SHBA do të inkurajojë Qeverinë e re të Kosovës të vazhdojë dialogun me Serbinë

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Edward Price tha se SHBA do të do të inkurajojnë qeverinë e re të Kosovës, që sapo të jetë formuar, t’u japë përparësi negociatave me Serbinë.
“Sai përket dialogut me Serbinë, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovës dhe Serbisë që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit, e cila duhet të përqendrohet në njohjen reciproke”, tha zëdhënësi, raporton VoA.
Ai tha se SHBA përgëzojnë popullin e Kosovës për zgjedhjet e tyre të suksesshme parlamentare.
“Ne shpresojmë të punojmë me qeverinë, sapo ajo të formohet, për çështjet prioritare, për të avancuar paqen, drejtësinë dhe begatinë në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë," tha zëdhënësi.
Ai tha gjithashtu se SHBA do të mbështesin përpjekjet e administratës së mëparshme për të arritur normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden i kishte dërguar një letër urimi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, duke kërkuar nga ai arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka përsëritur qëndrimin e Presidentit Biden për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, që synon njohjen e ndërsjellë. /Telegrafi/






















































