LAJMI I FUNDIT:

Shërbyen në rrethana “të tmerrshme”, Holanda ua ndanë nga 5 mijë euro ushtarëve që me mision ishin në Srebrenicë

Shërbyen në rrethana “të tmerrshme”, Holanda ua ndanë nga 5 mijë euro ushtarëve që me mision ishin në Srebrenicë

Qeveria holandeze ka bërë të ditur se veteranët e saj që shërbyen nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe që nuk arritën të parandalojnë masakrën e Srebrenicës gjatë vitit 1995, do të paguhen me nga 5 mijë euro, si shenjë “falënderimi” për shërbimin e tyre në rrethana të tmerrshme, shkruan Al Jazerra.

Këtë shumë e ka paralajmëruar ministri holandez i Mbrojtjes. Ushtarët holandezë që shërbyen në Srebrenicë të Bosnjës dhe Hercegovinës, ishin dëshmitarë se si këtë qytet e morën nën kontroll forcat serbe në krye me gjeneralin Ratko Mlladiq, i akuzuar për gjenocid nga Tribunali i Hagës – për shkak të rolit të tij në masakrën ku humbën jetën mbi 8 mijë civilë, transmeton Telegrafi.


Holanda është kritikuar ashpër për mosveprim ndaj krimit në Srebrenicë, kurse qeveria e ish-kryeministrit Wim Koka kishte dhënë dorëheqje në vitin 2002 pasi që qeveria holandeze u kritikua për dërgimin e ushtarëve në zonën e rrezikshme pa armë adekuate, dhe autorizim për mbrojtjen e rreth 30 mijë refugjatë që kishin ikur në bazën holandeze në pjesën lindore të Bosnjës.

Gjykata e Lartë holandeze vendosi gjatë vitit 2019, që Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për vdekjen e rreth 350 myslimanëve që janë vrarë nga serbët e Bosnjës, kujton AP.

Gjykata holandeze kishte konstatuar se trupat paqeruajtëse të këtij vendi, gjatë 13 korrikut të vitit 1995 kishin evakuuar qytetarët nga baza e saj pranë Srebrenicës, pavarësisht se e dinin se “rrezikohen të keqtrajtohen dhe vriten” nga ana e ushtarëve serbë.

Kombet e Bashkuara ishin kritikuar që nuk kishin miratuar përdorimin e sulmeve ajrore të NATO-së, për t’i përkrahur trupat holandeze në terren që ishin sulmuar. /Telegrafi/