LAJMI I FUNDIT:

Si e gatuan mediat serbe skenarin e fluturakes

Si e gatuan mediat serbe skenarin e fluturakes

Teksa vazhdoj të lëvrojë nëpër qindra komente, lidhur me ndeshjen ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, me një shpejtësi dronike, shtypi dhe mediat elektronike serbe janë kthyer në periudhën e luftënxitjes më të errët të viteve ‘90. Një pjesë e madhe e mediave serbe treguan primitivizëm me tituj urrejtjenxitëse sipas shijes së opinionit të tyre.

Nuk është çudi që në këtë nxitje në mënyrë spontane kanë reaguar grupe të ekstremit të djathtë duke sulmuar bukëpjekësit dhe qebaptoret, pronarë të së cilave janë shqiptarët. Për befasi nuk pati asnjë reagim nga shoqatat gazetareske të tyre lidhur me fjalorin fashist të shumë përditshmeve serbe.


Në një konferencë shtypi të ambasadorit të Shqipërisë në Beograd, që personalisht e konsideroj të vonuar, gazetarët insistonin që të tregojë se kush e ka drejtuar fluturaken ndeshjen ne mes Serbisë dhe Shqipërisë!? Ndërkohë që autorësinë e kësaj fluturakeje nuk e dinë as vetë MPB të Serbisë.

Të njëjtat media paraprakisht kishin lakuar emra që asnjëherë nuk u vërtetuan. Aq shumë pyetje joprofesionale sa në një moment z. Boçka ka pyetur gazetarët prezentë nëse ndonjë nga mediat në të cilat ata punojnë kanë transmetuar informatat për thirrjet e linçimit të lojtarëve shqiptarë gjatë ndeshjes?

Jo më shumë se dhjetë minuta nga ndërprerja e lojës, mediat serbe arritën të “zbulojnë” se dirigjues i gjithë kësaj kishte qenë vëllai i kryeministrit të Shqipërisë. Madje në të gjithë mediat, qoftë rajonale apo ato të mëdha botërore, që janë të etura për lajme sensacionale, mbizotëroi versioni serb ashtu siç dinë ta fabrikojnë.

Reagimi i menjëhershëm i institucioneve shtetërore të Shqipërisë mungoi edhe pas atij inskenimi. Në një interval prej dhjetë minutash, sikur me një të prekur të butonit, me titujt “ Lajmi më i ri” dhe udhëzimi “Urgjentisht”, por edhe “Ekskluzive”, pothuajse të gjitha mediat serbe në faqet online publikuan një version rreth fluturakes me tituj më bombastikë të mundur dhe atë në një gjatësi valore.

“Olsi Rama, vëllai i kryeministrit personalisht ka shkaktuar incidentin ashtu që me një dirigjues nga largësia ka dirigjuar me fluturaken që barte një baner me hartën e Shqipërisë etnike dhe dy figurat – Ismail Qemalin dhe Isë Boletinin”. ”Gjithë këtë, publikisht dhe pa fije turpi e ka bërë Olsi Rama nga ulëset VIP në stadiumin e APJ-së”, shkruan Blic dhe të tjerët. Ndërsa, Kurir kishte një lajm të vogël më me titull tmerrues: “Incizohet duke pilotuar”, duke theksuar: “Siç e kemi kuptuar, ekziston video-incizimi në të cilën shihet se si Rama drejton fluturaken. Ai menjëherë është ndale në ulësen 12, në tribunën perëndimore të stadiumit ‘Partizan’ dhe më pas është arrestuar. Nga burime të sigurta kuptojmë se një person është parë në kupolën e Shën Gjorgjit duke lëshuar fluturaken. Në kupolë kanë mbetur litarët, në të cilën ishte lidhur droni. Ky akter ka arritur të ikte, kur vëllai i kryeministrit shqiptar ka marrë kontrollin mbi dron”, thekson gazeta pa sqaruar pse nuk i emitojnë atë video, dhe kush është pronar i tij?

Pa hyrë në detaje si është i mundur që nën shifrën “ndeshje e rreziku të lartë” dikush të ngjitet në kishë, 100 metra larg stadiumit dhe të largohet qetë sikur të mos kishte policë dhe agjentë apo shërbim, e që në fakt ishin në sasi katërshifrore. Në një raport të cilësuar si “Ekskluzive”, e përditshmja Blic ka njoftuar se Olsi Rama është arrestuar dhe sjellë në MPB. Por, Olsi Rama dhe shumë të tjerë i janë nënshtruar një kontrolli pa rezultat. Asgjë nuk është gjetur dhe asgjë e dyshimtë nuk është zbuluar. No comment.

Në mesin e disa njerëzve në delegacionin shqiptar lakohet emri i vëllait të kryeministrit si përgjegjës për atë dron dhe atë një javë par vizitës në Beograd! Nga frika e ndonjë dënimi për incidentet e njëpasnjëshme dhe klithmave fashiste të tifozëve, nga UEFA segmente të caktuara inskenuan incidente me pretendimin që autorë të ishin shqiptarët.

Reagimet e shpejta njëvalore të një pjese të madhe të mediave serbe sforcojnë hipotezën nëse fluturakja me banerin e një harte të Shqipërisë etnike, është lansuar nga segmente të caktuara të sigurisë, për të nxitur kombëtaren e Serbisë për fitore apo për të deklasuar politikisht Shqipërinë përballë Perëndimit në rrethanat kur do të pasonte vizita e Putinit në Beograd që realisht vë në sprovë orientimin properëndimor të Serbisë.

Duke u nisur nga fakti që Shqipëria është një vend që zhvillon dhe kultivon politikën e fqinjësisë së mirë, karshi një Serbie e cila vazhdon të udhëhiqet nga një politik e padefinuar në raport me fqinjët, mund të jetë që këto inskenime janë bërë për të ngushtuar rrethin e temave që mund të hapte kryeministri i Shqipërisë gjatë vizitës në Beograd. Segmenteve të shtetit serb i përgjigjet që Shqipëria të konsiderohet vend armik, ndërsa Rusia mbrojtëse.

Këto inskenime të administruara sipas një skenari të parapërgatitur nuk janë të rastësishme. Me një siguri aq të lartë të ndeshjes të vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian, brenda dhjetë minutave të “zbulohet” autori i kësaj fluturake është mjaft qesharake dhe pse një pjesë e madhe e mediave të jashtme i hëngrën këto inskenime medio-politike.

Kafenetë e këtyre gazetave ku zakonisht frekuentohen nga analistë shtetërorë kujdestarë të ngjarjeve, kanë përgatitur titujt “Shërbimi sekret shqiptar ka qenë organizator i sulmit! Vëllai i kryeministrit ka financuar aksionet”, pa ndonjë sqarim pse të financojë aksionin që e ka organizuar shërbimi sekret? Në kampet e para të kësaj beteje mentale, siç thotë gazetari i pavarur Petar Llukoviq, janë vëllezërit “Kurir” dhe “Informer”, dy fëmijë nga e njëjta nënë shoviniste.

Ajo që mbeti provë e munguar është dirigjuesi i kësaj fluturakeje. Me siguri për këtë duhet pyetur mediat qendrore serbe, RTS, B92, Kurir, Informer, Blic, V. Novosti të cilët lansuan gënjeshtrën për “arrestimin” e vëllait të kryeministrit shqiptar. MPB e Serbisë nuk dha asnjë informatë lidhur me arrestimin e tij edhe pse ishte një lajm ekskluziv i të gjitha mediave serbe. Asgjë e rastësishme. Veçanërisht në Serbi ku rasti është rregull.