LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit – lakuriq në frigoriferin maqedonas

Shqiptarët e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit – lakuriq në frigoriferin maqedonas

Se sa të injoruar mbeten shqiptarët e Maqedonisë dhe sa të verbëruar mbeten udhëheqësit e tyre politikë, nuk do më shumë sesa një vështrim i thjeshtë i krizës pesë-muajshe dhe sidomos marrëveshjes së 2 qershorit në Bruksel dhe plotësimit të saj me 15 Korrik.

14 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët përsëri duhet të shpresojnë në mëshirën e VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së se a do të kenë të drejta të barabarta me maqedonasit apo jo.


Përvoja e koalicioneve të deritashme që nga përfundimi i luftës së vitit 2001, dëshmon inferioritetin e partive politike të shqiptarëve përballë atyre maqedonase dhe verbërimin klasik nga uria për të qenë në pushtet dhe përfitime partiake dhe individuale të njerëzve të BDI-së dhe PDSH-së.

Marrëveshja e 2 qershorit ishte një kopje-ngjitje e të gjitha deklaratave të deritashme 14-vjeçare që “Marrëveshja e Ohrit duhet që të zbatohet”.

Kjo fjali është bërë aq e kalbur sa që Marrëveshja e Ohrit është shndërruar në ushqim të ruajtur në frigorifer, i cili pasi që të dërgohet në stufë për ngrohje nuk përmban më ndonjë kalori, proteinë apo vlerë dhe nuk ta heq urinë, por veç të mashtron përkohësisht.

Dhe, sikur edhe deri më tash, ata që do të jenë në pushtet do ta stërmbushin atë me aroma të ndryshme të cilat do ta mashtrojnë gojën, por jo edhe stomakun dhe trupin e uritur të shqiptarëve për dinjitet dhe zhvillim ekonomik e social në Maqedoninë e cila synon të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s, edhe me shqiptarët e dorëzuar dhe të gjunjëzuar përballë arrogancës dhe brutalitetit politik të maqedonasve.

BDI dhe PDSH nuk deshën dhe nuk guxuan që krizën pesë-muajshe ta shndërrojnë në një moment kyç për të përfituar garanci kushtetuese për të përmirësuar të drejtat e shqiptarëve si asnjëherë më parë gjatë këtyre 14 viteve. Etja e njerëzve të tyre për të mbetur apo për t’u ngjitur në pushtet vazhdoi që t’i verbërojë ata skajshmërisht e t’u japin edhe një auto-shqelm premtimeve të tyre për barazimin e të drejtave të shqiptarëve me ato të maqedonasve.

Përsëri, sikur edhe qe 14 vite me radhë, partia shqiptare e cila do të krijojë koalicion me fituesen maqedonase të zgjedhjeve të 24 prillit, do të duhet të lus partnerin e ardhshëm se sa të drejta të reja duhet apo nuk duhet të kenë shqiptarët e Maqedonisë. Përsëri të drejtat e shqiptarëve do të mbyllen në negociatat për koalicion qeveritar, pra do të jenë në duart e partisë fituese maqedonase.

BDI dhe PDSH ishin vetëm spektatorë në të gjitha bisedimet e deritashme si në Bruksel, Strasbourg dhe në Shkup. Ato nuk deshtën apo nuk ditën (kjo nuk ka rëndësi fare) që të faktorizohen e të kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve të mos jenë pjesë e pazareve për koalicion qeveritar, por të ndryshimeve dhe freskimeve të reja kushtetuese.

Dy opsione është dashur që të vihen në tavolinën e bisedimeve të deritashme:

Një: Garantimi i këtyre të drejtave në një Marrëveshje Ohri të re dhe përfshirja e tyre në Kushtetutë të re, duke filluar me bërjen e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare që në kushtetutë e jo përmes ligjeve të veçanta sa herë që bëhen zgjedhjet.

Me këtë, parlamenti do të detyrohej që të automatizonte aprovimin e ligjeve dhe do të largonte nga tavolina e bisedimeve për koalicionet qeveritare përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.

Pos gjuhës, po në Kushtetutë është dashur kërkuar edhe krijimin e mekanizmave kushtetues për forcimin e vendim-marrjes shqiptare edhe në buxhet, ekonomi dhe investime të huaja për rajonet e banuara me shumicë shqiptare (veri-perëndim të Maqedonisë).

Opsioni i dytë është më i vështirë por jo edhe i pamundshëm: Insistimi eventual për ndarje të brendshme territoriale e Maqedonisë në njësinë shqiptare dhe atë maqedonase si në Belgjikë apo Zvicër dhe shndërrimin e qytetit të Shkupi në një rajon sikur ai në Bruksel do të aktivizonte alarmin tek BE-ja dhe SHBA-të për t’iu dhënë vëmendje të merituar ndryshimeve sipas opsionet të parë.

Edhe nëse opsioni dytë nuk do të realizohej, për shkak të problemeve dhe rezistencës që do të dilnin nga të gjitha palët për shkak të Shkupit apo Kumanovës (ku shqiptarët përbëjnë vetëm 40 për qind të popullatës së kësaj komune), në këtë mënyrë do të forcohej kërkesa e parë për freskim të MO-së dhe freskim dhe ndryshime kushtetuese, pra opsioni i parë i kërkesave.

Kthimi në opsionin e parë do të kërkonte edhe refuzimin e partive shqiptare për të mos negociuar hyrjen në qeveri të ardhshme apo parlament, pa u miratuar këto garanci kushtetuese në parlament nga vet VMRO-DPMNE dhe LSDM.

Por, as opsioni i parë dhe as i dyti nuk ndodhën. Përsëri sikur edhe 14 vite të kaluara, BDI dhe PDSH do të aktrojnë në shërbim të VMRO-DPMNE dhe LSDM përballë votuesve shqiptarë e në shërbim të ngjitjes në pushtet. Përsëri gjuha e Josif Bagerit dhe ëndrra e tij për gjuhën shqipe do të jenë nën mëshirën e maqedonasve dhe vullnetit të tyre për të lejuar shqiptarët përdorimin e plotë të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet.

Përsëri Ali Ahmeti duket të jetë i trembur nga kërkesat e BE-së dhe SHBA-së për heshtje nën arsyetimin se prishet stabiliteti i Maqedonisë. Përsëri Menduh Thaçi mbetet me shpresë se fituesi i ardhshëm maqedonas i zgjedhjeve do ta marrë atë në qeveri e jo Ali Ahmetin.

Ky skenar do të këndellte BDI-në sikur në 2006 dhe do të bllokonte përsëri Maqedoninë për protesta për hyrje në pushtet. Me dështimet e BDI-së dhe PDSH-së me 2 qershor dhe 15 korrik, mos-futja e BDI-së në qeveri mbetet opsioni i vetëm që Ali Ahmeti të këndellet e të kërkoj më shumë dhe kushtetutë të re.

Premtimet me Marrëveshje të Ohrit, për zbatimin e saj përmes ligjeve sa herë që bëhen zgjedhje dhe koalicionet janë kalbur. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 në formën e saj të varur nga ligjet e koalicioneve qeveritare është kalbur.

Aktorët e deritashëm politikë të shqiptarëve në Maqedoni ndodhen në frigoriferin maqedonas dhe në frigoriferin e urisë për pushtet. Gjuha shqipe e Josif Bagerit, zhvillimi ekonomik dhe dinjiteti i shqiptarëve të Maqedonisë janë ngrirë për shkak të BDI-së dhe PDSH-së të verbuara skajshmërisht.

Me të drejtat aktuale të kufizuara dhe të ndrydhura, shqiptarëve të Maqedonisë nuk ka çfarë t’ju shërbej tjetër as hyrja në BE e as në NATO, pos për të ikur nga vendlindja e jetuar nëpër Evropë. Nëse Zoran Zaev e dërmoi Maqedoninë dhe stabilitetin e saj për pesë muaj për shkak të çfarëdo arsye të njohur apo të panjohur deri më tash, pse BDI dhe PDSH u dashka të bëhen rojtarët e Maqedonisë së maqedonasve me shqiptarët qytetarë të rendit të dytë ?

Pushteti dhe përfitimet partiake dhe individuale janë e vetmja përgjigje, për fat të madh të keq.

Në trend

Më shumë
Aksioni i PK-së në veri, kërcënon Daçiq: Kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme

Aksioni i PK-së në veri, kërcënon Daçiq: Kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme

Lajme
Në gardën e nderit, të gjithë e duartrokitën Kloppin - përveç një lojtari

Në gardën e nderit, të gjithë e duartrokitën Kloppin - përveç një lojtari

Premier League
Rikthehet industria ushtarake, Shqipëria do të prodhojë armë

Rikthehet industria ushtarake, Shqipëria do të prodhojë armë

Lajme
Banorët e pallatit ku jetojnë njëzet mijë banorë nuk kanë nevojë të zbresin në tokë për javë të tëra

Banorët e pallatit ku jetojnë njëzet mijë banorë nuk kanë nevojë të zbresin në tokë për javë të tëra

Stil
“100 mijë euro paguajnë për me dalë nga burgu, unë pesë euro s’po mund t’i gjejë”, Shefqet Riza i zhgënjyer pas arratisjes së Sekiraqës

“100 mijë euro paguajnë për me dalë nga burgu, unë pesë euro s’po mund t’i gjejë”, Shefqet Riza i zhgënjyer pas arratisjes së Sekiraqës

Drejtësi
Misteri rreth Mbappes: Nga lëndimi, strategjia e Enriques, dhe momenti i sikletshëm me një femër në Kanë

Misteri rreth Mbappes: Nga lëndimi, strategjia e Enriques, dhe momenti i sikletshëm me një femër në Kanë

Ligue 1
Kalo në kategori