Shpëtimi te Shoqata

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) akuzohet vazhdimisht nga disa klube për organizim jo të mirë të kampionatit dhe për parregullsi, të cilat shihen kohë pas kohe në të. Rasti i fundit ndodhi fundjavën që shkoi, kur Hajvalia u ankua në referim dhe “sulmoi” me akuza të ashpra shtëpinë e futbollit kosovar. Kjo e fundit para pak kohësh ishte kritikuar shumë ashpër edhe nga Ferronikeli.
Për t’iu shmangur këtyre situatave, shpëtim do të ishte formimi i Shoqatës së Klubeve. Kjo e fundit do të mundë t’i merrte kompetencat e organizimit të kampionatit, siç ndodh në disa vende të botës, gjithsesi nën ombrellën e FFK-së, kurse kjo e fundit do të mundë të merrej me çështje më madhore, për shembull, siç është procesi i ndërkombëtarizimit.
Këtë ide e kishte përmendur shumë moti FC Prishtina, por që kishte hasur në vesh të shurdhër. Krijimi i formimit të Shoqatës së Klubeve, me rregull, duhet krijuar sa më parë.
“Ne si Prishtinë e shohim të domosdoshëm formimin e Shoqatës së Klubeve, e cila do ta çonte përpara futbollin kosovar. Ky do të ishte shpëtim për futbollin tonë”, deklaroi për “Zërin” nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.
“Federatës i duhet të merret me punë shumë më të mëdha, e jo me kartonë apo me probleme të brendshme të kampionatit. Kryetari Vokrri duhet të merret me ndërkombëtarizim, e jo me kampionat. Mendoj se është urgjente formimi i kësaj Shoqate”, vazhdoi ai.
“Me këtë rast, Shoqata do ta menaxhonte kampionatin, ndërsa do të formoheshin komisione të ndryshme. Shoqata do t’i parandalonte këto gjëra të pista dhe të fëlliqura që po ndodhin në Kosovë, e që nuk na çojnë askund”, vijoi Muçiqi.
Shoqata e Klubeve, më se e nevojshme
Edhe Arsim Plepolli, ish-futbollist i njohur, e sheh të nevojshëm formimin e Shoqatës së Klubeve. Trajneri i ri kosovar mendon se formimi i çfarëdo Shoqate, do të ishte i dobishëm për futbollin e këtushëm. “Nuk është e vështirë të themelohet Shoqata e Klubeve, e cila do të ishte mjaft e nevojshme. Mirëpo, duhet gjetur gjuha e përbashkët se kush ta udhëheqë këtë Shoqatë, sepse te ne, çdokush synon ta marrë fronin, diti apo s’diti, është apo nuk është për këtë punë”, thotë Plepolli për gazetën.
Ai shton se kjo Shoqatë do t’i menaxhonte gjërat dhe do ta ndihmonte Federatën në organizimin sa më të mirë të kampionatit. Përpos Shoqatës së Klubeve, ai e sheh të domosdoshëm formimin e Shoqatës së Futbollistëve, e cila do t’i mbronte këta të fundit.
Klubet dhe futbollistët janë të pambrojtur, derisa nuk kanë “kulm mbi shtëpi”. Prandaj, formimi i Shoqatës së Klubeve, por edhe të Futbollistëve, do të ishte shpëtim për ta. Klubet do të ishin më vendimmarrëse dhe do t’u minimizoheshin padrejtësitë që u bëhen, kurse futbollistët do të kishin “jetë” më të mirë, gjatë dhe pas karrierës.






















































