LAJMI I FUNDIT:

Si dhe pse Britania e okupoi Gjibraltarin, Maltën dhe Qipron?

Si dhe pse Britania e okupoi Gjibraltarin, Maltën dhe Qipron?

Gjatë historisë, shtetet kanë okupuar ose kanë qenë të okupuara nga shtetet tjera. Britania e Madhe i ka përjetuar të dy pozitat. Por, Britania për herë të fundit është okupuar nga ndonjë forcë e jashtme në shekullin XI. Që nga atëherë, ky vend e ka luajtur këtë rolin tjetër.

Emri Gjibraltar vjen nga emërtimi arab ‘Gjebel Tarik’ (Mali i Tarikut). Nga viti 711 deri më 1462, ky vend ka qenë territor i sunduar nga arabët. Pastaj kaloi nën sundimin e vendit që po bashkohej e që u quajt Spanjë.


Në vitin 1704 Gjibraltarin e pushtuan forcat anglo-holandeze që ishin në anën Habsburgëve e të cilët ishin përfshirë në luftë për pushtetin mbretëror të Spanjës. Në vitin 1713, sipas Marrëveshjes së Utrehtit, Spanja u detyrua t’ia kalonte këtë vend Britanisë.

Kur Napoleoni e pushtoi Maltën, maltezët u rebeluan dhe në vitin 1800 i thirrën britanikët në ndihmë. Britanikët shkuan, i përzunë forcat franceze dhe mbetën aty. Me një fjalë, maltezët ranë vullnetarisht nën sundimin britanik.

Kur në vitin 1859 filloi konstruktimi i Kanalit të Suezit, britanikëve po iu shkurtohej rruga për Indi. Kapitali i prodhimit industrial që po rritej shpejt, kërkonte zgjerim të tregut. Prandaj, britanikët e forcuan edhe më shumë prezencën në Gjibraltar dhe në Maltë. Po ashtu, filluan të kërkonin edhe një pikë të re tokësore në Detin Mesdhe. Rasti erdhi në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit kur otomanët u detyruan që britanikëve t’ua kalonin në administrim, dhe më vonë në posedim, Qipron. Me këtë, britanikët vendosën sundim të plotë në Mesdhe që ishte rruga më e dendur që përshkonte vendet më të pasura të botës së atëhershme. Njëkohësisht, flota detare britanike (ushtarake dhe tregtare), në mënyrë të pakrahasueshme u bë më e fuqishmja në botë.

Pas Luftës së Dytë Botërore gjërat ndryshuan. India u pavarësua dhe filloi procesi i dekolonializimit. Me këtë ra edhe interesi britanik së dhe fuqia e saj ekonomike dhe politike. Prandaj, prezenca politike në Qipro dhe në Maltë nuk ishte e domosdoshme. Qipro u pavarësua në vitin 1960, kurse Malta më 1964.  Por, këto vende u pavarësuan me kusht që britanikët aty të mbanin një prezencë ushtarake. Në Maltë flota ushtarake britanike qëndroi deri më 1971 kur u largua vullnetarisht. Por, prezenca ushtarake mbeti në Qipro, ku edhe sot britanikët mbajnë një forcë që momentalisht numëron rreth katër mijë ushtarë të vendosur në katër lokacione (baza ushtarake) të këtij ishulli.

Megjithatë, britanikët ende janë prezent në Gjibraltar që është pjesë e territorit britanik dhe nga ku e kontrollojnë Portën e Mesdheut. E, nuk e kanë ndërmend të largohen pa marrë parasysh që Spanja, herë pas here, bën zhurmë për këtë punë. Me largimin nga Unioni Evropian, edhe skocezët mund të largohen nga Britania e Madhe. Pra, dobësimi britanik është i mundshëm. Në këtë rast ekziston mundësia që britanikët ta dorëzojnë edhe Gjibraltarin sikurse që e kanë dorëzuar Hong Kongun. /Telegrafi/