LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët ulen shpenzimet për ushqime, i rriten për argëtim dhe veshje

Shqiptarët ulen shpenzimet për ushqime, i rriten për argëtim dhe veshje

Gjatë vitit 2019 familjet shqiptare ulen shpenzimet për ushqime dhe rriten ato për veshje dhe argëtim dhe shërbime.

Të dhënat mbi buxhetin e familjeve për vitin 2019 tregojnë se, shpenzimet mesatare mujore për konsum për Njësi Ekonomike Familjare (NjEF)), të përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, janë 82,235 lekë [660 euro]. Totali i shpenzimeve për konsum është 63.5 miliardë lekë [500 mijë euro] në muaj për 771,600 familje.


Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2019, është 5.6 për qind më i lartë se në vitin 2018. Rritja e çmimeve të konsumit, në vitin 2019, krahasuar me vitin 2018, është 1.4 për qind. Uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2019, e ka shënuar grupi “transport” me 5.5 për qind, krahasuar me vitin 2018*, ndërsa rritja më e madhe është regjistruar në grupin “argëtim dhe kulturë” me 54.3 për qind.

Shpenzimet e bëra në grupin “argëtim dhe kulturë” në vitin 2019 kanë pësuar rritjen më të lartë prej 54.3 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupet “pushime familjare brenda vendit dhe paketa turistike jashtë vendit”.

Shpenzimet e bëra në grupin “Veshje dhe këpucë” kanë shënuar rritje prej 31.5 për qind, krahasuar me vitin 2018, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “veshje”.

Shpenzimet e bëra në grupin “pije alkoolike dhe duhan” kanë regjistruar një rritje prej 16.4 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupit “pije alkoolike”.

Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF-ve, sipas 12 grupeve kryesore të konsumit, peshën më të madhe e zënë grupet “ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 33,952 lekë [270 euro], i cili zë një peshë prej 41.3 për qind në buxhetin familjar.

Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë “mish dhe nënprodukte” me 20.7 për qind, “perimet” me 18.1 për qind, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 14.4 për qind, ndjekur nga “frutat” me 9.4 për qind.

Grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8,291 lekë [65 euro], përbën 10.1 për qind të totalit të buxhetit familjar.

Grupi “të tjera mallra dhe shërbime”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 6,027 lekë [50 euro], zë 7.3 për qind të buxhetit gjithsej. Peshën më të madhe brenda këtij grupi e përbëjnë shpenzimet për “artikuj dhe produkte për kujdes personal”, me 51 për qind. /Monitor/