LAJMI I FUNDIT:

Shok-bomba e gurë mbi gazetarët, të gjitha reagimet ndaj dhunës në Leposaviq

Shok-bomba e gurë mbi gazetarët, të gjitha reagimet ndaj dhunës në Leposaviq

Shkuan për të përcjell vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në Komunën e Leposaviqit, por ekipet e mediave të Kosovës të premten u sulmuan fizikisht në mënyrë brutale nga persona të maskuar.

Policia ka konfirmuar se bëhet fjalë për nëntë gazetarë e kameramanë, disa prej të cilëve kanë pranuar tretman mjekësor.


Ata janë sulmuar me shok-bombë, gurë e mjete të tjera të forta dhe përveç lëndimeve, iu janë dëmtuar edhe pajisjet e punës.

“Përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit iu është grabitur një telefon celular”, ka bërë të ditur policia.

Kurti: Sulmet ndaj gazetarëve të dënohen nga ata që janë të zëshëm rreth situatës
Lexo po ashtu Kurti: Sulmet ndaj gazetarëve të dënohen nga ata që janë të zëshëm rreth situatës

Po ashtu, nga ky institucion kanë thënë se pengimi i gazetarëve në kryerje të detyrës, cenimi i shprehjes së lirë, pengimi i pasqyrimit të situatës reale, sulmet e dhuna fizike, si dhe dëmtimi i automjeteve e i pajisjeve zyrtare janë veprime kriminale të cilat do të hetohen.

“Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, janë iniciuar rastet sulm ndaj personave zyrtar, asgjësim apo dëmtim i pronës dhe lëndim trupor”, ka thënë policia mes tjerash.

Brenda tri javësh (prej kur situata në veri të Kosovës është e tensionuar), në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) janë regjistruar 30 raste të sulmeve kundër punëtorëve medial, të cilët i kanë përcjell këto zhvillime.

AGK-ja ka thënë se është e alarmuar me situatën dhe ka kërkuar nga organet kompetente të ndërmarrin hapa që të krijojnë një ambient të sigurt për raportim nga veriu.

“Njëherësh, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve, që të kenë kujdes të shtuar dhe në asnjë formë të mos rrezikojnë vetën për hir të raportimit”, thuhet në njoftimin e Asociacionit.

Sa i përket gazetarëve të lënduar, AGK-ja ka bërë të ditur se kanë marrë ndihmën e parë mjekësore sapo kanë arritur të dalin nga, siç e ka quajtur “zona e rrezikut”.

Në njoftim gjithashtu është theksuar se sulmi ndaj gazetarëve në Leposaviq, ka ndodhur në prani të trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“…të njëjtit nuk kanë reaguar, por i kanë penguar gazetarët të ikin”, ka thënë AGK-ja, duke shtuar se kërkon nga KFOR-i që të mos i pengojnë gazetarët gjatë raportimit, “meqë siguri nuk po iu ofrojnë”.

AGK-ka ka thënë se për të gjitha sulmet ndaj gazetarëve, të cilat kanë ndodhur gjatë raportimeve të tyre nga veriu i vendit, do t’i informohen organizatat ndërkombëtare që merren me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias.

Reagimet e krerëve të shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarëve në very, ndërsa ka thënë se “ata që kanë kryer këto sulme duhet të përballen me drejtësinë” dhe se “përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë”.

“Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

E kryeministri Albin Kurti ka përmendur emrat e gazetarëve që janë sulmuar të premten në Leposaviq, si dhe ka ftuar diplomatët ndërkombëtarë “të mbajnë qëndrim”.

Kreu i qeverisë ka thënë se “kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu”.

Sulmin ndaj ekipeve të mediave e ka dënuar ashpër edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca.

Në reagimin e tij kryeparlamentari ka kërkuar që kriminelët të vihen para drejtësisë.

Pamje kur bandat kriminale serbe sulmojnë gazetarët në Leposaviq
Lexo po ashtu Pamje kur bandat kriminale serbe sulmojnë gazetarët në Leposaviq

“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazetarëve të mediave kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e tij në Facebook.

Ai i ka bërë thirrje edhe një herë faktorit ndërkombëtar që ta shtojë presionin mbi Serbinë, “si shkaktare të këtyre tensioneve, sepse s’mund të ketë qetësi dhe stabilitet nëse bandat vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe terror mbi popullsinë e këtyre komunave, gazetarët dhe forcat e rendit”.

“Kosova nuk do t’i tolerojë provokime të tilla, por as faktori ndërkombëtar nuk duhet t’i kalojë pa ndëshkim interferime të tilla të Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës”.

Konjufca ka pyetur se çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas tij, nëse BE-ja e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi.

“Duke vazhduar t’i mbajë të aktivizuara grupet kriminale dhe sulmuesit e maskuar në katër komunat veriore të Kosovës, Serbia dëshiron me çdo kusht ta përshkallëzojë dhe ta destabilizojë gjendjen e sigurisë në Kosovë”, ka shkruar mes tjerash i pari i Kuvendit.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq, i ka dënuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

“Dënojmë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe sot. Ne përsërisim thirrjen tonë që mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”, thuhet në një postim të kësaj ambasade në Twitter.

Ndërsa, Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë ka thënë se dhuna ndaj gazetarëve është gjithmonë e papranueshme dhe e pajustifikuar.

“Iu bëjmë thirrje atyre që udhëheqin protestat të parandalojnë dhe dënojnë dhunën ndaj atyre që punojnë për të raportuar mbi ngjarjet”, thuhet në reagimin e ambasadës në Twitter.

E ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se akte të tilla të tmerrshme dhune janë të papranueshme.

“I dënoj fuqishëm sulmet ndaj ekipeve të RTK dhe Tëvë1. Akte të tilla të tmerrshme dhune janë të papranueshme. Gazetarët duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në një mjedis të sigurt. Të lënduarve u uroj shërim të shpejtë!”, ka shkruar ambasadori në Twitter.

Sulmet ndaj gazetarëve në komunat veriore të Kosovës, janë shpeshtuar javët e fundit, derisa ata po raportojnë për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Më 29 maj, tensionet kulmuan me përleshje ndërmjet protestuesve serbë dhe KFOR-it, ku pati dhjetëra të plagosur nga të dyja anët./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Deklarimi i pasurisë së Kurtit, Miftaraj thotë se ai po investon në Norvegji

Deklarimi i pasurisë së Kurtit, Miftaraj thotë se ai po investon në Norvegji

Lajme
Vëllai i Rrustem Llapit flet për vrasjen e serbit në Gjermani: Është zënë diçka ngushtë Rrusta, ai as shijen e alkoolit nuk e di

Vëllai i Rrustem Llapit flet për vrasjen e serbit në Gjermani: Është zënë diçka ngushtë Rrusta, ai as shijen e alkoolit nuk e di

Lajme
“Shko atje ku ka deve, kjo tokë është Evropë” – përplasje e ashpër mes Kelmendit dhe Shalës

“Shko atje ku ka deve, kjo tokë është Evropë” – përplasje e ashpër mes Kelmendit dhe Shalës

Lajme
Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Sa kanë pasuri Osmani dhe Kurti? Dyshja deklaron pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Gjendet 12-vjeçari nga Shtimja që ishte raportuar i humbur

Gjendet 12-vjeçari nga Shtimja që ishte raportuar i humbur

Lajme
Dritëhije mbi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes për bashkëshortin e ministres Ibrahimaj

Dritëhije mbi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes për bashkëshortin e ministres Ibrahimaj

Lajme
Kalo në kategori