Shërbimet moderne bankare dhe inovacionet teknologjike e pavarësojnë dhe e fuqizojnë klientin e bankave
Jetojmë në shekullin e XXI-të, shekullin e progresit teknologjik dhe të novacionit. Sot është fakt që zhvillimet teknologjike i kanë dhënë një dimension tjetër mënyrës se si jetojmë, si informohemi, si komunikojmë dhe si e perceptojmë realitetin. Për gjenerata të tëra sot është e vështirë të imagjinohet jeta e përditshme dhe puna profesionale pa një mori pajisjesh elektronike.
Në këtë kontekst, si çdo fushë tjetër, edhe sistemet financiare në mbarë botën kanë qenë subjekt i avancimeve teknologjike dhe kanë adaptuar me ritme të shpejta teknologjitë më bashkëkohore në fushën e komunikimit dhe të ofrimit të shërbimeve për klientë.
Edhe sistemi bankar në Kosovë, nuk bën përjashtim nga kjo tendencë. Me konfidencë mund të thuhet që vitet e fundit ky sistem ka adaptuar teknologjitë më bashkëkohore, të krahasueshme me ato të vendeve të Evropës Perëndimore me intensitet dhe shpejtësi të admirueshme.
Çfarë ofrojnë shërbimet elektronike për klientët?
Është e padiskutueshme që shërbimet bankare elektronike ofrojnë komfort dhe lehtësi në një realitet ku koha është shumë e çmuar dhe askush nuk ka dëshirë të presë në radhë në sportelet e bankave. Shërbimet bankare elektronike, në të gjithë botën shihen sot si mënyra më e shpejtë, më e lehtë dhe më e sigurt për të marrë informacion mbi produktet dhe transaksionet e thjeshta bankare, si dhe për të pasur qasje në para dhe në pagesa gjatë 24 orëve në ditë, 7 ditë në javë.
Si rrjedhojë, sot bankat kanë rimodeluar dhe vazhdojnë të jenë në proces të vazhdueshëm të rimodelimit të degëve të veta.
Është në rritje numri i bankave komerciale në botë që po kalojnë në konceptin e shërbimit të klientëve përmes kanaleve të shumëfishta të shitjes. Kjo do të thotë që bankat sot po përpiqen të krijojnë në infrastrukturën e vet një ekosistem që kap në tërësi nevojat financiare të konsumatorit, dhe përmes këtij sistemi të ofrojnë kanalin më të përshtatshëm dhe më komfort për çdo nevojë të klientit.
Bankat po e mundësojnë këtë vetëm duke propozuar një ofertë të integruar të kanaleve të shumëfishta të shitjes, sistemeve inteligjente të informacionit si dhe adaptimit të teknologjive të avancuara në automatizimin e sistemeve të brendshme.
Nga ana tjetër, edhe konsumatorët gjithnjë e më shumë po e shohin vlerën e qasjes në paratë e tyre 24/7, dhe po e vlerësojnë lirinë e të mos qenit të kufizuar nga orët e punës se degëve bankare. Kjo tendencë po konfirmohet nga numri vazhdimisht në rritje i klientëve që kanë kontrata për shërbime bankare elektronike dhe që po i përdorin aktivisht këto shërbime.
Çfarë shërbime elektronike ofron tregu bankar në Kosovë?
Prej vitesh sektori bankar në Kosovë ka qenë i përkushtuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve për klientë, dhe ka intensifikuar investimet në fushën e teknologjisë bankare. Bankat komerciale përmes adaptimit të teknologjive më të reja kanë mundësuar qasjen e bizneseve dhe të klientëve në tregjet globale financiare, dhe e kanë përafruar ekonominë kosovare me ekonominë globale.
Ndër arritjet më të spikatura në fushën e shërbimeve elektronike dhe të teknologjisë moderne të sektorit bankar vlen të theksohen:
1. Kartelat e debitit, bankomatet, pikat terminale të shitjes kanë qenë kanalet e para të shitjes elektronike të ofruara nga bankat. Sot Kosova renditet ndër shtetet me mbulueshmëri të madhe në rajon për kokë banori me bankomate dhe POS terminale.
2. Bankimi përmes internetit apo e-Banking, bankim ky i cili ju mundëson klientëve qasje të pa limituar 24/7 në llogaritë e tyre bankare. Ky lloj shërbimi operon plotësisht i pavarur nga orari i hapjes së degëve të bankës dhe përveç sigurisë së lartë, shpejtësisë, fleksibilitetit dhe komoditetit, kostoja e transaksioneve të realizuara përmes e-Banking është më e lirë sesa ato që realizohen në degët e bankës.
3. M-banking platformë gjithëpërfshirëse bankare në telefonin mobil e cila ofron të gjitha shërbimet standarde si platforma e bankimit elektronik. Me avancimin e teknologjisë së komunikimit në vend, në thelb kjo do të thotë që klientët mund të kenë qasje në llogaritë e tyre dhe të kryejnë një shumëllojshmëri të transaksioneve në çdo kohë.
4. Zona 24/7 - zona këto të hapura 24 orë në ditë gjatë 7 ditëve në javë, dhe janë të pajisura me bankomate dhe makina për tërheqje dhe depozitim të keshit, përveç kësaj klientët mund të kryejnë edhe një sërë pagesash të faturave mujore, telefon ku në çdo kohë mund të telefonojnë bankën nëse hasin në ndonjë pyetje gjatë kryerjes së shërbimit e shumë shërbime tjera elektronike. Këto zona ju ofrojnë klientëve mundësi zgjedhje dhe fleksibilitet në përdorimit e kanalit më të përshtatshëm për nevojat e tyre.
Transaksionet kryhen thjesht, lehtë dhe me tarifa më të lira se në degët e bankës .
E ardhmja e bankimit në degët e bankave
Pavarësisht përdorimit të kanaleve të shumëfishta të shitjes dhe të shërbimeve elektronike bankare, degët e bankave do të mbeten një prej kanaleve më të rëndësishme për klientët.
Është e qartë që përmes degëve klientët do të vazhdojnë të informohen për produkte dhe shërbime bankare më komplekse, do të marrin informacionin dhe këshillimin e nevojshëm për shërbimet bankare, dhe do të vazhdojnë të kryejnë një pjesë të transaksioneve më të ndërlikuara dhe të avancuara si hapja e llogarive, informacioni mbi alternativat për kursime, aplikimi për kredi qoftë kredi biznesi apo hipotekare. Po kështu degët bankare do të vazhdojnë të jenë edhe më tej kanali kryesor për të ndërgjegjësuar dhe ndihmuar klientët për t’i kuptuar shërbimet elektronike, dhe për t’i ndihmuar në përdorimin tyre. Megjithatë, për t’ju përkushtuar më mirë dhe më afër klientëve në këshillim dhe ofrim të produkteve më komplekse, bankat duhet të transferojnë transaksionet e thjeshta rutine në Zonat 24/7, dhe në kanalet elektronike të shërbimit. Vetëm kështu do të mundësohet që punonjësit në degët bankare t’i përkushtohen tërësisht një shërbimi më cilësor, më të afërt, dhe më të avancuar për klientë.
Sfida për të ardhmen
Sfidë e sektorit bankar në Kosovë mbetet përdorimi i shërbimeve elektronike bankare nga klientët. Bankat duhet të përmirësojnë përvojën dhe eksperiencën e klientëve në përdorimin e kanaleve të shumëfishta të shitjes. Në mënyrë proaktive duhet të inkurajojnë përdorimin më masiv të shërbimeve elektronike.
Në fund, një qasje shumë funksionale dhe e integruar mbi ofrimin e shërbimeve bankare elektronike është e ardhmja e çdo sektori bankar në një shekull ku novacioni teknologjik nuk njeh kufij. Shërbimet bankare elektronike ofrojnë përfitime të shumëfishta për sektorin bankar dhe për klientët në përgjithësi. Në njërën anë bankat risin efikasitetin e tyre duke procesuar një numër më të madh të transaksioneve rutine përmes kanaleve të shërbimeve elektronike dhe njëkohësisht do të fokusojnë stafin e tyre në ofrimin e këshillave më cilësore dhe profesionale për klientë.
Nga ana tjetër, bizneset, institucionet, organizatat dhe individët privatë mund të plotësojnë nevojat e tyre me një shumëllojshmëri të kanaleve të ofrimit të shërbimit me kosto më të ulët, me qasje të pa limituar 24/7 në mjete dhe me komfort më të lartë. Si rezultat, klientët e bankave marrin shërbime të shpejta dhe cilësore, transaksione më të lira, dhe ka një përfitim të përgjithshëm për të gjithë pjesëmarrësit e tregut.
(Autorja është zëvendësdrejtoreshë gjenerale në Procredit Bank në Kosovë)





















































