LAJMI I FUNDIT:

Shtetet e QUINT-it, Qeverisë: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Shtetet e QUINT-it, Qeverisë: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, drejtuar Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e tokës së Manastirit të Deçanit.

Në këtë deklaratë thuhet se ata janë të shqetësuar në lidhje me mos-zbatimin e këtij vendimi.


“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbesin të shqetësuar që përkundër nxitjes së vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vetë gjyqësori i Kosovës, institucionet kosovare ende nuk e kanë zbatuar plotësisht regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016”, thuhet në deklaratë.

Tutje, thuhet se mos-zbatimi i këtij vendimi minon zotimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e sundimit të ligjit.

Saga juridike e Manastirit të Deçanit - pritjet e Kishës dhe qëndrimi i Qeverisë
Lexo po ashtu Saga juridike e Manastirit të Deçanit - pritjet e Kishës dhe qëndrimi i Qeverisë

“Moszbatimi i këtij vendimi dhe vendimeve të tjera të gjykatës minon zotimin e qeverisë për zbatimin e sundimit të ligjit dhe respektin e saj për gjyqësor të pavarur. Zbatimi i këtyre vendimeve paraqet përgjegjësi themelore demokratike të domosdoshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e ardhshëm euroatlantik”, thuhet në deklaratë.

Ata po ashtu kanë theksuar se nxisin Qeverinë e Kosovës që të zbatojnë në tërësi vendimet e Kushtetueses.

“Edhe njëherë, e nxisim Qeverinë e Kosovës të lë anash mospajtimet politike, të përqafojë përgjegjësitë e saj demokratike dhe të zbatojë plotësisht të gjitha vendimet e Gjykatës”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it. /Telegrafi/