LAJMI I FUNDIT:

Shërbimet shëndetësore të Tetovës gjatë çdo fundjave do të qëndrojnë në Kodrën e Diellit (Video)

Shërbimet shëndetësore të Tetovës gjatë çdo fundjave do të qëndrojnë në Kodrën e Diellit (Video)

Ekipe të ndihmës së shpejtë do të qëndrojnë çdo fundjavë në Kodrën e Diellit. Vendimi erdhi si rezultat i takimit të fundit të afaristëve dhe pronarëve të vilave në Kodrën e Diellit të cilët i drejtuan një sërë kërkesash Komunës së Tetovës me qëllim të përmirësimit të kushteve në këtë qendër rekreative dhe turistike.

“Kemi vendosur që të ketë çdo vikend një ekip të ndihmës së shpejtë në Kodër të Diellit dhe tashmë kanë qenë të angazhuar që nga java e kaluar. Për momentin nuk i kemi mundësitë për të kujdestaruar gjithë javën por për vikend e kemi siguruar ekipet shtesë që i kemi në dispozicion”, deklaroi për Alsat-M Besmal Shefiti, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Tetovë.


Por ndryshe nga Shtëpia e shëndetit, njësia e zjarrfikësve nuk i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për një makinë zjarrfikëse që do të qëndronte vazhdimisht në Kodrën e Diellit pasi siç thonë nuk kanë kushte për një gjë të tillë. Nga ana tjetër as kërkesa për zgjidhjen e kaosit në komunikacion sipas drejtorit të parkingjeve nuk mund të përmbushet shpejtë.

Sipas pronarëve të vilave, afaristëve por edhe vizitorëve të shpeshtë të Kodrës së Diellit, përmbushja e këtyre kushteve bazë nga ana e autoriteteve do të ishte një hap i mirë për rregullimin dhe zhvillimin e kësaj qendre të rëndësishme turistike dhe rekreative./Telegrafi/