Shqipëri, rritet ekonomia me 1.6%

Siç ka ndodhur në vitet e shkuara, rritja e deritanishme konfirmon akoma më shumë se parashikimet e institucioneve të huaja po rezultojnë tepër pesimiste, ndërsa ato të qeverisë tepër optimiste. Rritja ekonomike është ndjeshëm më e lartë se prognozat prej 0.5 për qind apo 0.8 për qind të FMN dhe Bankës Botërore, por është sa gjysma se parashikimi më i fundit prej 3 për qind e ministrit shqiptar të Financave.
Ecuria e tremujorit të fundit, duket e vështirë që secili prej këtyre parashikimeve të përmbushet. Kështu, për të arritur një rritje vjetore 3 për qind, do të duhet që ekonomia në tremujorin e fundit 2012 të rritet me më shumë se 7 për qind. Ndërsa për të përmbushur parashikimin prej 0.5 për qind të FMN tremujori i fundit duhet të rezultojë me rënie më shumë se 2.5 për qind.
Ecuria e rritjes ekonomike po i jep më shumë të drejtë parashikimit të mesëm të Bankës së Shqipërisë, që pret një rritje ekonomike vjetore rreth 2 për qind. Për sa i takon sektorëve, performancën më të lartë për 9-mujorin e vitit 2012 e ka shfaqur post-komunikacionet, me një rritje vjetore 10.5 për qind, ndërsa ritme rritjeje më të larat se mesatarja e ekonomisë kanë arritur edhe bujqësia me 5.5 për qind dhe Tregtia me 4 për qind. Sektorët më në vështirësi konfirmohen ndërtimi, me një rënie të prodhimit në masën 17.1 për qind dhe Transporti, me një rënie 10.4 për qind. /Telegrafi/


















































