LAJMI I FUNDIT:

Shumë nxënës të infektuar me COVID-19 në Kosovë, pritet rekomandimi për vaksinimin e fëmijëve nën 12-vjeç

Shumë nxënës të infektuar me COVID-19 në Kosovë, pritet rekomandimi për vaksinimin e fëmijëve nën 12-vjeç

Numri më i madh i rasteve pozitive me COVID-19 ditëve të fundit në Kosovë, janë fëmijë. Si pasojë e kësaj, po mbyllen edhe shkollat, një numër i madh tyre tashmë kanë kaluar tashmë në mësim online.

Ndryshe nga variantet e tjera të coronavirusit Omicroni po prek në masë të madhe edhe fëmijët.


Rreth një mijë fëmijë në baza ditore rezultojnë të infektuar me coronavirus, sipas raportit të IKSHPK-së.

Më të prekurit janë moshat 10-19 vjeç, kurse mbi 200 fëmijë të prekur me Covid iu takojnë moshave nga 0-9 vjeç.

Prindërit janë të shqetësuar me rritjen e rasteve.

“Jemi të shqetësuar pasi infektimi po i kap më së shumti fëmijët”, deklaron një prind në Fushë Kosovë.

Në Komunën e Fushë Kosovës tashmë janë mbyllur shkollat më të mëdha.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë thotë se ka hezitim për vaksinim nga ana e prindërve të nxënësve.

Megjithatë ekspertët shëndetësorë thonë se fëmijët variantin Omicron po e kalojnë me pak simptoma.

Në vendin tonë lejohet vaksinimi i fëmijëve mbi 12-vjeç, mirëpo drejtori i Klinikës Infektive Arben Vishaj thotë për RTV Dukagjinin se janë në pritje të rekomandimeve që vaksinimi të fillojë edhe te fëmijët poshtë moshës 12-vjeçare.

“Varësisht prej rrethanave dhe situatës epidemiologjike është paneli e ekspertëve që vendos se cila moshë duhet të vaksinohet. Në territorin e Kosovës ekziston vendimi që fëmijët prej moshës 12-vjeçare duhet të vaksinohen”, deklaroi Vishaj.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, rekomandon që edhe fëmijët nga mosha 5-11 të vaksinohen, por vetëm me vaksinën Pfizer.

Ky institucion ka paralajmëruar se do ta përditësojë vaksinën edhe për fëmijët nën moshën 5- vjeçare nga prilli i këtij viti./Telegrafi/