LAJMI I FUNDIT:

Shpresa e bizneseve te Ligji për rimëkëmbje ekonomike, këto janë përfitimet

Shpresa e bizneseve te Ligji për rimëkëmbje ekonomike, këto janë përfitimet

Bashkim Osmani, pronar i kompanisë “Laberion”, që merret me prodhimin e lëngjeve në Kosovë, thotë se miratimi i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, edhe pse shumë i vonuar, pritet të ndihmojë në rimëkëmbjen e bizneseve që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga coronavirusi.

Kompania “Laberion”, për shkak të masave kufizuese për parandalimin e pandemisë, ka zvogëluar kapacitetet prodhues për 20 për qind, por që nuk ka larguar asnjë punëtorë nga puna.

Me përfitimet eventuale nga Ligji për rimëkëmbje ekonomike, Osmani thotë se do kujdeset për kushtet dhe pagat e punëtorëve. Numri i punëtorëve të rregullt në këtë kompani është 76, kurse 70 të tjerë punojnë gjatë sezonit të verës.

“Për mua punëtorët e kanë rolin kryesor dhe jo kompanitë. Unë prioritet apo kujdes të veçantë i kam punëtorët, mundohem që të krijoj favore, benificione në mënyrë që t’i motivoj për punë. Kështu që miratimi i projektligjit do më ndihmoj në këtë aspekt”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka arritur të votohet të premten në Kuvendin e Kosovës, pas propozimit të disa amendamenteve nga Partia Demokratike e Kosovës, si kusht për të votuar projektligjin, me të cilat janë arritur votat e nevojshme për miratim.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se rreth 600 milionë euro arrin vlera financiare e këtij projektligji, me të cilën shumë do të përkrahen bizneset dhe qytetarët.

Cilat do të jenë përfitimet?

Një ndër propozimet e reja në kuadër të projektligjit është themelimi i një granti prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. Këto mjete janë në kuadër të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Këto mjete do t’iu shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një komisioni të posaçëm, i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij ligji, të gjithë punëtorët që kanë humbur vendin e punës për shkak të ndikimit të pandemisë do të paguhen nga Qeveria e Kosovës me nga 300 euro për periudhën tetor-dhjetor 2020.

Edhe kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sipas projektligjit, deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga kontributpaguesi, Qeveria e Kosovës do ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme.

Ligji ka paraparë që lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore në Kosovë, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit, të lirohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Përveç këtyre, në këtë projektligj, parashihet që Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) të autorizohet që të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind.

Po ashtu, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa të bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.

Rukiqi: Këto mjete lehtësojnë gjendjen financiare të bizneseve

Bashkim Osmani nga kompania “Laberion” thotë se ndihma financiare e qeverisë për bizneset prapë kthehet te qeveria.

“Çfarëdo ndihme për bizneset është e mirëseardhur për shkak se ato në mënyrë indirekte kthehen te qeveria sepse paguhen taksat, paguhen obligimet tjera. Por, duhet të jetë e menaxhuar në mënyrë adekuate dhe mënyrë profesionale”, shprehet Osmani.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi,  thotë se miratimi i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike sjell favore për bizneset dhe lehtëson gjendjen financiare të tyre, duke shtuar se në këtë projektligj janë futur edhe kërkesat e komunitetit të biznesit.

“Amendamentet e kanë pasuruar ligjin dhe janë shumë të rëndësishme për financim të bizneseve. Për këtë çështje edhe Partia Demokratike e Kosovës, edhe deputetë të pozitës që janë në Komisionin për buxhet dhe financa në Kuvendin e Kosovës, por edhe gjatë konsultimeve me qeverinë, pak a shumë kërkesat tona i kanë paraqitur në projektligj”, tha Rukiqi.

Miratimi i këtij ligji është pritur me padurim nga sektori privat, pasi që shumë biznese tashmë për një kohë të gjatë janë në vështirësi të mëdha financiare, thuhet në një komunikatë për media të Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Edhe Aleanca Kosovare e Biznesit, pas miratimit të ligjit ka thënë se “kjo është mbështetja më e madhe për të ngritur mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Komuniteti i biznesit kërkon sa më shpejtë të fillojë zbatimi i ligjit, duke mos humbur më kohë, pasi sipas tyre, kjo po i kushton mjaft shumë bizneseve të vendit.

Kur mund të hyjë në fuqi Ligji për rimëkëmbje ekonomike?

Sipas Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ligji i miratuar nga kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga presidenti i Republikës së Kosovës tetë ditë pasi të ketë marrë ligjin. Nëse presidenti gjatë kësaj periudhe nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e presidentit dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, në vetë ligjin nuk përcaktohet ndryshe. /rel/Telegarfi/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Afër detit, afër mbretit - Mbreti i

Afër detit, afër mbretit - Mbreti i "Holiday In 2" po t'fton në fron

Edil Project
Kontratat njëburimore, Tahiri përplaset me Kusari-Lilën: Dëgjoni, mos u bëni të pasjellshëm

Kontratat njëburimore, Tahiri përplaset me Kusari-Lilën: Dëgjoni, mos u bëni të pasjellshëm

Ekonomi
Mustafa, Rrustemit: U mundove me thanë që LVV e pa korruptuar, por kryeshefi i KEK-ut që e keni emëruar u arrestua për korrupsion e kontrata njëburimore

Mustafa, Rrustemit: U mundove me thanë që LVV e pa korruptuar, por kryeshefi i KEK-ut që e keni emëruar u arrestua për korrupsion e kontrata njëburimore

Ekonomi
Kritikat për kontratat njëburimore, Aliu: Është vetëm një, nuk e kam problem hetimin

Kritikat për kontratat njëburimore, Aliu: Është vetëm një, nuk e kam problem hetimin

Ekonomi
​S’ka kuorum, dështon themelimi i Komisionit hetimor për kontratat njëburimore

​S’ka kuorum, dështon themelimi i Komisionit hetimor për kontratat njëburimore

Ekonomi
Abonohu në Shqip.ai - Zbulo pakot e reja të çmimeve

Abonohu në Shqip.ai - Zbulo pakot e reja të çmimeve

Ekonomi
Kalo në kategori