Shtatori dhe fillimi ankthioz për fëmijët me disleksi

Shtatori është një fillim i ri për fëmijët, plot entuziazëm e emocion për kthim në bankat shkollore. Mirëpo, për disa prej tyre, ky entuziazëm shoqërohet edhe nga një ndjenjë e fortë ankthi. Shkronjat në faqet e bardha nuk formojnë dot një kuptim, por ngatërrohen, zhvendosen dhe humbasin. Ky është realiteti i përditshëm për një fëmijë me disleksi - një sfidë që shpesh keqkuptohet
Dafina Veselaj,logopede e certifikuartel. +377 44 732 921
Ndërsa njerëzit kanë përdorur gjuhën e folur për rreth 50,000–100,000 vjet, aftësia për të lexuar ka ekzistuar vetëm për rreth 5,000 vjet. Truri i njeriut nuk ka një qendër të lindur për leximin, pasi kjo aftësi është shfaqur shumë vonë në historinë e evolucionit. Megjithatë, gjatë procesit të mësimit, ai përdor zona ekzistuese funksionale veçanarisht ato që përdoren për njohjen e objekteve dhe fytyrave- për të krijuar fushën e formës vizuale të fjalëve, e vendosur në pjesën e majtë të korteksit temporal-okcipital. Leximi nuk është një proces që ndodh në izolim, por përfshin një rrjet të tërë zonash të trurit siç janë: rajoni Broca për përpunimin gjuhësor dhe artikulimin, rajonet e majta temporale për kuptimin e fjalëve, si dhe rajonet parietale për lidhjen e shkronjave me tingujt. Ky bashkëpunim i ndërlikuar tregon se leximi është një aftësi e fituar, e cila ndërtohet me përvojë dhe praktikë.
Çfarë është disleksia?
Disleksia është një çrregullim neurozhvillimor që ndikon në aftësinë e personit për të lexuar dhe shkruar. Disleksia nuk ka të bëjë me mungesë inteligjence apo përpjekjeje, por është mënyra se si truri përpunon gjuhën e shkruar, duke e bërë procesin e leximit më të vështirë dhe më të ngadalshëm. Studimi i Shaywitz, (2020) konfirmon statistikat se 5–10% e fëmijëve kanë disleksi. Te shumica e tyre vështirësitë zbulohen vetëm pas viteve të para të shkollës, kur kërkesat akademike rriten dhe presioni i notave dhe suksesit shtohet. Shumëherë mund të ekzistojnë perceptime të gabuara se këta janë fëmijë të painteresuar, fëmijë “dembel”të cilët nuk janë të motivuar dhe që nuk përpiqen aq sa duhet. E vërteta është krejt tjetër: fëmijët me disleksi përpiqen më shumë se bashkëmoshatarët e tyre vetëm për të arritur të njëjtin rezultat. Ata shpenzojnë më shumë energji kognitive për të deshifruar një fjali të thjeshtë dhe shpesh lodhen më shpejt, jo sepse nuk duan, por sepse truri i tyre punon ndryshe.
Shenjat që një prind nuk duhet t’i injorojë kur flasim për vështirësitë në shkrim dhe lexim:
• Tregimin e ideve të veta (mund t’i kenë fjalët “në majë të gjuhës”, por nuk dalin);
• Përdorimin e fjalëve të përgjithshme si “gjë” ose “send” dhe ndalimin për të kujtuar fjalët;
• Mësimin e fjalëve të reja të dëgjuara në klasë ose të lexuara në libra;
• Kuptimin e pyetjeve dhe ndjekjen e udhëzimeve;
• Mbajtjen mend të numrave në rend (p.sh. numri i telefonit);
• Kujtimin e detajeve të një tregimi ose të asaj që thotë mësuesi;
• Kuptimin e asaj që lexon;
• Mësimin e teksteve të këngëve ose rimave;
• Dallimin e majtës nga e djathta (gjë që vështirëson leximin dhe shkrimin);
• Mësimin e alfabetit dhe numrave;
• Lidhjen e tingujve me shkronjat (vështirëson të mësuarin e leximit);
• Shkrimin (mund të ngatërrojnë rendin e shkronjave brenda fjalëve);
• Drejtshkrimin;
• Matematikën (ngatërrojnë rendin e numrave);
• Mësimin përmendësh të tabelës së shumëzimit;
• Leximin e orës.
Sipas Asociacionit Britanik të Disleksisë, disleksia ekziston në nivele të ndryshme dhe ndikohet nga faktorë të shumtë gjenetikë e mjedisorë. Ajo mund të ndikojë edhe në marrjen e aftësive të tjera, si matematika, kuptimi i leximit apo mësimi i një gjuhe të huaj. Shkaku më i zakonshëm lidhet me përpunimin fonologjik, pra aftësinë për të dalluar dhe manipuluar tingujt e gjuhës, por shpesh ndikojnë edhe kujtesa pune, shpejtësia e përpunimit dhe aftësitë ortografike. Disleksia shpesh bashkëshoqërohet me çrregullime të tjera zhvillimore si çrregullimi gjuhësor, diskalkulia, ADHD dhe çrregullimi i koordinimit.
Në moshat e hershme, shenjat paralajmëruese të disleksisë mund të përfshijnë vështirësi në mësimin e poezive të kopshtit, përqendrimin, dëgjimin e tregimeve, të mësuarit e alfabetit, ngatërrimin e fjalëve, ruajtjen e ritmit apo ndjekjen e disa udhëzimeve njëkohësisht. Fëmijët mund të harrojnë emrat e shokëve, ngjyrat, të kenë vështirësi në dallimin e drejtimit, në renditjen ose në përdorimin e fjalëve të duhura. Një histori familjare e disleksisë ose vështirësive të ngjashme është gjithashtu tregues i rëndësishëm.
Studimet tregojnë se vështirësitë në të folur dhe gjuhë në fëmijërinë e hershme lidhen ngushtë me problemet e mëvonshme në lexim. Prandaj, identifikimi sa më i hershëm i tyre është thelbësor, pasi para fillimit të shkollës mund të bëhet shumë për zhvillimin e aftësive gjuhësore, duke ndihmuar më pas në suksesin e fëmijës në lexim dhe në mësim në përgjithësi.
Pse shtatori është momenti kyç?
Pragu para fillimi të vitit shkollor është një dritare e artë për të nisur vlerësimin dhe ndërhyrjen logopedike për disleksinë. Në këtë periudhë, fëmija ende nuk është i mbingarkuar me detyra dhe presion akademik, ndaj e ka kohën dhe hapësirën e nevojshme për të mësuar strategji të reja që do ta ndihmojnë në lexim dhe shkrim gjatë gjithë vitit shkollor në vijim.
Ndihma e hershme është vendimtare. Që të jetë më e thjeshtë për prindërit, ndihma logopedike është sikurse t’i japësh syze një fëmije që nuk sheh mirë- pa të cilat, ai mund të përpiqet pafund, por gjithmonë do të lodhet më shpejt, do të frustrohet dhe mund të humbasë motivimin. Programet e ndërhyrjes së hershme për ndërgjegjësimin fonologjik, të zbatuara nga kopshti deri në klasën e 2-të, mund t’i ndihmojnë shumë lexues me vështirësi të arrijnë nivele mesatare të leximit. Torgesen dhe American Academy of Pediatrics (2011), duke shqyrtuar studime të shumta mbi ndërhyrjen e hershme, ka gjetur se kur ndërhyrja fillon në klasën e parë, përqindja e pritshme e fëmijëve me vështirësi në lexim nga 12%–18% sa është zakonisht ulet ndjeshëm në vetëm 1.6%–6%.
Njohja e hershme e shenjave të disleksisë dhe ndërhyrja profesionale mund të bëjnë diferencën mes një fëmije që lufton çdo ditë me frustrimin dhe me paragjykimet dhe të një fëmije që mëson të përballojë sfidat me strategji efektive. Çdo hap i ndërmarrë sot, çdo orë pune me logopedin, është një investim i çmuar në vetëbesimin, suksesin akademik dhe të ardhmen e fëmijës. Sepse kur u jepet mbështetja e duhur, fëmijët me disleksi mund ta arrijnë potencialin plotë të tyre. /Telegrafi/






















































