LAJMI I FUNDIT:

Shenjtja Nënë Terezë, lutu për ne… !

Shenjtja Nënë Terezë, lutu për ne… !

E lumja Nënë Tereza, shenjtënesha më e re e kishës dhe e njerëzimit mbarë, shfaqet në Sheshin “Shën Pjetër” në Romë, të dielën më 4 shtator, në dimensionin e Shenjtes së Dashurisë dhe Mëshirës. Vjen si “dërgatë” e kongregatës (Urdhrit) së Misionarëve të Bamirësisë. E krijuar prej saj dhe më pas e miratuar prej Ipeshkvit të Kalkutës dhe “Propagada Fide” në Romë, kështu ajo fiton “legalitetin” për të ndërtuar e perfeksionuar mbretërinë e saj të përshpirtshme të dashurisë dhe mëshirës në tokë. Në fillim e përgjithmonë në Kalkuta të Indisë, por më pas edhe anë e mbanë botës.

Në 123 shtete, rreth 750 shtëpi bamirësie, në të cilat gëlojnë më se 4000 motrat me uniformën bardh e kaltër të kongregatës së bamirësisë. Pa shënuar këtu edhe shtëpitë e shërbesat e vëllezërve kontemplativë (soditës, kundrues). Më pas, së bashku me Atë Sebastian Vazhakala ka themeluar edhe “Misionarët Laikë të Dashurisë”, një lloj urdhri i Tretë i Misionarëve të Dashurisë. Atë Sebastiani, njëri nga 6 vetët që mbante arkivolin më trupin e Nënë Terezës, në ditën kur nisi pavdekësia e saj, me 4 shtator 1997, është njëherësh edhe mbartës i shumë kujtimeve të rëndësishme, përshkruar në kronikën e kësaj miqësie hyjnore në 30 vite jete pranë Nënë Terezës.


Bashkëpunimi me të na ka sjellë edhe në shqip, pas botimit në shumë gjuhë të botës kronikën e përndritshme pranë Nënës së Lume…(Atë Sebastian Vazhakala M.C Jetë me Nënë Terezën-Miqësia ime tridhjetëvjeçare me nënën e të varfërve, Enti Botues “Gjergj Fishta”) Më pas…Më pas, kështu deri në në çastin që shkëputet prej botës së tokës drejt botës hyjnore të qiellit, pa u ndalur asnjëherë, në shërbes[n e mëshirës për nevojtarët e gjithsojshëm e të gjithkundshëm. Ajo i apelon njerëzimit, sot e përgjithmonë, nevojën e përjetshme për më shumë dashuri ndërnjerëzore, për më shumë vëmendje prej të pasurve për më të varfrit e të varfërve, për më shumë drejtësi prej atyre që kanë në dorë pushtet, për më shumë afri e mbështetje prej të fuqishmëve për të pafuqishmit, për më shumë buzëqeshje, si ilaç për dhimbjet

-Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe-do ta përsëriste shpesh si devizën e misionit të saj, Nënë Tereza…Se gjërat e mëdha i bën tjetërkush…

Kur Nënë Tereza kishte fituar Çmimin Nobël të Paqes, në vitin 1979, e takon mbreti i Suedisë e i thotë:

Unë, nuk po vi në ceremoni. Nuk dua që të jem në qendër të vëmendjes!

– Madhëri! Mos nguroni të vini.- i thotë Nënë Tereza- Në qendër të vëmendjes nuk do të jeni, as Ju e as unë. Aty ku është Zoti, nuk bie ne sy mbreti! Shenjtërimi i saj vjen pas lutjeve të pandërprera kurrë asnjëherë, për asnjë çast të vetëm dhe vjen gjithashtu pas veprave të përditshme e të përorshme duke jua kushtuar gjithçka të përshpirtshme të saj, të varfërve, të uriturve deri në pragvdekje, të pamundurve e të papërkrahurve. Sipas ritualit kanonik shenjtërimi i saj vjen, pas shpalljes E lume trembëdhjetë vjet më parë, si mrekullibërëse, si shëruesja e një gruaje indiane të sëmurë me sëmundje të pashërueshme. Me vargun e paprerë të lutjeve, me shpirtin dhe me duart e sajë të imta.

Aty, në Sheshin “Shën Pjetër” do të jemi edhe ne, shqiptarë të ngadoardhur. Me siguri do të ndjehemi ngrohtë nën mbulojën e shenjtërisë së saj. Si gjithë të tjerët, natyrisht. Patetika nuk vlen, heshtja më shumë. Dhe lutjet e saj për ne. Shenjtja jonë Terezë, lutu për ne mëkatarët, lutu për dashurinë e acaruar mes nesh, lutu dhe kërko mëshirë për të shtypurit nën pabarazinë. Si në qiell, ashtu në tokë… Amen !