LAJMI I FUNDIT:

Shkarkimi i bordit të AKP-së, akuza e kundërakuza, debate të ashpra pozitë-opozitë: Gjithçka që ndodhi gjatë seancës së Kuvendit

Shkarkimi i bordit të AKP-së, akuza e kundërakuza, debate të ashpra pozitë-opozitë: Gjithçka që ndodhi gjatë seancës së Kuvendit

Gjuhë joparlamentare, momente qesharake, akuza e kundërakuza pati edhe sot gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Para se të votohej për propozimet që ishin në rend të ditës, një debat i gjatë u mbajtë për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Me fillimin e seancës plenare, ka pasuar edhe gjuha jo parlamentare, pas mospajtimeve ndërmjet deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Derisa nga partia në pushtet kërkohej të futet në rend dite shqyrtimi i raportit vjetor të AKP-së dhe emërimi i bordit të ARKEP-it, kjo kundërshtohej nga LDK.

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës / Foto: Ridvan Slivova

Pasi u mblodhën para kryesues së seancës, Saranda Bogujevci, Arben Gashi nga LDK-ja u drejtua me gjuhë jo parlamentare për Hekuran Muratin, duke i thënë “Le të ulet në b***”.

Kjo seancë plenare u mbajtë nën drejtimin e nënkryetares Saranda Bugujevci, e më pas të kryekuvendarit Glauk Konjufca, në të cilën përveç pikave të rendit të ditës, me propozimin e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, i janë shtuar edhe dy pika të tjera.

Ato ishin rekomandime të Komisionit për Ekonomi, Ndërmarrësi dhe Tregti, të cilat kishin të bënin me raportin vjetor të punës të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), si dhe me emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Kuvendi i Kosovës / Foto: Ridvan Slivova

Nga GP i PDK-së fjalën e mori deputeti Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit për Ekonomi, i cili e konsideroi të ngutshëm këtë veprim.

“Nuk e di pse po bëhet kjo nguti kur ende nuk është proceduar raporti i rregullt për Kryesi të Kuvendit. Në Komision kanë dalë të dhëna shqetësuese për thirrjen që kryeministri i ka bërë AKP-së për ndaljen e procedurave”, theksoi Shala.

Arben Gashi nga GP i LDK-së, po ashtu e quajti të paarsyeshme futjen e këtyre dy pikave në rendin e ditës së seancës së sotme.

Gashi: Joserioze që çështja e ARKEP-it dhe AKP-së të vije me urgjencë në Kuvend
Lexo po ashtu Gashi: Joserioze që çështja e ARKEP-it dhe AKP-së të vije me urgjencë në Kuvend

“Kërkesa për të futur në rend dite pika të tilla është e paarsyeshme. Po na përsëriten situatat kur çështjet po vijnë me urgjencë në sallë. Ky imponim po më duket i paarsyeshëm. Nuk ka ndonjë situatë të jashtëzakonshme që sot të merremi me urgjencë me çështjen e ARKEP-it dhe AKP-së”, theksoi ai.

Në emër të GP të AAK-së, kryetari Besnik Tahiri këtë veprim e quajti kontrabandim.

“Synimi dhe qëllimi është për të shtyrë përpara këtë agjendë të kapjes së institucioneve rend me rend dhe ne jemi kundër”, theksoi Tahiri.

Në vazhdim, propozimi u hodh në votim.

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi shmangien nga afati procedural për shqyrtimin e raportit vjetor të punës së AKP-së, shkarkimin e Bordit të AKP-së dhe pikës së tretë, që Qeveria t’i propozojë Kuvendit emërimin e Bordit të ri.

Në foltore fjalën e mori Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se e gjithë kjo që po ndodh në Kuvend është përpjekje për të përmbushur zotimet e dhëna gjatë fushatës.

Duke përshëndetur futjen në rend dite të pikave shtesë, kryeministri Kurti tha se AKP-ja duhet të shuhet dhe për këtë duhet një bord i ri.

“Me AKP-në dhe ARKEP-in ne u dalim zot premtimeve tona për qytetarët. 50.28 për qind e qytetarëve kanë votuar për fitoren tone, një fitore e paparë në Kosovën e pasluftës dhe kemi thënë që AKP-ja do të shuhet. Dhe do të shuhet. Por, që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme që njëherë të shkarkohet Bordi, se ka vjedhur shumë, e ne nuk do t’i lejojmë. Janë paguar për të vjedhur. Janë paguar me rrogat më të larta në vendin tonë për të keqen më të madhe që e kanë sjellë në Kosovën e pasluftës. Kjo është arsyeja pse na duhet një bord i ri, që mision ka shuarjen e AKP-së”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Foto: Ridvan Slivova

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti foli edhe për tema të tjera të aktualitetit politik në vend.

Pas pjesës së parë të seancës Kuvendi ka vazhduar me propozimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Ndërkohë Mimoza Kusari-Lila, nga GP të Vetëvendosjes, tha se është domosdoshmëri ndërprerja e funksionimit të bordit aktual të AKP-së.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, theksoi se me shuarjen e AKP-së rrezikohen 20 mijë lëndë në dhomën e posaçme që kanë të bëjnë me këtë agjenci, e sipas tij, Kosova mund të humbasë qindra milionë euro.

Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se për këtë temë duhet të amandamentohen dy ligjet, duke kërkuar një raport dhe një analizë të thukët për të marrë vendimin.

Kryeministri Albin Kurti përsëriti qëndrimin se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kryer krime përmes procesit të privatizimit.

“Pse duhet të shuhet AKP-ja? Sepse duhet të ndërtohet Fondi Sovran. Nuk mund t’i kemi të dyja. Për ta shuar AKP-në duhet ta shkarkojmë bordin. Kuvendi ngarkon, Kuvendi shkarkon. AKP-ja shuhet dhe ngritet Fondi Sovran”, theksoi Kurti, duke shtuar se nëse do të ishin ngadalësuar do t’i kishin braktisur zotimet.

Seanca vijoi me diskutime të deputetëve, ndër të cilat ishin deklarata e Haradinajt i cili ka thënë se Qeveria Kurti është më e korruptuar se të gjithë të tjerët.

“Ju jeni më të korruptuar se krejt tjerët  që kanë qenë përpara”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se Qeveria Kurti e ka nisur keq me çështjen e korrupsionit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar opozitën për mungesë të kritikës së mirëfilltë ndaj Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti / Foto: Ridvan Slivova

Kurti ka thënë se shumë herë ka folur për kriminelët e luftës dhe paqes.

Kryeministri ka shtuar se rreziku më i madh për Qeverinë e tij është mungesa e kritikës, shkruan Telegrafi.

Kurti, opozitës: Jeni të paaftë për të kritikuar Qeverinë, mund t’ju jap ide se si të kritikoni
Lexo po ashtu Kurti, opozitës: Jeni të paaftë për të kritikuar Qeverinë, mund t’ju jap ide se si të kritikoni

“Më lejoni t’ju them që unë këtu shoh një lloj paaftësie për të na bërë kritikë, dhe rreziku më i madh për Qeverinë është mungesa e kritikes, ne nuk kemi rrezik tjetër. Ne kemi problem të madh me juve se jeni të paaftë me ba kritikë. Ne nuk po shohim e as nuk po e dëgjojmë kritikën e opozitës”, ka thënë Kurti.

Ai i është drejtuar opozitës që mund të bashkëpunoj me ta edhe në këtë drejtim.

Pas disa orësh debat, deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 3 vota për dhe 64 kundër, nuk i dhanë mbështetje raportin të AKP-së për vitin e kaluar.

Kuvendi i Kosovës voton për shkarkimin e Bordit të AKP-së / Foto: Ridvan slivova

Më pastaj, u procedua me votimin për shkarkimin e Bordit të AKP-së.

Me 65 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi për shkarkimin e Bordit.

Pas miratimit të këtij propozimi, një moment qesharak ishte kur fjalën e mori deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.

Ai tha se e ka një “pyetje të lehtë” për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërkohë ky i fundit lëshoi sallën.

“Unë e kom një pyetje të lehtë. Kryeministër ti e shkarkove Bordin e AKP-së. A po rrin a shkove?”, tha Berisha.

Ndërkaq, në këtë moment kur në Kuvend, deputetët filluan të qeshin, Konjufca i tha Berishës, se meqë është “i sporteve të rënda”, dhe tha se pyetja e tij ishte e lehtë, atëherë kryeministri e lëshoi sallën.

“A e din pse dul Bekë, se ti je i sporteve të randa, e masi ti the pyetje të lehtë, ai doli”, i tha Konjufca, Berishës.

Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Berisha tha se do të vazhdojë ta bëj pyetjen në drejtim të kryetarit.

Moment qesharak në Kuvend - Konjufca: Bekë, ti je i sporteve të rënda, pasi the pyetja e lehtë, kryeministri doli nga salla
Lexo po ashtu Moment qesharak në Kuvend - Konjufca: Bekë, ti je i sporteve të rënda, pasi the pyetja e lehtë, kryeministri doli nga salla

“Ky e shkarkoi Bordin e AKP-së, tash po bisedoj me ty kryetar. Bordi i ri që ka me u vendos tani, a janë Bord i vullnetarëve apo kanë me i shpenzu nga 25 mijë euro për një takim”, tha Berisha.

Më pas, Mimoza Kusari-Lila nga LVV-ja i rekomandoi Kuvendit votimin e kandidatëve të bordit të ARKEP-it.

Kryetarja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila / Foto; Ridvan Slivova

Partitë opozitare u deklaruan se nuk do ta përkrahin përbërjen e propozuar.

Në emër të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri, deputetja Jeta Statovci e arsyetoi raportin, duke e rekomanduar Kuvendit votimin e tij.

Pas diskutimeve, Kuvendi, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, votoi për Bordin e ri të ARKEP-it, në përbërje: Nazim Rrahimi, kryetar, Lule Ahmedi, Shkumbin Hamiti, Rrezarta Duraku Rizaj dhe Arian Qorrolli, anëtarë, me mandat 5-vjeçar.

Seanca vijoi me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media.

Me pas, u shqyrtua propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare përkatësisht, ndryshimin e emërtimit të Komisionit për Shëndetësi, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Për votimin e kësaj pike nuk kishte kuorum dhe votimi u bart në seancën e radhës.

Me propozimin e inicuesit të debatit parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19, Abelard Tahiri, si dhe në dakordim me ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, u vendos që ky debat të zhvillohet të enjten e ardhshme. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajçak me post të ri nga shtatori

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Dyshohet se ishte duke u përgatitur për ta kryer një vrasje, arrestohet i dyshuari në Pejë

Kronika e Zezë
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori