LAJMI I FUNDIT:

Shutkë, 2.5 milion denarë për pastrimin e deponisë

Shutkë, 2.5 milion denarë për pastrimin e deponisë

Komuna e Shuto Orizares ka hedhur hapat e parë për pastrimin e deponisë ilegale që për vite shqetëson banorët e kësaj komune. Kurto Dudush, kryetar i kësaj komune tha se është ndarë një buxhet prej 2,5 milionë denarësh dhe tashmë është përzgjedhur edhe firma që do të merret me pastrimin e mbeturinave nga ajo zonë. Megjithatë, shuma e ndarë nuk është e mjaftueshme për pastrimin e të gjithë deponisë, andaj me prioritet do të jetë sipërfaqja më pranë shtëpive.

– Advertisements –


“Me shumë gjasa, nga java e ardhshme para Kurban Bajramit do të nisim me pastrimin atje. Janë ndarë 2,5 milionë denarë. Aq kemi mundësi nga buxheti ynë, me aq mjete sa kemi në dispozicion për të pastruar. Megjithatë shpresoj se kur të fillojmë ne, do të kyçen edhe nga Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Mjedisit Jetësorë, që të pastrohet njëherë e përgjithmonë ajo deponi”, deklaroi Kurto Dudush- kryetar i Komunës së Shutkës.

Kurto Dudush thotë se monitorimi do të ishte shumë më i lehtë nëse ajo sipërfaqe do të pastrohej njëherë plotësisht. Ai thotë se shumë herë personat që hasën duke hedhur mbeturina në atë zonë me kamion të mbushur përplot përfshihen në konflikte me inspektorët, duke shtuar se Komuna e Shuto Orizares nuk ka kapacitet të përballojë e vetme këtë problem.

“Madje kemi një situatë kur unë personalisht isha duke pastruar me ekskavator dhe po pastronim në atë zonë për të cilën pyesni ju, para syve të mi erdhën dhe hodhën. Unë reagova ndaj atij personi dhe e ndalova që të mos largohet, thirra policinë dhe në këtë rast është shqiptuar edhe dënimi me kusht për tre vjet për atë person. Por pavarësisht sa gjoba shkruhen, kontrolluesve komunal u thonë se lirë u vjen të paguajnë atë gjobë dhe mbeturinat t’i hedhin aty, se sa t’i dërgojmë atje ku duhet”, shtoi Kurto Dudush- kryetar i Komunës së Shutkës.

Banorët shtëpitë e të cilëve janë pran asaj zone, për kamerën tonë treguan se si është të kesh vazhdimisht ajër të ndotur. Shumica prej tyre kanë probleme shëndetësore, dritaret nuk i hapin dot për të ajrosur shtëpitë, rrobat duhet t’i thajnë vazhdimisht brenda shtëpisë. Ata u shprehën të revoltuar se si institucionet për vite të tëra nuk kanë reaguar për të zgjidhur këtë problem, duke lënë që sipërfaqja e mbuluar nga mbeturinat të rritet nga java në javë. /Alsat.mk