rendit botëror? Natyrisht, të gjitha këto çështje janë shumë të rëndësishme, por mos lejoni të shpërqendrohemi nga pyetja më urgjente: çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar ukrainasit që ata ta mbrojnë vendin, lirinë dhe demokracinë e tyre?
Presidenti Volodymyr Zelensky jep përgjigje të qarta në “cicërimat” e tij të cilat i poston pas çdo bisede me ndonjë lider evropian (nëse nuk e keni ndjekur deri tash në Twitter, ju lus ta bëni këtë sepse materiali i tij në Twitter është shkollë për udhëheqjen e luftës së shekullit XXI). Dhe, sërish, Churchilil i Ukrainës iu kthehet tri gjërave: më shumë mbështetje ushtarake, më shumë sanksione dhe një të ardhme më të mirë për Ukrainën në Evropë. Për të tria këto mund të bëjmë më shumë.
Është befasues niveli i furnizimeve me armë perëndimore. Shtetet e Bashkuara kanë prirë me këtë, duke dhënë më shumë se dy miliardë dollarë si ndihmë për mbrojtjen. Britania mund të ndihet krenare meqë, para shumicës së shteteve evropiane, e kuptoi domosdoshmërinë për këtë ndihmë duke i trajnuar më shumë se 20 mijë ushtarë ukrainas dhe duke dërguar më shumë se 3600 raketa të lehta dhe efektive antitank. Tashti, pothuajse e gjithë BE-ja është e bashkuar, përfshirë Gjermaninë. Siç dëshmoi sulmi me raketa më 14 mars – në një bazë tranziti armësh në Ukrainën perëndimore – forcat ruse kanë nisur t’i mbyllin linjat e furnizimit perëndimor. I kemi ende disa ditë, apo ndoshta javë, gjatë të cilave duhet të mundohemi të fusim më shumë armë e municione, përfshirë armët e sofistikuara të mbrojtjes ajrore si dhe furnizimet bazike – përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet – për t’i ndihmuar qytete si Kievi që ta përballojnë rrethimin pothuajse mesjetar.
Por, NATO nuk do t’i dorëzojë aeroplanët luftarakë e as ta vendosë zonën e ndalim-fluturimit që po vazhdojnë ta kërkojnë ukrainasit. Nuk do që të hyjë në luftë me Rusinë. Ka qenë mbresëlënës qëndrimi polak në lidhje me këtë. Për aq sa mbaj mend, polakët më kanë bërë të ndihem gjithmonë fajtor për atë se sa pak bëri Perëndimi për ta përmbushur garancinë e sigurisë që Britania e dha më 1939 – në mbrojtje të Polonisë – dhe se si i braktisëm ata kundrejt Stalinit (në Jaltë më 1945). Argumenti është identik me atë që po e përdor Zelensky: na keni braktisur duke na lënë të luftojmë të vetëm në mbrojtje të lirisë, të Evropës dhe të Perëndimit. Por, kur kjo Poloni tashmë është pjesë e sigurt e Perëndimit, brenda NATO-s dhe brenda BE-së, polakët po fillojnë të tingëllojnë si britanikët në vitin 1945. Keqardhje e madhe dhe solidaritet humanitar, por duhet të jemi të përgjegjshëm e të mendojmë në aspektin afatgjatë. Nuk mund ta rrezikojmë një luftë tjetër botërore!
Edhe një arsye tjetër kjo për të bërë më shumë në dy frontet tjera kryesore – të identifikuara nga Zelensky. Paketa e sanksioneve – për të cilat tashmë është arritur pajtimi – është i paprecedentë. Qeveria britanike – që ishte shumë e shpejtë në ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën – ishte për marre e ngadaltë në goditjen ndaj parave të pista ruse në Londër dhe në hapjen e dyerve tona për refugjatët ukrainas. Në këtë aspekt BE-ja ishte më e shpejtë. Por, gjëja kryesore që mund të bëjmë – për ta përshkallëzuar presionin e sanksioneve ndaj Vladimir Putinit – varet nga Evropa kontinentale e jo nga Britania apo nga ShBA-ja. Fjala është për ndalesën e importit të naftës dhe të gazit nga Rusia.
Në mesin e shumë gabimeve të bëra pas pushtimit të Krimesë nga Putini në vitin 2014, kjo pikë kthese – të cilën Evropa dështoi ta bëjë – u përkeqësua me vazhdimin e madje me rritjen e varësisë energjetike nga Rusia. Vitin e kaluar, 30 për qind e furnizimit të Gjermanisë me energji primare erdhi nga nafta, nga gazi dhe nga qymyri rus. Këtu përfshihet jo më pak se 55 për qind e gazit të saj. Një studim i elaboruar i kohëve të fundit – për koston ekonomike të ndalimit të importeve gjermane të energjisë nga Rusia – vlerëson se ndikimi negativ do të ishte midis një e tre për qind të PBB-së ose (në rastin më të keq) rreth 1000 euro për person.
Mund ta kuptoni hezitimin për ta përfshirë naftën dhe gazin në sanksione. Por, kam nis të mendoj se edhe kjo mund t’i bashkohet masave që po zgjerohen e që po i prekin të mirat e ekonomisë gjermane. Gjermanët duhet ta peshojnë koston ekonomike – të ndalimit të importeve të energjisë nga Rusia – kundrejt kostos morale të vazhdimit të pagesës së miliardave për rezervat e luftës së Putinit, në kohën kur ky i fundit po e zhvillon një luftë terrori mu në tokën ku Gjermania naziste e zhvilloi një luftë të tillë 80 vjet më parë. Aq i madh është zemërimi popullor në Gjermani sa që ky hap i mëtejshëm mund të ndërmerret, ndoshta duke filluar me naftën e duke vazhduar me gazin.
Kërkesa e tretë kryesore e Zelenskyt është që Ukraina të njihet si kandidate për anëtarësim në BE. Në mes të luftës, kur jeta e tij kërcënohet jo vetëm nga bombat po edhe nga skuadrat e vdekjes, kjo perspektivë evropiane është shumë e rëndësishme për të. Përgjigja e BE-së në samitin e Versajës, më 10 mars, ishte shumë zhgënjyese. Me një tepricë të fjalëve të kota për “përkatësinë e familjes evropiane”, aplikacioni i Ukrainës iu dërgua për shqyrtim Komisionit Evropian. Prapa kësaj qëndron fakti i rëndë se shumë liderë të BE-së, përfshirë Emmanuel Macronin, nuk duan që Ukraina të jetë anëtare e BE-së – për kurrën e kurrës. Më vjen keq për këtë mungesë vizioni. Megjithatë, edhe pa perspektivën e anëtarësimit, janë shumë gjëra tjera që Evropa mund të bëjë – përfshirë shtetet që nuk janë anëtare në BE, si Britania, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë të perëndimorëve.
Ukraina e pasluftës do të ketë nevojë për plan masiv rindërtimi, me miliarda euro e dollarë që do të shkojnë nga gjithë Perëndimi. Të mos e quajmë Plan Marshall, sepse gjysma e shekullit të kaluar është mbushur me përrallat për Planet Marshalle që u premtuan e që kurrë nuk u zbatuan. Po “Plani Zelensky”? Kjo do t’i krijonte po ashtu kushtet përmes të cilave do të kthehen në shtëpi miliona refugjatë ukrainas që tashmë gjenden në Evropën qendrore dhe perëndimore.
Në këtë rrugëtim ka mekanizma mbështetës që mund ta përafrojnë asociimin. Ukrainasit tashmë e kanë liberalizimin për udhëtim pa viza në BE. Në aspektin afatgjatë mund të përfshihet anëtarësimi në Zonën Ekonomike Evropiane. Si për ironi, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina – UK dhe UKR – nga drejtimet krejtësisht të ndryshme mund të bashkohen në qarkun më të madh të një Evrope më të gjerë.
Në këtë aspekt, vizioni afatgjatë kthehet te nevojat e menjëhershme. Do të doja të besoja në një Mrekulli të Dnieperit, ku Ukraina thjesht e mposht Rusinë – siç e mundi Polonia, papritur, Bashkimin e porsalindur Sovjetik në Mrekullinë e Vistulës të vitit 1920. Por, kjo vërtetë e kërkon një mrekulli. Në rast të dështimit të kësaj, kjo luftë e tmerrshme do të bie në nivelin e përshkruar nga mendimtari strategjik Lawrence Freedman, te “ngërçi i dhimbshëm”, ku të dyja palët do ta kuptojnë se duhet të negociojnë për një paqe.
Qëllimi ynë i menjëhershëm është që të jemi të sigurt se Putini do të lëndohet sa më shumë të jetë e mundur e se ukrainasit do të lëndohen sa më pak. Por, në këtë moment të vështirë, Zelensky do të duhej t’i bënte ca lëshime të hidhura në këmbim të tërheqjes së trupave ruse. Kjo ndoshta do ta përfshinte neutralitetin – diçka që të martën presidenti ukrainas e la të kuptohet, duke thënë se Ukraina nuk do të jetë në NATO – dhe një lloj pranimi të kushtëzuar ose de fakto të përvetësimeve krejtësisht të paligjshme territoriale të Putinit në Krime dhe në provincat Donetsk dhe Luhansk. Në fund të Luftës së saj heroike Dimërore, kundër Bashkimit Sovjetik në vitet 1939-40, Finlanda e pranoi rreth një të dhjetën e territorit të saj, por mbeti një shtet sovran, i pavarur e demokratik – dhe i ‘finlandizuar’.
Kundër humbjes së tillë, Zelensky ka nevojë t’ia dëshmojë popullit një fitore të madhe. Plani i rindërtimit dhe perspektiva evropiane është ajo që triumfon. Sa më konkrete, sa më bujare dhe sa më e gjerë të jetë oferta jonë, aq më shumë ukrainasit do të besojnë se sakrifica e tyre nuk ishte e kotë. Në gjithë këtë proces duhet të udhëhiqemi nga ukrainasit. Nëse ata kërkojnë nga ne t’i shtojmë disa sanksione kundër Rusisë, si kusht për tërheqjen ruse nga Ukraina, ne duhet ta bëjmë këtë. Por, është po ashtu brenda mundësive tonë t’ua japim ukrainasve ndjesinë historike se, megjithëse mund të kenë humbur disa beteja, në fund të fundit e me një kosto të madhe ata do ta fitojnë luftën. Luftën për lirinë e Ukrainës dhe për vendin e saj të duhur në Evropë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPërleshje mes shqiptarëve dhe rumunëve në kantierin ku po rinovohet stadiumi "Camp Nou"
Momenti kur kamioni devijon rrugën dhe përplaset me disa vetura në Veternik
Uragani Milton merr formën e frikshme të 'kafkës' pak çaste përpara se t'i afrohet Floridas
Trent Alexander-Arnold nuk hezitoi kur përmendi klubin e tij 'të preferuar' - pas Liverpoolit
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Verë ‘e majme’ për estradën kosovare: 10 milionë euro qarkullim veç për tre muaj, ATK i dënoi 329 herë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Arda Guler nga Turqia i dërgon mesazh Carlo Ancelottit për minutazhën te Real Madridi
Çfarë janë uraganet, sa të rrezikshëm janë dhe çfarë mund të ndihmojë në zbutjen e dëmeve?
Mbi 160 mijë euro, 696 kilogramë mjaltë e 250 kilogramë fasule ia gjejnë në shtëpi – Policia arreston të dyshuarin në Ferizaj për kontrabandë e tregti të ndaluar
Pamje nga vizita e Jakup Krasniqit te varri i vëllait, më pas i takon familjarët në fshatin e tij
Kaloi 50 mijë konkurrentë në audicion - kush është Nora Tushi, shqiptarja që po mahnit jurinë gjermane
Berisha: Do të dalin audio-incizime të tjera, do të na vijë turp