LAJMI I FUNDIT:

SHBA e BE kërkojnë nisjen e arrestimit të “peshqve të mëdhenj” të Shqipërisë

SHBA e BE kërkojnë nisjen e arrestimit të “peshqve të mëdhenj” të Shqipërisë

Ambasadori amerikan në Shqipërisë, Donald Lu, përshëndeti operacionin “Forca e Ligjit” i prezantuar nga Ministria e Brendshme dhe për herë të parë vendosi afate se kur pret rezultate nga ky operacion.

“Të flasim me vepra dhe jo me fjalë. Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm dhe ky sukses të vazhdojë me SPAK-un dhe BKH-në”, deklaroi ambasadori Donald Lu.


Kjo është ajo që presin partnerët ndërkombëtarë, tha Lu, e po ashtu edhe qytetarët shqiptarë. Lu vlerësoi planin.

“Ju keni një shprehje ‘dielli duket që në mëngjes’. Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë se krimi i organizuar shqiptar është problem serioz dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale”, vijoi ai, raporton Tch.

Ambasadori tha se Shqipëria ka një problem me lidhjet e grupeve kriminale me politikanë dhe kërkoi që kjo të mos mohohet.

“Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Mark Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutajt. SHBA do të angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me politikanë, biznesmenë, gjyqtarë e prokurorë”, u shpreh ai.

E duke iu rikthyer sërish shprehjeve popullore, kryediplomati amerikan tha se është koha që “të hamë peshkun e madh”.

“Ju thoni ‘peshku i madh e ha të voglin’. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh”, tha ai.

Edhe ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, tha se komuniteti ndërkombëtar pret rezultate konkrete.

“Qytetarëve shqiptarë u ka ardhur në majë të hundës. Nuk mbajnë më nga këto dekada arrogance të të korruptuarve dhe interesave kriminale. Nuk duhet të ketë më të paprekshëm të cilët arrijnë të blejnë drejtësinë”, tha ajo.

Ndërkohë, ministri Fatmir Xhafaj tha se plani dhe ngritja e task-forcës është një qasje e re dhe e vendosur e qeverisë për një luftë frontale ndaj strukturave të krimit.

“Është një rrugë e re për institucionet ligjzbatuese. I hapim luftë shumëfrontale strukturave të krimit. Qeveria ka gjithë vullnetin dhe mekanizmat për këtë luftë. Krijimi i task forcës speciale është një tregues kuptimplotë i marrjes së përgjegjësisë ligjore dhe politike nga kjo qeveri”, deklaroi Xhafaj.

Ministri tha se me gjithë progresin e bërë, jemi larg standardit të një shoqërie ku sundon ligji dhe drejtësia.

“Forca e Ligjit” do të ketë në përbërje një task forcë qendrore që do të udhëzojë task forcat rajonale për goditjen e krimit.

Puna ka filluar me analizimin e tipologjisë së grupeve kriminale.

“Nga skanimi i grupeve kriminale na rezulton se 53 për qind merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 për qind me trafiqe të paligjshme, 18 për qind me krime të rënda, si vrasje pengmarrje dhe 18 për qind me krim ekonomik”, thotë Idajet Faskaj, Drejtor i Departamentit Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit.

Synimi prioritar është goditja e burimeve financiare dhe një rol të rëndësishëm në këtë pikë merr njësia e analizës financiare, për të cilën do të ofrojë mbështetje Ministria e Financave.

“Krimi i organizuar nuk mundet dhe shumë shpejtë nuk do të ketë të ardhme në Shqipëri. Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka të mundur të shkatërrojmë rrjetet kriminale, infrastrukturën e tyre, të shkatërrojmë fuqinë e tyre ekonomike”, deklaroi ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Xhafaj iu përgjigj edhe akuzave politike.

“Ne jemi të gatshëm që në funksion të realizimit të kësaj sfide, të punojmë me këdo që luftën kundër krimit të organizuar nuk e sheh si çështje qëndrimesh dhe preferencash politike, as si çështje karrigeje për pushtet, por si çështje jetike, për të tashmen dhe për të ardhmen evropiane të vendit”, tha ai.

Operacioni “Forca e ligjit”, do të asistohet në vazhdimësi nga të paktën 5 ekspertë të huaj. Ekspertët e huaj janë: Mark Newhause – agjent special i FBI-së amerikane, Hubert Hoffman – ekspert i policisë kriminale gjermane dhe dy ekspertë të Guardia di Finanzas italiane si dhe nga koordinatorja kundër krimit të organizuar në Ministrinë e Brendshme britanike, Sarah McAveety.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Policia serbe e dërgon në paraburgim mërgimtarin nga Gjakova që e arrestoi në kufi

Siguri
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Kalo në kategori