LAJMI I FUNDIT:

SHBA sanksionon kompanitë iraniane të dronëve që ndihmojnë Rusinë

SHBA sanksionon kompanitë iraniane të dronëve që ndihmojnë Rusinë

Thesari i SHBA-së vendosi të premten sanksione ndaj zyrtarëve të lidhur me një prodhues iranian të pajisjeve ushtarake që projekton dhe prodhon mjete ajrore pa pilot, të cilat janë përdorur në luftën e Ukrainës, si dhe drejtorin e “organizatës kyçe përgjegjëse për mbikëqyrjen e programeve të raketave balistike të Iranit”.

Sanksionet e reja të SHBA-së goditën “gjashtë drejtues dhe anëtarë të bordit të Industrive të Aviacionit Qods” dhe drejtorin e Organizatës së Industrive Hapësinore të Iranit, sipas një njoftimi për shtyp të Thesarit.


“Ne do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet në dispozicionin tonë për t’i mohuar Putinit armët që ai po shfrytëzon për të zhvilluar luftën barbare dhe të paprovokuar kundër Ukrainës”, tha në një deklaratë Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen.

CNN ka raportuar sesi, sipas një vlerësimi të inteligjencës ukrainase, pjesë të bëra nga më shumë se një duzinë kompani amerikane dhe perëndimore u gjetën brenda një droni të vetëm iranian Shahed-136 të rrëzuar në Ukrainë vjeshtën e kaluar.

Në dhjetor, Shtëpia e Bardhë krijoi një grup pune në të gjithë administratën për të hetuar sesi teknologjia amerikane dhe ajo perëndimore – duke filluar nga pajisjet më të vogla si gjysmëpërçuesit dhe modulet GPS deri te pjesët më të mëdha si motorët – ka përfunduar në dronët iranianë.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. /Telegrafi/