Aksident mes tre kamionëve dhe një veture në “Qafën e Duhlës”, ndërpritet qarkullimi në të dy drejtimet

Një aksident trafiku është raportuar paraditen e së premtes në rrugën magjistrale në vendin e quajtur “Qafa e Duhlës”, ku janë përfshirë tre kamionë dhe një automjet.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se nga aksidenti një person ka pësuar lëndime trupore.
“Sot, më 24 korrik 2026, rreth orës 10:00, në rrugën magjistrale, në vendin e quajtur ‘Qafa e Duhlës’, është raportuar një aksident trafiku, ku janë përfshirë tre kamionë dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, së paku një person ka pësuar lëndime trupore”, deklaroi Bytyqi për Telegrafin.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit, të cilët po merren me menaxhimin e situatës.
“Për shkak të aksidentit dhe intervenimit të shërbimeve emergjente, qarkullimi i trafikut në këtë segment rrugor është ndërprerë në të dy drejtimet deri në një njoftim tjetër”, tha Bytyqi.
Sipas tij, njësitet kompetente policore janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të aksidentit dhe për rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit në këtë pjesë të rrugës. /Telegrafi/



































