LAJMI I FUNDIT:

Shfuqizohet vendimi për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kthehen në nivelin sikurse para rritjes

Shfuqizohet vendimi për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kthehen në nivelin sikurse para rritjes

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit, ka shfuqizuar vendimin e ish-Qeverisë Haradinaj për rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët në vitin 2017.

Kryeministri Albin Kurti tha se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kthehen në lartësinë e rregullimit juridik të mëparshëm para datës së hyrjes në fuqi të vendimit për ngritjen e pagave të kabinetit qeveritar, rrjedhimisht edhe këtyre institucioneve të drejtësisë.


“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij Ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me Ligjin e atëhershëm për Paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

Qeveria Haradinaj në fund të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagës të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj, e cila preku automatikisht edhe sistemin e drejtësisë. Më pas në kohën e Qeverisë Kurti I ishte marrë vendim që paga e kryeministrit të zbritej, por ato të drejtësisë nuk u preken.

Po ashtu, është miratuar Projektligji për Pagat dhe atë për Zyrtarët Publik.

Në programin legjislativ të Qeverisë ishte paraparë që Projektligji i Pagave të trajtohet në muajin mars 2022.

Ky Projektligji, më 15 shtator kishte dalë në konsultim publik, ku të gjitha palët kishin pasur mundësinë që të japin mendimet e tyre deri më 6 tetor. /Telegrafi/