LAJMI I FUNDIT:

Shpenzimet e ministrave me vetura zyrtare (Video)

Shpenzimet e ministrave me vetura zyrtare (Video)

Shpenzimet e parasë publike për derivate të veturave zyrtare janë kritikuar në vazhdimësi nga monitoruesit dhe shoqëria civile, pasi që këto shpenzime shpeshherë janë tejkaluar. Ka pasur raste kur veturat “3Z” e “4Z” janë parë edhe nëpër vende bregdetare madje edhe jashtë orarit zyrtarë të punës.

Telegrafi do të sjellë shpenzimet për derivate me vetura zyrtare për disa ministra të Qeverisë së Kosovës.


Në mesin e ministrave që kanë shpenzuar më së shumti në periudhën shtator 2017-janar 2018, është ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, i cili për derivate të naftës me veturë zyrtare ka shpenzuar mbi 1870 euro.

“Në shtator ka shpenzuar 560 litra në vlerë prej 554.40 euro, në tetor ka shpenzuar 460 litra në vlerë prej 450.80 euro, në nëntor ka shpenzuar 309.52 litra në vlerë prej 318.80 euro, në dhjetor ka shpenzuar 364.39 litra derivate në shumë prej 375.32 euro kurse në janar ka shpenzuar 165.09 litra në vlerë prej 173.34 eurove”, kanë thënë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për Telegrafin.

Në total ministri Reçica ka shpenzuar 1859 litra derivate në vlerë prej 1872.66 euro.

Por në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë sqaruar se shpenzimet e derivateve janë nga dy veturat që i ka në shfrytëzim zyra e ministrit, por që shfrytëzohen edhe nga këshilltarët e ministrit Reçica.

“Ju informojmë se këto janë shpenzime të derivateve nga dy veturat që ka në shfrytëzim zyra e ministrit dhe ato dy vetura shfrytëzohen edhe prej 6 këshilltarëve të ministrit të cilët nuk kanë vetura të tjera në shfrytëzim dhe shfrytëzojnë këto dy vetura për kryerjen e obligimeve në kuadër të angazhimeve të tyre në MPMS”, thuhet në sqarimin e kabinetit të ministrit.

Kurse ministri që udhëheqë Ministrinë e Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha ka shpenzuar për karburante të veturës zyrtare më shumë se 1600 euro.

“Ministri Berisha ka shpenzuar në shtator 300 euro, në tetor 300 euro, po ashtu edhe në nëntor ka shpenzuar 300 euro për derivate, në dhjetor ka shpenzuar 400 euro. Ndërsa në janar të vitit 2018, ka shpenzuar 330 euro për derivate em veturë zyrtare”, kanë thënë në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, pas kërkesës së Telegrafit për qasje në dokumente publike.

Pra në total për derivate të naftës ministri Rrustem Berisha ka shpenzuar 1630 euro.

E ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i cili vijë nga Prizreni, për katër muaj si ministër me veturë zyrtare ka shpenzuar mbi 1500 euro.

“Në tetor ministri Gashi ka shpenzuar për derivate 342, në nëntor ka shpenzuar 468 në dhjetor 320 dhe në janar të vitit 2018 ka shpenzuar 372, pra në total ka shpenzuar për derivate të naftës me veturë zyrtare 1502 euro”, kanë thënë në Ministrinë e Kulturës, Rinës dhe Sportit.

Ndërkaq, ministri i Financave, Bedri Hamza i cili menaxhon me kuletën e shtetit ka shpenzuar për derivate me veturë zyrtare rreth 1450 euro.

“Në shtator ka shpenzuar 278.02, në tetor ka shpenzuar 226, në nëntor ka shpenzuar 259.04, në dhjetor ka shpenzuar 238.02, në janar të vitit 2018 ka shpenzuar 178.01 dhe ën shkurt ka shpenzuar 267.01. Pra në total ministri Bedri Hamza për derivate të veturës zyrtare nga shtatori 2017 e deri më 28 shkurt 2018 ka shpenzuar 1446.1 euro”, kanë thënë në Ministrinë e Financave.

Në këtë ministri kanë treguar se Hamza në baza ditore udhëton nga Mitrovica për në Prishtinë.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili është shkarkuar nga posti që mbante, për derivate të naftës me veturë zyrtare ka shpenzuar mbi 1200 euro nga 9 shtatori e deri më 31 janar.

“Në shtator ministri Sefaj ka shpenzuar 180 litra derivate, në tetor ka shpenzuar 168 litra, në nëntor ka shpenzuar 327.92 litra, në dhjetor ka shpenzuar 263.45 litra dhe në janar të vitit 2018 ka shpenzuar 300 litra derivate”, kanë thënë në MPB.

Pra në total ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka shpenzuar në periudhën shtator 2017- janar 2018, 1239.37 litra derivate në vlerë prej 1239.37 euro.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, nga marrja e postit e deri më 31 janar ka shpenzuar për derivate të naftës rreth 1010 euro.

“Në tetor ministri Demiri ka shpenzuar 123.6 euro, në nëntor ka shpenzuar 123.6 euro, në dhjetor ka shpenzuar 285.87 litra në vlerë prej 295.56 euro kurse në janar të 2018 ka shpenzuar 443.01 litra në vlerë prej 466.31 euro”, kanë thënë në këtë ministri në përgjigjet për Telegrafin.

Në total Ministri i Zhvillimit Rajonal, për katër muaj ka shpenzuar 1009.07 euro.

Zëvendëskryeministri që shpenzoi më shumë derivate se kryeministri (Video)
Lexo po ashtu Zëvendëskryeministri që shpenzoi më shumë derivate se kryeministri (Video)

Ndërkaq, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, nga marrja e mandati e deri më 31 janar ka shpenzuar rreth 1012 litra derivate me veturë zyrtare.

“Shpenzime për derivate të automjetit zyrtar janë: Në shtator 126 litra, në tetor ka shpenzuar 331 litra derivate, në nëntor ka shpenzuar 192.81 litra, në dhjetor ka shpenzuar 213 litra derivate kurse në janar 2018, ka shpenzuar 150 litra derivate. Në total ka shpenzuar 1012.81 litra për periudhën pesë mujore, shtator 2017-janar 2018”, kanë treguar në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, për Telegrafin.

Sa ka shpenzuar kryeministri Haradinaj për derivate (Dokument-Video)
Lexo po ashtu Sa ka shpenzuar kryeministri Haradinaj për derivate (Dokument-Video)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka shpenzuar për derivate të naftës mbi 1000 euro.

“Në shtator ministri Lluka ka shpenzuar 94 litra në vlerë prej 93.06 euro, në tetor ka shpenzuar 236 litra në vlerë prej 231.28 euro, në nëntor ka shpenzuar 362 litra në vlerë prej 372.86 euro dhe në dhjetor ka shpenzuar 341 litra në vlerë prej 351.23 euro.

Zëvendëskryeministri kampion për shpenzime të derivateve (Video)
Lexo po ashtu Zëvendëskryeministri kampion për shpenzime të derivateve (Video)

Par në total ministri Lluka ka shpenzuar 1033 litra derivate me veturë zyrtare në vlerë prej 1048.43 euro.

Po ashtu Lluka ka shpenzuar edhe 233 litra derivate në janar të 2018, por në MZHE, nuk kanë treguar koston e tyre.

Zyrtarët e shtetit voziten me 861 vetura "3Z", jashtë përdorimit 104 (Video)
Lexo po ashtu Zyrtarët e shtetit voziten me 861 vetura "3Z", jashtë përdorimit 104 (Video)

Telegrafi u ka dërguar kërkesë të gjitha ministrive për shpenzimet e ministrave për derivate, por disa prej tyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndryshe, më herët Telegrafi ka publikuar edhe shpenzimet për derivate me veturë zyrtare për kryeministrin Ramush Haradinaj, për zëvendëskryeministrat Behgjet pacolli,  Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe Dalibor Jevtiq, si dhe të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo si dhe të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç. /Telegrafi/