Aleanca kërkon transparencë për presidentin, Kadrijaj zbulon pse e qëlloi Kurtin me vezë

Aleanca ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që të jenë transparentë para qytetarëve për zgjedhjen e presidentit konsensual. Nga kjo parti thanë se nuk mund ta ndalojnë një marrëveshje mes dy partive, teksa shtuan se nuk do të përfshihen në ujdi përderisa nuk ka garanci për gjashtë pikat e tyre, ku përfshihet edhe kyçja në gazin amerikan.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha se LVV duhet ta konstituojë Kuvendin sa më shpejt pas përafrimeve me LDK-në për zgjedhjen e presidentit.
Ajo shtoi se e kanë biseduar me kolegët që ta shtojnë edhe një kusht, atë për zhbërjen e Ligjit për Shtetësinë, krahas gjashtë të tjerave të cilat i kanë parashtruar.
“Ne nuk mundemi me ndalë LDK-në që mos me pasë një marrëveshje politike, mirëpo të jenë transparentë me publikun dhe qytetarët. Ne nuk mundemi me pengu një marrëveshje LVV-LDK, nëse ata kanë premisat për një marrëveshje të tillë, le të vijnë në Kuvend, të konstituojnë legjislaturën e njëmbëdhjetë dhe mos të shkelin Kushtetutën dhe ta sjellin edhe presidentin.... E kemi diskutuar edhe me kolegët e Aleancës, ndoshta është mirë të shtohet edhe një kusht, që të zhbëhet Ligji për Shtetësinë e Kosovës. Është një ligj i cili po e dëmton Kosovën”, , shtoi ajo, në konferencë për media të mërkurën.
Ndërkaq, deputeti tjetër i Aleancës, Burim Ramadani, theksoi se për të qëndruar në sallë për presidentin duhet të dihet përmbajtja e marrëveshjes për të parin e vendit.
Sipas tij, nuk është me rëndësi emri për president, por përmbajtja se a do të kyçet Kosova në gazin amerikan.
“Për ne me rëndësi është çka dhe jo kush. Për ne është me rëndësi që institucionet e ardhshme të Kosovës a do të fusin Kosovën në projektin e ardhshëm të gazit. A do të krijojnë kapacitete me qymyr për energji dhe të tjera. Në secilin variant, kushdo dhe çfarëdo marrëveshje që del nga partitë e tjera, ne do të shohim çka ka në ato marrëveshje dhe jo kush janë. Aleanca mbetet në qëndrimin e njëjtë se ka qenë e para dhe e vetmja që po flet për përmbajtjen dhe jo emra”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Kadrijaj foli edhe për aksionin e saj para dy javësh, ku hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, njëherësh kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
Sipas saj, kjo nuk është arsye për mosthirrjen e seancës konstituive, pasi i gjithë aksioni ka qenë spontan dhe jo i planifikuar.
“Aksioni im ka qenë krejt spontan. Nëse atë ditë do të kishte ndodhur konstituimi i Kuvendit, nuk ka pasur gjuajtje me vezë dhe s’ka pasur skenarë dhe organizim tjetër. Ky është manipulim i LVV-së dhe kjo nuk është arsye (për mos thirrjen e seancës). Unë kam marrë një aksion simbolik me kushtin që të respektohet Kushtetuta”, deklaroi Kadrijaj.
Krahas këtyre, deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për, siç tha, “zhvatje buxhetore”, duke pretenduar se rreth 463 të emëruar politikë vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Kosovës.
Ai kërkoi nga Prokuroria të nisë hetim lidhur me pagesat për të emëruarit politikë në institucionet qeveritare gjatë periudhës së krizës institucionale.
“Të ngrisim shqetësimin dhe alarmin për zhvatje buxhetore që po i ndodh Kosovës gjatë kësaj periudhe jokushtetuese. Po flasim për gjysmë milionë euro zhvatje vetëm për pagat e militantëve të LVV-së në zyrat e qeverisë. Është e qartë se janë 463 të emëruar politikë në institucionet qeveritare, po flasim për kabinete, këshilltarë, shoferë dhe të tjerë. Këta kanë qenë të emëruar ligjërisht para zgjedhjeve të 7 qershorit, por sikurse është e qartë në Kushtetutë, në nenin 72, dhe ligjin për qeverinë, në nenin 26, ai që certifikohet dhe jep betimin si deputet nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në Qeverinë e Kosovës.
Rrjedhimisht, që atë ditë, asnjë i punësuar nga këta ministra, uzurpatorë tashmë, nuk kanë të drejtë të futen në zyrën e qeverisë. Shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të LVV-së në zyrat qeveritare është 486 mijë e 150 euro në muaj, të cilave iu shtohen mbushjet e telefonave, karburantet, reprezentacioni dhe të tjera. Kjo bën që të tejkalohet gjysmë milioni euro zhvatje të buxhetit të popullit të Kosovës... Fjalia e famshme e cila po ndodh sot është gjakderdhje financiare. Pikërisht këta që e kanë ngritur këtë fjali në publik po bëjnë gjakderdhje financiare në Kosovë”, tha ai. /Kp/




































