Shefi i Toyotas, Toyoda: Më shqetëson fakti që të gjithë po kalojnë te veturat elektrike


Akio Toyoda, kryetari i bordit të Toyota-s dhe një nga zërat më të njohur në industrinë automobilistike, ka shprehur shqetësimin e tij për kalimin masiv të prodhuesve drejt automjeteve elektrike.
Ai tha se frika e tij më e madhe është që “të gjithë po kalojnë te automjetet elektrike”, duke shtuar se ndihet “shumë i vetmuar” në mbrojtjen e motorëve me djegie të brendshme.
Toyoda theksoi se prej vitesh ka mbrojtur idenë se industria nuk duhet të mbështetet vetëm te automjetet elektrike, por të zhvillojë paralelisht edhe teknologji të tjera, si hibridet dhe motorët me hidrogjen.
Sipas tij, një kalim i shpejtë drejt veturave elektrike mund të rrezikojë vende pune dhe të lërë pas shumë përdorues në rajone ku infrastruktura e karikimit nuk është ende e zhvilluar.
Ai deklaroi se e do “aromën, tingullin dhe emocionin” që ofrojnë motorët tradicionalë dhe se dëshiron të ruajë industrinë dhe furnizuesit që varen prej tyre. Megjithatë, Toyoda pranoi se shumica e prodhuesve të mëdhenj të automobilave tashmë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt automjeteve elektrike.
Pavarësisht qëndrimit të tij, Toyota vazhdon të investojë edhe në automjete elektrike, ndërsa strategjia e kompanisë mbetet e përqendruar te një gamë e gjerë teknologjish dhe jo vetëm te një zgjidhje e vetme. /Telegrafi/





































