LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria në fillimshekullin XX

Shqipëria në fillimshekullin XX
Ilustrim

Nga: Salajdin Salihu (shkrimi bazohet në punimet e studiuesit bullgar Lubomir Miletiq)

Dymbëdhjetë studiues bullgarë, me kërkesë të autoriteteve shtetërore bullgare, gjatë vitit 1916 kishin ndërmarrë një ekspeditë shkencore në Maqedoni dhe Moravë. Ekspedita, si thuhet në një dokument, synonte t’i studionte “tokat e reja”, në planin politik, historik, etnografik, politik dhe ekonomik. Qëllimi kryesor i ekspeditës ishte “studimi i viseve më pak të hulumtuara”, duke u fokusuar te popullata bullgare, por edhe shqiptare, greke, vllahe dhe turke. Studimet u botuan vonë, në vitin 1993, në librin “Ekspedita shkencore në Maqedoni dhe në Moravë 1916”. Ekspedita përbëhej nga gjuhëtarë, historianë, ekonomistë, gjeografë, gjeologë, ekspertë të statistikës, kryesisht nga Universiteti i Sofjes dhe pjesëtarë të shërbimit inteligjent bullgar. Pjesë e ekspeditës ishte edhe profesori bullgar Lubomir Miletiq. Ai gjatë qëndrimit 45-ditor nëpër qytete të Maqedonisë dhe të Shqipërisë së sotme kishte mbledhur informacione për shqiptarët dhe aspiratat e tyre kombëtare. Këtë e thotë edhe në një letër dërguar shërbimeve ushtarake bullgare (letra nga 26. VII. 1916, nr. 1886), që ruhet në arkivin bullgar. Miletiqi ishte shoqëruar edhe nga fotografi Georgi Trajçev1, që kishte bërë disa fotografi të rëndësishme nga vendet arkeologjike, të dorëshkrimeve, mbishkrimeve, veshjeve etj. [1] [2]


Miletiqi shkruan gjerësisht për “procesin kombëtar shqiptar”, duke e parë në raport me interesin bullgar. Ndër shqiptarë ai kishte vërejtur nacionalistë, turkofilë dhe grekomanë. Sipas autorit, nacionalistët dhe turkofilët kishin simpati për bullgarët, kurse grekomanët kishin qëndrim armiqësor ndaj tyre.

Në fillim Miletiqi fokusohet te popullata sllave në Maqedoni, të cilën e quan bullgare. Ajo, sipas tij, fliste bullgarisht dhe jo serbisht. Të kundërtën e pretendonin autoritetet serbe. Ndërmjet autoriteteve bullgare dhe serbe përherë ka pasur përplasje rreth Maqedonisë dhe maqedonasve. Propaganda serbe, në këtë kohë, ishte e fuqishme në Maqedoni. Për shkak të terrorit që kishin bërë, serbët e kishin humbur simpatinë te të rinjtë sllavë, të cilët, sipas autorit, prireshin drejt idesë bullgare.

Në Pollog autori kishte parë një gjendje të rënduar ekonomike të popullatës bullgare dhe shqiptare. Shumë gra dhe fëmijë vuanin nga uria. Ndihmat që vinin prej jashtë keqpërdoreshin nga autoritetet vendore. Një spahi nga Tetova, i quajtur Osman Haxhi Bexheti, kishte siguruar nga Komiteti i Sofjes dy vagonë drithë për vendësit “torbeshë” në fshatrat Urviç dhe Jellovjan. Kur drithi arriti në Shkup, gjysma e sasisë u shit për 10 groshë okën, në bashkëpunim me autoritetet vendore.

Miletiqi nuk i shihte me sy të mirë feudalët shqiptarë të Tetovës. Kullat e bejlerëve në Shkup, Tetovë dhe Dibër, sipas tij, dëshmonin padrejtësinë e feudalëve shqiptarë kundrejt popullatës bullgare: “Vrasjet e bëra nga shqiptarët në Kërçovë dhe Tetovë dëshmojnë se ne do të përballemi me procesin shqiptar, që t’i qetësojmë rebelët shqiptarë”. Miletiqi ishte i bindur se autoritetet bullgare, pas kryerjes së procesit agrar në Maqedoni, do të përballeshin me shqiptarët, veçanërisht me bejlerët që, sipas tij, i zotëronin vendet më të pasura, “kurse banorët e shumë katundeve bullgare i trajtonin si robër të çifligjeve të tyre”: “Njeriu dëshpërohet kur sheh se si në fushën pjellore të Tetovës bullgarët janë argatë të bejlerëve.. ”., shkruan ai.

Në Tetovë ai shkruan se kishte parë “kulla” shqiptarësh, sikurse e Haki pashës, Abdurahman beut, Rexhep pashës dhe Sadik beut, që i ngjanin si kështjella mesjetare, me porta të mëdha dhe me mure të larta, kurse në pjesën bullgare kishte shtëpi të vogla dhe gati pa oborre.

Miletiqi mendonte se “për shkak të pranisë së fuqishme të elementit shqiptar në kufijtë e Bullgarisë”, shteti bullgar duhej të interesohej për procesin shqiptar, prandaj, sikurse shkruan, kishte mbledhur shumë informacione nga shqiptarët dhe bullgarët që e njihnin gjuhën shqipe.

Në Maqedoni dhe Shqipëri ai kishte parë shumë grekomanë të maskuar, veçanërisht në disa katunde të krishtera të Pogradecit. Ai besonte se këta grekomanë shumë shpejt mund të bëheshin bullgarofilë. Në mesin e grekomanëve kishte edhe shumë vllahë. “Shqiptarët e tjerë, që jetojnë në perëndim të liqenit të Ohrit, në veri të Golo Brdos dhe Dibrës, janë me osmanlinjtë, por të renditur shumë mirë kundrejt bullgarëve. Në perëndim të Pogradecit, në katundin vlleh Lin dhe në veri të Strugës, ka tre katunde vllahe: katundi Belicë, Belicë e Epërme dhe Belicë e Poshtme, që kanë prirje të theksuar grekomane. Edhe në katundet vllahe të Manastirit, në qytetin e Manastirit dhe të Krushevës, vllahët janë të ndarë. Përveç grekomanëve, ka edhe vllahë me vetëdije kombëtare rumune. Vllehtë nacionalistë, në qytetet e përmendura, janë shumë të dobët. Grekomania është shumë e fuqishme te vllehtë e Krushevës, të cilët, deri në luftën e vitit 1912, e përkrahën hapur Klubin grek në Krushevë, që ishte më përgjegjësi për krimet e tmerrshme dhe për vrasjet e patriotëve bullgarë. Në Tetovë ka pak vlleh nacionalistë, në Kërçovë ka deri 30 familje vllahe, që dikur ishin grekomanë”, shkruan Miletiq.

Në Shqipërinë qendrore kishte vërejtur një element turkofil shumë kompakt, i cili nuk e pranonte idenë për një Shqipëri të pavarur. Ky element, sipas tij, ishte shkaktari kryesor që Shqipëria nuk arrinte të bënte një jetë të pavarur. Shumë turkofilë, sipas autorit, punonin për një bashkim me Turqinë. Në Epirin jugor thotë se kishte prani të madhe grekofilësh. Ndër shqiptarë kishte edhe shumë nacionalistë, kurse dy qendrat kryesore në Shqipëri ishin Shkodra dhe Korça: “Dy janë qendrat e nacionalistëve shqiptarë: Shkodra në veri dhe Korça në jug. Në Shqipërinë e Veriut ka shumë nacionalistë të përkushtuar, por vetëm nëpër qytete, kurse në Epir ka nacionalistë edhe nëpër katunde. Në pjesën qendrore janë qendrat turkofile, sikurse: Elbasani dhe Tirana. Te nacionalistët veriorë bëjnë pjesë jo vetëm shqiptarët katolikë, por edhe ata myslimanë nga Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Dibra. Në Shqipërinë veriore ka vetëdije më të theksuar kombëtare. Këtu veprojnë dy lëvizjet revolucionare të shqiptarëve: kryengritësit e Dibrës dhe të Malësorëve. Shqiptarët veriorë kanë krijuar një jetë të përbashkët kombëtare, prandaj shqiptarët nga Prishtina, Prizreni, Gjakova, deri-diku edhe Dibra, janë të shpërndarë nëpër lëvizje të ndryshme shtetërore”.

Studiuesi bullgar shkruan se “katolikët shqiptarë janë nacionalistë të mirë… Princ Doda në Shkodër ishte një katolik, nacionalist i mirë, njëkohësisht edhe austrofil. Të tillë ishin edhe Asan beu (Hasan Prishtina – shënim yni) në Prishtinë dhe Nexhat bej Draga, që jetonte në Shkup dhe që kishte shumë ndikim në Prizren. Në Shkodër nacionalistët e kishin edhe klubin e vet kombëtar. “Guvernatori i tanishëm austriak në Shqipëri, Krali, është i detyruar të presë që ata ta dëshmojnë veten për pavarësinë e Shqipërisë”, shkruan Miletiqi.

Te shqiptarët e jugut ose tek epirotët, siç quhen prej autorit, kishte shkallë më të lartë të vetëdijes kombëtare, sepse “masa popullore ishte shumë më e arsimuar”: “Shkolla e parë shqipe është hapur para 30 vjetësh në Korçë, para se të miratohej alfabeti latin me të cilin shërbehen shqiptarët e krishterë në Epir, të cilët janë shumicë. Ata jetojnë shumë mirë me shqiptarët muhamedanë”.

Autori flet edhe për zhvillimet kulturore te shqiptarët: “Shkrimtarët më të mirë të kombit janë nga Epiri sikurse, për shembull, Sami Frashëri, një emër në letërsinë turke, shkrimtar dhe autor i një fjalori turqisht – frëngjisht. Ai kishte shkruar për Shqipërinë një broshurë në gjuhën shqipe dhe turke që ta zgjonte vetëdijen kombëtare. Libri ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’ ka shumë rëndësi për shqiptarët dhe për ne… Vëllai i tij, Naim Frashëri (i vdekur), është poeti më i mirë shqiptar. Djali i tij, Mid’hat bej Frashëri, (në fakt është djali i Abdyl Frashërit – shënim yni), ka qenë redaktor në ‘Independance albanaise’ në Sofje. Ka botuar broshura me përmbajtje politike. Në broshurën ‘La question albanaise’ (e botuar në Sofje), flet për procesin epirot në Konferencën e Londrës. Ai është publicisti më i mirë shqiptar dhe njihet me pseudonimin “Lumo Skendo”. Vëllai i tretë, Abdyl bej Frashëri (ka vdekur), ishte publicist, agjitator dhe veprimtar shoqëror… Njëpublicist i shquar shqiptar prej Epiri është edhe Faik bej Konica, që ka studiuar në Oksford. Ai ka botuar në anglisht revistën ‘Albania ’, së pari në Bruksel, pastaj në Londër. Tani jeton në Stamboll. Nga Korça është edhe dr. Turtuli, i cili e boton në Lozanë revistën ‘Albania’ dhe zhvillonpolemika me armiqtë e Shqipërisë në ‘Journal de Geneve’, ‘Gazette de Lausanne’ etj”.

Njeriu më i rëndësishëm në gjithë Epirin, veçanërisht në Vlorë, sipas Miletiqit, ishte shqiptari Pandeli Cali, prefekt i dikurshëm i Korçës, që kishte jetuar shumë kohë në Bukuresht. Ai përshkruhet si intelektual me “arsimim dhe kulturë të madhe””.

Në këtë rajon si te nacionalistët e krishterë edhe tek ata myslimanë kishte ndjenjë të theksuar anti – greke, prej se Patrikana greke kishte penguar hapjen e shkollave shqipe. “Epiri dhe Korça kishin vuajtur shumë nga andartët grekë (1913 -1914)”. Korça ishte sulmuar dhe grabitur, kurse katundet ishin djegur, prandaj shqiptarët epirotas vepronin kundër grekëve. Në Epir shqiptarët i kishin edhe njerëzit e armatosur. Në Korçë ishin botuar gazeta në gjuhën shqipe, por prej se aty sundonin grekët nuk botohej asgjë në gjuhën shqipe. “Grekët duan t’i greqizojnë shqiptarët”. Të krishterët shqiptarë rekrutoheshin, kurse fëmijët e tyre detyroheshin të mësonin në shkolla greke: “Në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet dhe Himarë ka shumë shqiptarë inteligjentë, në mesin e të cilëve shumë mjekë – të gjithë nacionalistë të mirë. Të gjithë shqiptarët myslimanë në Epirin e pushtuar nga grekët janë nacionalistë, kurse shqiptarët e krishterë, në rajonin jugor të Epirit, të gjithë janë grekomanë. Prej tyre ka një numër të vogël në rajonin e Ohrit – në Pogradec… Në Epirin verior, në kufirin që përfshin Beratin dhe Fierin, nuk ka shqiptarë grekomanë, as turkofilë – të gjithë janë nacionalistë. Kanë prijës shumë inteligjentë nga Epiri Jugor. Në Berat më inteligjenti është Islam bej Vrioni. Ai flet frëngjishten, është njeriu më i kulturuar dhe deri tani miku ynë më i madh. Bejlerët në Epirin Verior nuk kanë shumë ndikim, sikurse në Shqipërinë veriore dhe të mesme dhe nuk ndahen nga pjesa tjetër e inteligjencies shqiptare”.

Shqiptarët më nacionalistë, më të kulturuar dhe më të pakorruptuar, sipas autorit, ishin në viset e Epirit të okupuar nga grekët, deri në lumin Shkumbin. Aty nuk ndihej as propaganda e huaj. Vlora nuk ndryshonte prej viseve të lartpërmendura, kurse njeriu më me ndikim ishte Ismail Qemal beu, i cili më 1912 e kishte shpallur në Vlorë pavarësinë e Shqipërisë. Në rrethin e tij kishte nacionalistë të mirë: “Ismail Kemal beu e kaloi jetën në Turqi, pranë Kemal pashës, ku u shqua si liberal me ndikim, anglofil dhe një nga diplomatët më të mirë të Turqisë”.

Ismail Qemali përshkruhet si “mik i vjetër i grekëve”, i cili, deri te procesi i Patrikanës, më 1870, i kishte përkrahur grekët kundër bullgarëve.

Autori shkruan se Ismail Qemali jetonte në Paris dhe kishte më shumë se 80 vjet. Kishte shumë miq me ndikim në Kalabri, kurse ideali i tij ishte Shqipëria e pavarur. Pasi Italia e kishte dëbuar nga Vlora, prestigji i tij kishte rënë. Në Epir ai nuk gëzonte respekt, sepse ishte mik i grekëve.

Në Shqipërinë e mesme, me qendrat Elbasanin, Tiranën dhe Durrësin, shumica e shqiptarëve ishin myslimanë dhe kishte pak të krishterë. Gjuha e folur e Elbasanit ishte pranuar si gjuhë letrare, por këtu, sipas autorit, nuk kishte ndjenjë të theksuar kombëtare: “Nacionalistë të mençur dhe inteligjentë mund të hasen vetëm në Elbasan, në Durrës dhe në 5 – 6 shtëpi të Tiranës. Popullata e katundeve është e gjitha turkofile. Nuk është e rastësishme se këtu shpërtheu kryengritja kundër princ Vidit. Vetëm bejlerët e mëdhenj të Shqipërisë së mesme janë nacionalistë, kurse bejlerët e vegjël dhe popullata e katundeve janë turkofilë dhe pa vetëdije kombëtare. Ata nuk kanë shkolla, as xhami, as hoxhallarë; vetëm e dinë atë që ua kanë thënë: se sipas fesë ishin turq “osmanlinj” dhe nëse do të qeveriseshin nga evropianët, atëherë kjo do ta dëmtonte fenë e tyre. Ata janë konservatorë, fanatikë. Prej në fillim ishin kundër Esad Pashës dhe kundër të gjithë shqiptarëve muhamedanë – zyrtarë të princ Vidit, vetëm pse Vidi ishte i krishterë, vetëm pse alfabetiqëka hyrë në përdorim zyrtar është ai latin”.

Bejlerët e mëdhenj të Shqipërisë së mesme e kishin përkrahur princ Vidin, sepse ishin nacionalistë: “Udhëheqësit e lëvizjes shqiptare kundër Vidit nuk ishin bejlerët, por myftinjtë, hoxhallarët, eprorët e dikurshëm turq dhe të gjithë aventuristët që kishin ardhur nga Stambolli… Haxhi Qamili, i pari që u rebelua në Elbasan dhe e dogji shtëpinë e Aqif Pashës, ministër i Vidit dhe shtëpitë e Esadit në Tiranë, është një nëpunës i thjeshtë turk, fanatik, që kohë më parë kishte ardhur nga Stambolli. Ai është me origjinë nga Elbasani. Ishte udhëheqës i turkofilëve. Esat Pasha e vari Haxhi Qamilin në Elbasan dhe vrau shumë aventuristë turkofilë, por mëpas mori anën e turkofilëve dhe me ndihmën e tyre e dëboiprinc Vidin”.

Esad Pasha përshkruhet nga Miletiqi si njen i sulltanit, që e kishte shpallur turqishten si gjuhë zyrtare. Ai kishte mbledhur në Dibër disa mijëra shqiptarë turkomanë dhe “i shitej Serbisë e Italisë nëse i jepninpara”. Esad Pasha harxhonte brenda muajit 60 mijë lira. Në Shqipërinë e mesme askush nuk mund ta kontrollonte. Bejlerët e mëdhenj të Shqipërisë së Mesme, që e kishin kundërshtuar Esat Pashën, ishin detyruar të iknin në Zvicër për shkak të frikës së internimit. Në mesin e tyre ishin edhe Abdi beu dhe Fazil Pasha, të dy nga Tirana: “Rebelët, siç quheshin kryengritësit turkofilë kundërprinc Vidit dhe përkrahës të Esad Pashës, vetëquhen ‘osmanlinj’. Nëse i pyet se çfarë janë, ata do të përgjigjen: ‘Ne jemi osmanlinj’… Kur në Elbasan dhe në Tiranë filloi kryengritja kundër Vidit, në muajin maj të vitit 1914, Osman Çoshi nga Çermenika (mbi Shkumbin), Azis Efendiu nga Pogradeci, Etem beu nga katundi Starovë i Pogradecit dhe Muharemi nga katundi Odunicë (Pogradec) e organizuan popullatën shqiptare që t’i grabiste shtëpitë e nacionalistëve në Pogradec dhe në rajonin përreth Korçës”. Gjatë këtyre sulmeve kishin pësuar edhe eprorët holandezë që nuk i duronte as Esad Pasha. Nacionalistët korçarë ishin sulmuar në njërën anë prej “osmanlinjve”, në anë tjetër prej andartëve grekë, që e kishin pushtuar Korçën dhe e mbanin nën okupim. “Osmanlinjtë”, sipas autorit, i ishin drejtuar Beratit dhe Fierit. Ata kishin grabitur dhe djegur katundet e nacionalistëve shqiptarë. Kur kishte filluar Lufta e Madhe, atëherë Esad pasha kishte qenë në shërbim të Portës dhe Serbisë.

Tirana ishte nën kontrollin e lëvizjes nacionaliste shqiptare, që udhëhiqej nga Murad bej Toptani, të cilin austriakët e kishin graduar si nëntoger. Ai kishte marrë pjesë edhe në rrethimin e Durrësit. Ahmet beu nga Mati kishte arritur me dy mijë luftëtarët e vet para marrjes së Elbasanit. Autoritetet bullgare në Elbasan ua kishin dorëzuar qeverisjen nacionalistëve shqiptarë, sikurse vepruan edhe austriakët. “Osmanlinjtë” nuk kishin reaguar. Si duket ishin pajtuar me gjendjen e krijuar. Ata i frikësoheshin hakmarrjes së nacionalistëve shqiptarë dhe preferonin një administratë bullgare dhe austriake në Elbasan.

Shqiptarët gegë dhe myslimanë të Dibrës përshkruhen si qytetarë me vetëdije kombëtare, por edhe me “instinkte të liga rebele”. Esad Pashën e kishin përkrahur, kryesisht, shqiptarët e Tiranës. Dibranët, sipas autorit, ishin më të komplikuar, më përfaqësues dhe më të guximshëm, prandaj ishin pjesë e gardës së princ Vidit. Dibranët ishin ngritur kundër serbëve posa Dibra, “qyteti më i pasur shqiptar”, ishte plaçkitur nga ushtria serbe: “Dibranët, që kishin prirje t’u bënin keq bullgarëve, filluan të na shihnin me sy tjetër – të na përkrahnin sapo u ndodhën përballë kësaj katastrofe”.

Shumë nacionaliste të shquar dibranë ishin vrarë prej serbëve, kurse të tjerët kishin emigruar në Perëndim që t’i shpëtonin hakmarrjes serbe: “Shumica e nacionalistëve të Dibrës janë të sektit bektashinj dhe luten në teqe. Në Dibër ka nacionaliste shqiptarë, të cilët punojnë për një Shqipëri të pavarur, edhe sikur të udhëhiqet prej një mbreti të krishterë. Ata janë të shumtë, si: Hafëz Sherifi, Shukri beu, Qamil Daci”.

Nga Dibra ishte edhe beu bullgarofil, Malik beu nga Korisha, i cili e kishte mbrojtur popullatën sllave nga sulmet serbe: “Kur Serbia e bleu Arif beun, që qeveriste katundet jugore në Drin (Spas, Okoshi) dhe e tërhoqi në anën e saj, në Shkup, atëherë Malik beu iu kundërvu atij, i fshehu bullgarët dhe i mbrojti”.

Nacionalistëve shqiptarë në Dibër u mungonte një udhëheqës i shquar. Basri beu, një njeri i afërm me Bajram Currin, kishte ikur në Stamboll. Aty vepronte Ahmet beu. Kur ushtria bullgare qe nisur drejt Elbasanit, Ahmet beu, i familjes Zogolli, që qeveriste Matin, i kishte armatosur njerëzit e fisit të vet dhe me dy mijë vullnetarë qe nisur në drejtim të Elbasanit. Ai luftonte për një Shqipëri të pavarur. Ahmet beu e kishte marrë jugun e Elbasanit: Peqinin, Lushnjën, Beratin, Fierin dhe Gramshin përpara se të arrinin austriakët. Atje kishte krijuar një administratë dhe një postë. Njerëzit e tij, për disa muaj, e kishin mbrojtur kufirin në Fier: “Deri atëherë ai ishte një nacionalist i mirë”. “Autoritetet tona ushtarake u dhanë mundësi politikanëve, miqve nacionalistë, që ta thërrisnin Kongresin Shqiptar në Elbasan. Kur në Kongres filluan të vinin delegatët prej qyteteve të ndryshme shqiptare: nga Manastiri, Pogradeci, Dibra, Berati, Kavaja, Fieri, atëherë austriakët ishin bindur se nacionalistët e kishin seriozisht krijimin e Shqipërisë së pavarur”, prandaj “e dënuan Kongresin, me arsyetimin se do të plaste kolera”.

Ky veprim i austriakëve kishte shkaktuar përçarje ndërmjet nacionalistëve shqiptarë. Lef Nosi, ministër në Qeverinë e Vlorës, Ismail bej Vrioni, Shasivar beu dhe Masar beu, të dy nga Kavaja, e kishin kundërshtuar Austrinë, madje e kishin parë me sy të keq. Ata kishin frikë nga një robërim i ri shumëshekullor nën Austri. Pala tjetër nacionaliste, në krye me Ahmet beun dhe Aqif Pashën, një ish-ministër me origjinë nga Elbasani, që kishte vuajtur nga pushteti osman, nuk hiqte dorë nga pavarësia e Shqipërisë, por mendonte se duhej bashkëpunim edhe me austriakët. Ky fraksion shihej si vegël e Austrisë dhe si i rrezikshëm për idealet shqiptare: “Nacionalistët, të pakënaqur me Austrinë, kanë shpresë vetëm te Bullgaria. Kur autoritetet tona ushtarake u tërhoqën prej Elbasanit, shqiptarët e kuptuan se austriakët do të ngelnin aty, prandaj i lutën tanët mos t’i linin vetëm, por të linin ndonjë njeri nëBerat dhe në vendet e tjerapër t’i ruajtur lidhjet me ne”, shkruan autori.

Qëndrimin dashamirës ndaj Bullgarisë, shkruan autori, e kishte parë edhe në Dibër. Para ofensivës bullgare të 16 gushtit të atij viti, prijësit shqiptarë ishin frikësuar nga një humbje e Bullgarisë, prandaj ishin zotuar se, nëse e lypte nevoja, edhe do të vriteshin për Bullgarinë.

Nacionalistët shqiptarë, në përgjithësi, ishin të një mendimi: në rast se Shqipëria do të mbetej nën pushtetin austriak, ajo duhej të ishte një Shqipëri e Tërë, që do ta përfshinte Dibrën, Prishtinën dhe Prizrenin. Ata, për hir të kombit, ishin afruar edhe me austriakët, ndërkaq “osmanlinjtë nga Shqipëria e mesme ishin indiferentë” kundrejt lëvizjes nacionaliste shqiptare. “Osmanlinjtë” nuk dëshironin ta nxisnin hakmarrjen e nacionalistëve prandaj, sipas autorit, mendonin se nëse nuk do të arrihej krijimi i një Shqipërie turkofile, atëherë do të ishte më mirë të qeverisej nga Bullgaria: “Pavarësisht se si do të zhvillohet procesi shqiptar, për ne është me shumë vlerë simpatia e ‘osmanlinjve ’ shqiptarë. Ata shohin tek ne një shtet gjysmë turk dhe kanë besim në tolerancën tonë fetare. Ata e vlerësojnë ‘kulturën ballkanike’, të afërt dhe fqinjësore, si dhe ndihen më mirë në shoqëri me ne”, shkruan Miletiqi.

Simpatitë e nacionalistëve shqiptarë ndaj Bullgarisë, qoftë në veri ose në jug të vendit, sipas autorit, do të ishin të përkohshme nëse bullgarët nuk do t’i ndihmonin për realizimin e idealeve të tyre. Miletiqi kërkonte nga autoritetet bullgare t’i përkrahnin masat popullore në Shqipërinë e mesme, duke u dërguar ushqim të lirë, në një kohë kur mbizotëronte kriza e madhe. Kështu shqiptarët do të ishin përkrah Bullgarisë. Edhe pa këtë ndihmë, si te nacionalistët, si te “osmanlinjtë”, kishte një përshtypje të mirë ndaj Bullgarisë, prandaj autori e porosit shtetin bullgar ta lexonte me mençuri këtë ndjeshmëri madje, nëse e kërkonte nevoja, të merrte pjesë në luftën e shqiptarëve për arritjen e aspiratave të tyre. /Revista “Akademia”/

1 npop. AmSoMup MuAemm, “Abmememeue U3 MaKedoHud’, në: Hayrna eKcned^rn e MaKedomx u noMopaeuemo, Sofje, 1916. Dorëshkrimi origjinal gjendjet në: ^BA B. TtpHOBo, q>. 40, on.

[2] a.e. 986, a. 144 – 155. Cb^oto y UAHA, q>. 177, on. I, a.e. 519, a. 3-17