LAJMI I FUNDIT:

Sherifi: Kërkojmë rinumërim të plotë të votave, po luftojmë për mandatin e 7-të

Sherifi: Kërkojmë rinumërim të plotë të votave, po luftojmë për mandatin e 7-të

Nisma Socialdemokrate po vazhdon të kërkojë rinumërim të plotë të të gjitha vendvotimeve, pasi sipas tyre kësaj partie i janë marrë votat dhe u janë shënuar partive të tjera.

Sipas zyrtarëve të kësaj partie, rinumërimi i tërësishëm do t’i jepte Nismës edhe mandatin e 7-të, pasi sipas tyre 6 mande janë të sigurta.

Sekretari i kësaj partie Bilall Sherifi, në një konferencë për media ka paraqitur të dhënat nga disa vendvotime të cilat janë rinumëruar, ku herën e parë Nisma kishte pasur zero vota dhe pas rinumërimit kishte pasur deri në 50 vota.

Sherifi ka përmendur të dhënat nga 6 vendvotime ku Nismës i janë shënuar më pak vota sesa realisht ka pasur. Ai përmendi se si në një vendvotim në Drenas, kishte pasur vetëm 1 votë, ndërsa pas rinumërimit kishte marrë 50 vota.

“Kemi informacione nga njerëzit tanë që në shumë vende ka deformim të vullnetit të qytetarëve. Po ashtu, në Drenas, Nisma në formular ka pasur të shkruara zero vota përderisa pas rinumërimit kanë dal të jenë 34 vota për Nismën dhe kjo është në fshatin Obri, në fshatin nga i cili vjen edhe kryetari i degës sonë Isë Xhemajli. Pra, kanë shkuar deri aty saqë komplet votat që bashkëfshatarët e tij ia kanë dhënë Nismës në një klasë t’ia bartin një subjekti tjetër. Pastaj, një kuti tjetër në Kaçanik ku Nisma Socialdemokrate figuron me zero vota, përderisa pas rinumërimit ka dal që Nisma të ketë pasur 21 vota. Në Fushë Kosovë, Nisma në formularë ka pasur zero vota, derisa nga kutitë pas rinumërimit ka dal të jenë 11 vota për Nismën. Një kuti tjetër po ashtu në Fushë Kosovë nga zero vota, pas rinumërimit kanë dal të jenë 8 vota për Nismën. Kemi një kuti në Gjilan, nga zero vota në 6 vota. Kur mblidhet tota li i këtyre votave, në gjashtë vendvotime del që Nisma është dëmtuar për 131 vota”, tha ai.

Në bazë të këtyre, Sherifi thotë se nuk bëhet fjalë për gabime, por për vullnet që të dëmtohet Nisma.

Ai ka hedhur akuza edhe ndaj komisionerëve të Nismës se kanë bashkëpunuar për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

“Nëse në 2010 ka pasur vjedhje industriale, del që kundër Nismës është kryer një vjedhje manfakturale, pra nga vjedhje industriale kanë kaluar në vjedhje manfakturale të votave. Nuk bëhet fjalë për gabime, sepse mund të gabohet një, dy vota, por nuk mund të gabohet 11, 34, 50. Pra, këtu shihet që ka qenë një vullnet i disa komisionerëve, duke përfshi fatkeqësisht edhe komisionerët që kanë qenë të caktuar nga Nisma që të bashkëpunojnë në këtë veprim kundër vullnetit të qytetarëve, sepse nuk ka mundësi që të bëhen gabime kur të barten nga 34 vota të shkruhet zero, 50 të shkruhet zero. Nuk bëhet fjalë për gabim, por kryesisht për vullnet që të dëmtohet Nisma”, tha ai.

Sherifi ka përsëritur se Nisma e ka kaluar pragun, ndërsa, arsye se pse po kërkojnë rinumërim të të gjitha vendvotimeve është për të marrë edhe mandatin e 7-të.

“Ne jemi të bindur nëse në Kosovë ka gatishmëri dhe vullnet, kërkesë që të rinumërohen të gjitha kutitë e votimit në funksion të së vërtetës dhe asgjë tjetër pos së vërtetës, Nisma do të merr mandatin e 7, sepse për mandatin e 6 nuk bëhet diskutim. Ne e kemi ditur që nga dita e parë që Nisma ka marrë 6 mandate, 5.4 përqind i ka, luftojmë që përmes rinumërimit të marrim mandatin e 7. Nëse nuk do të del përmes procesit të rinumërimit, përmes procesit të ankesave të cilat janë duke përgatitur kandidatët tanë edhe partia”, tha ai.

Edhe më herët Nisma Socialdemokrate ka kërkuar rinumërim të të gjitha vendvotimeve.KP/Telegrafi/