LAJMI I FUNDIT:

Shefja e UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit, bën thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Shefja e UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit, bën thirrje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm Caroline Ziadeh, në fjalimin e saj të fundit në Këshillin e Sigurimit, tha se udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd duhet të ndërmarrin hapa të përgjegjshëm për të rindërtuar besimin në normalizimin e marrëdhënieve.

Reklama

Duke folur në lidhje me marrëveshjet e rëndësishme të arritura nga palët, shefja e UNMIK-ut u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit në raportimin e saj të fundit për Kosovën, që mbahet dy herë në vit, se mungesa e një përkushtimi të dukshëm nga liderët politikë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në stabilitetin rajonal.

“Një përqëndrim i vazhdueshëm i vëmendjes në parimet dhe deklaratat e pohuara bashkërisht më 27 shkurt në Bruksel dhe të shtjelluara më tej më 18 mars në Ohër, duhet të shoqërohen me një udhëheqje të guximshme.”

Duke vënë re vazhdimin e provokimeve dhe ankesave, PSSP Ziadeh tha se përmirësimi i raporteve kërkon rindërtim të besimit “[nga] ata që kanë ngritur dyshime për qëllimet e secilës palë”.

Ajo gjithashtu inkurajoi liderët që të komunikojnë qartë dhe në vazhdimësi me zgjedhësit e tyre mbi çështjet që prekin jetesën, paanshmërinë e institucioneve gjyqësore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Ofrimi i garancive është i nevojshëm për të zëvendësuar ndjenjat e mosbesimit dhe paqartësisë që ndjejnë banorët në të dyja anët e lumit Ibër. Retorika akuzuese duhet të shmanget dhe frika të zëvendësohet me shembuj konkret për besim dhe optimizëm.”

Shefja e UNMIK-ut theksoi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 23 prill. Në të njëjtën kohë, ajo tha se duhet të adresohen dilemat rreth përfaqësimit, dhe u bëri thirrje liderëve dhe institucioneve të zgjedhura që të përmbushin interesat e të gjitha komuniteteve.

Shikuar drejtë së ardhmës, PSSP Ziadeh shpreson se miratimi i pritshëm i një Deklarate të përbashkët për Personat e Zhdukur do të mundësonte rifillimin e bashkëpunimit të plotë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Grupin Punues për Personat e Zhdukur.

“Kjo do t’u siguronte familjarëve nga të dyja palët, mundësinë të marrin përgjigje për më të dashurit e tyre.”

Ajo gjithashtu bëri thirrje për një “shqyrtim në mirëbesim” të Draft Statutit për Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

PSSP Ziadeh foli gjithashtu për takimet dhe komunikimin e saj me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të institucioneve politike:

“Ndjenjat që kam hasur më së shpeshti janë ato të zhgënjimit dhe shqetësimit, nga një e ardhme e pasigurt. Megjithatë shoh edhe frymën dhe vullnetin për të punuar në krijimin e një realiteti më të mirë. Kjo është diçka që ne e vlerësojmë, derisa punojmë së bashku me të gjithë që përpiqen të arrijnë ndryshime pozitive dhe të prekshme.”

Duke folur për punën e misionit, PSSP Ziadeh theksoi se ky vit shënon përvjetorin e pestë të agjendës së UNMIK-ut për ndërtimin e mirëbesimit, qëllimet e së cilës janë: promovimi i dialogut në mes të komuniteteve, qëndrueshmëria dhe mirëbesimi ndërmjet komuniteteve.

“Ndërtimi i mirëbesimit mund të ndihmojë në qartësimin e rrugës drejtë normalizimit politik. Marrëveshjet politike kanë nevojë për një vend ku mund të zhvillohen. Këto qasje, së bashku përbëjnë rrugën e mirëfilltë, drejtë një të ardhme më të qëndrueshme, paqësore dhe më të ndritur”, tha ajo.

Në fund, PSSP Ziadeh konfirmoi sërish përkushtimin e UNMIK-ut, në mbështetje të progresit dhe komuniteteve të Kosovës.

“Këtë do ta bëjmë me shpresën se zgjidhjet e bëra nga liderët politikë – dhe përmbushja e detyrimeve dhe angazhimeve të tyre – do të çojnë drejt mundësive më të mëdha për një gjeneratë që meriton më shumë.”

Në trend Lajme

Më shumë
Sulmi terrorist në veri, Biserko: Kishte skenar të ndërhyrjes së ushtrisë serbe dhe ndarje të Kosovës

Sulmi terrorist në veri, Biserko: Kishte skenar të ndërhyrjes së ushtrisë serbe dhe ndarje të Kosovës

Lajme
Ish-kryeprokurori Sylë Hoxha: Ka pasur njerëz që intervenonin për Radoiçiqin për heqjen e fletarrestit

Ish-kryeprokurori Sylë Hoxha: Ka pasur njerëz që intervenonin për Radoiçiqin për heqjen e fletarrestit

Lajme
Deputetja britanike e quan skandaloze deklaratën e kongresistes amerikane për vrasjen e policit në veri

Deputetja britanike e quan skandaloze deklaratën e kongresistes amerikane për vrasjen e policit në veri

Lajme
Avokati serb: Dyshja Vuçiq-Vulin janë organizatorët e padiskutueshëm të sulmit terrorist në Kosovë

Avokati serb: Dyshja Vuçiq-Vulin janë organizatorët e padiskutueshëm të sulmit terrorist në Kosovë

Lajme
Kurti dhe Gërvalla iu prezantojnë Korit Diplomatik qëndrimet zyrtare për sulmin terrorist në veri

Kurti dhe Gërvalla iu prezantojnë Korit Diplomatik qëndrimet zyrtare për sulmin terrorist në veri

Lajme
Ambasadori i Kosovës në SHBA i reagon republikanes Tenny: Po justifikoni paturpshëm një sulm terrorist

Ambasadori i Kosovës në SHBA i reagon republikanes Tenny: Po justifikoni paturpshëm një sulm terrorist

Lajme
Kalo në kategori