LAJMI I FUNDIT:

Shpërbërja e Ballkanit Perëndimor

Shpërbërja e Ballkanit Perëndimor
Ilustrim

Titulli doli nga nevoja që të identifikohen disi vendet ballkanike të cilat janë të ndërlidhura gjeografikisht e politikisht, por që nuk janë në Bashkimin Evropian. Titulli duhej të ishte politiko-gjeografik, ndaj edhe pjesa perëndimore e Ballkanit. Mirëpo, cila është lidhja politike në këtë gjeografi? Janë këto vende të cilat drejtpërsëdrejti ose tërthorazi janë të ndërlidhura me dy burime konfliktesh të mundshme për territore. Këto dy burime janë Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova. Ndërsa, një tërësi vendesh që kanë rol në këto konflikte, ose që me siguri nuk do të mund t’i anashkalonin ato, janë të gjitha nga Kroacia deri tek Maqedonia. Pra, fjala është për një emërtim që identifikon trevat që ndajnë rreziqet e sigurisë

Disa nga anëtarët burimorë të këtij rajoni ose janë larguar prej tij, në kuptimin e pjesëmarrjes në këto rreziqe të sigurisë, ose po derdhin mund që të largohen. Kjo para së gjithash vlen për Maqedoninë e Veriut dhe për Malin e Zi, pa marrë parasysh faktin se, si duket, autori i emërtimit – Bashkimi Evropian – këtë nuk po e vëren sa duhet.


Është interesant edhe rasti i Kroacisë e cila nuk bën më pjesë në këtë shoqëri, sepse reshti të përfshihet midis vendeve të Ballkanit Perëndimor pasi u bë anëtare e Bashkimit Evropian. Natyrisht, si dhe disa vende të tjera, vazhdon t’i përkasë Evropës Juglindore që në fakt është emri i dytë për Ballkanin (ndonëse herë-herë këtu numërohet edhe Moldavia për arsye politike e jo gjeografike). Kroacia nuk ishte e lumtur për renditjen në mesin e vendeve ballkanike, ndaj ky emërtimi i dytë është në përputhje me këtë.

Mirëpo, tani duket sikur Kroacia po kthehet në Ballkanin Perëndimor. Këtu tani qëndron edhe kuptimi i emërtimit për shkak të leverdisë. Fjala është për identifikimin e rreziqeve të caktuara për sigurinë e vendeve ose, në rastin konkret, të të gjithë rajonit. Llogaritej se Kroacia, pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të hiqte dorë nga lojërat ballkano-perëndimore të sigurisë, por duket se kjo më nuk është rast. Në të vërtetë, edhe një vend tjetër ballkanik, që në fakt nuk u radhit ndër vendet e Ballkanit Perëndimor – e kjo është Sllovenia – po ashtu po bën çmos për t’u përfshirë në këtë burim rajonal të pasigurisë. Këtu, u mor vesh, është edhe Turqia e cila nuk ndodhet në perëndim të Ballkanit, por sikur të ketë territor edhe në Ballkan, është vend ballkanik që është tejet aktiv në botën osmane. Interesim për këtë po shfaq edhe Hungaria, saktësisht shefi i saj i shtetit.

Gjithë kjo është një zhvillim i pavolitshëm i politikës ballkanike që ua bën gati të pamundur vendeve të cilat dëshirojnë të përjashtohen disi nga gjithë kjo gamë e papërgjegjshme problemesh, përkatësisht sjelljesh, ashiqare të leverdishme për politikanët. Mirëpo, sikurse qëndrojnë punët, numri i pjesëmarrësve të interesuar për përkeqësimin e sigurisë në Ballkan vetëm se ka për t’u rritur.

Këtu do të doja të bëj një digresion. Para disa dekadash, Maria Todorova botoi librin Imagining the Balkans me qëllim të thyerjes së paragjykimeve për Ballkanin. Ajo në masën më të madhe mbështetet në përvojën ballkanike që vetvetiu është interesante, por kjo këtu nuk ka rëndësi. Ideja e librit është që të dëshmohet se Perëndimi nuk e kupton Ballkanin, sikurse para saj Eduard Saidi tregoi se nuk e kupton Lindjen e Afërme. Nuk është puna për gjithë atë për çka perëndimorët kujtojnë se është fjala. Në fakt edhe nuk është. Edhe paragjykimet janë të vërteta dhe nuk është se janë pa pasoja për Ballkanin, por edhe për Evropën.

Veçmas do të duhej të jetë e pavërtetë se Ballkani anon shpërbërjen në konfliktet e pazgjidhura. Se nuk anon ballkanizimin. Të paktën jo shumë më shumë se e gjithë Evropa – të ndalemi tek kjo. Problemi fatkeqësisht qëndron se pikërisht tani po zhvillohet episodi i ri i ballkanizimit dhe po rritet rreziku i konflikteve të reja ku nuk përjashtohen as ato të armatosurat. Kjo po ngjet në kohën kur disi po ruhet ende integrimi i Evropës, ndonëse sprovat nuk janë të pakta.

Vetëm kur të rritet numri i të interesuarve për t’u përfshirë në ballkanizim do të ketë gjithnjë e më pak kuptim të flitet për Ballkanin Perëndimor. Emërtimi kishte për qëllim të identifikojë dhe njëkohësisht të kufizojë zonën ku rreziqet për sigurinë burojnë njëkohësisht në të, por edhe janë të kufizuara, po ashtu në të. Meqenëse aktualisht kjo po bëhet përherë e më pak e vërtetë dhe po rritet numri i atyre që do të dëshironin të përfshihen në konteste që po ashpërsohen, mund të thuhet se Ballkani Perëndimor është shpërbërë ose se është në proces të shpërbërjes.

Dhe, me të vërtetë, nuk është fjala për diçka për çka Ballkani është specifik, por mënyra se si po zhvillohet kjo – është tipike ballkanike. /Pescanik/KDPolitik/