LAJMI I FUNDIT:

SHBA i lejon farmacistët të përshkruajnë pilulën për COVID-19 të Pfizer

SHBA i lejon farmacistët të përshkruajnë pilulën për COVID-19 të Pfizer

Farmacistët mund të përshkruajnë pilulën kryesore për COVID-19 drejtpërdrejt për pacientët sipas një politike të re të SHBA të shpallur të mërkurën që synon të zgjerojë përdorimin e ilaçit Paxlovid të Pfizer.

Siç shkruan AP, përcjell Telegrafi, Administrata e Ushqimit dhe Barnave tha që farmacistët mund të fillojnë të kontrollojnë pacientët për të parë nëse ata kualifikohen për Paxlovid dhe më pas të përshkruajnë ilaçin, i cili është treguar se frenon efektet më të këqija të COVID-19.


Më parë vetëm mjekët mund të përshkruanin ilaçin antiviral.

Njoftimi vjen pasi rastet e COVID-19, shtrimet në spital dhe vdekjet po rriten përsëri, megjithëse ato mbeten pranë niveleve të tyre më të ulëta që nga fillimi i shpërthimit të coronavirusit në vitin 2020.

Zyrtarët e administratës së Joe Biden kanë shprehur zhgënjimin që disa qindra amerikanë vazhdojnë të vdesin nga COVID-19 çdo ditë, pavarësisht nga disponueshmëria e vaksinave dhe trajtimeve.

Zyrtarët e administratës kanë punuar për muaj të tërë për të rritur qasjen në Paxlovid.

Ndryshimi i FDA do të bëjë që mijëra farmaci të tjera të kualifikohen për të përshkruar dhe shpërndarë shpejt pilulën, e cila duhet të përdoret herët për të qenë efektive.

“Meqenëse Paxlovid duhet të merret brenda pesë ditëve pas fillimit të simptomave, autorizimi i farmacistëve të licencuar nga shteti për të përshkruar Paxlovidin mund të zgjerojë qasjen në trajtimin në kohë”, ka thënë Patrizia Cavazzoni, drejtoreshë e Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave (CDER) në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave. /Telegrafi/