Andriy Shevchenko ka shpjeguar arsyen pse derbi i së dielës mbrëma në “San Siro” ka më shumë rëndësi për ish-skuadrën e tij, Milanin, sesa për kryesuesit aktual të Serie A, Interin.

Në prag të përballjes së parë të sezonit 2025-26 mes dy gjigantëve të qytetit, legjenda ukrainase ka analizuar momentin e dy skuadrave dhe presionin që bie më shumë mbi Rossonerët.


Interi e pret Milanin të dielën në mbrëmje duke hyrë në duel si lider i tabelës me 24 pikë, ndërsa Milani, me 22 pikë, ka mundësinë të kalojë rivalin e përjetshëm nëse del me fitore nga “San Siro”.

Duke folur për “La Repubblica”, Shevchenko theksoi se për Milanin, ndeshja ka më shumë rëndësi për shkak të brishtësisë aktuale të skuadrës.

“Të dy skuadrat janë në një moment të mirë. Megjithatë, marrja e rezultatit është më e rëndësishme për Milanin, të cilët ende duken pak më të brishtë se Nerazzurri. Ata duhet të vazhdojnë rritjen. Një humbje mund t’ua ndalojë këtë proces”.

Në anën tjetër, ai vlerëson mënyrën si është transformuar Interi që nga fillimi i sezonit.

“Janë një skuadër ndryshe sot. Duhet ta kthesh faqen sapo mbaron sezoni, të nisësh nga e para. Skuadra e Nerazzurrëve është mbajtur thuajse e paprekur, madje janë përforcuar. Ndërkohë, Chivu më duket si trajner me vizion të mirë futbolli. Ka idetë e duhura. Janë një nga favoritët për titull”.

Sa i përket Milanit, ai thotë se ky sezon ka qenë periudhë rindërtimi dhe stabilizimi.

“Duhej të gjenin sërish atë soliditet, të rindërtonin pas vështirësive të sezonit të kaluar. Duhet marrë parasysh edhe numri i madh i lojtarëve të rinj që erdhën në verë. Allegri po i menaxhon mirë, nuk duhet ta marrin të mirëqenë.

‘Max është trajner me përvojë dhe me karakteristika të qarta. Është një njeri serioz, di si t’i menaxhojë lojtarët. Ka një stil të provuar loje. E di mirë në çfarë po futesh kur e punëson. Po i përgjigjet pritjeve’”.

I pyetur për lojtarin që e ka impresionuar më shumë këtë sezon, Shevchenko përmendi një emër të madh.

“Modric po më impresionon, po bën diferencën. Por si ekip, Milani ende ka hapa për të bërë për të qenë në nivelin e Interit”./Telegrafi

telegrafi sport app