Ndahet nga jeta akademik Emin Riza, studiuesi që “futi’ Beratin e Gjirokastrën në UNESCO

Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka njoftuar, të mërkurën, se është ndarë nga jeta, në moshën 89-vjeçare anëtari i saj Emin Riza, njëri nga studiuesit më të njohur shqiptarë të trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës tradicionale.
I lindur më 3 korrik 1937 në Shkodër, Riza, sipas ASHSH, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në dokumentimin, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai ishte autor i 16 monografive dhe mbi 130 artikujve shkencorë, ndërsa veprat e tij më të njohura janë "Qyteti-Muze i Gjirokastrës" dhe "Banesa shqiptare me qoshk".
Akademik Riza ishte nismëtar i Ligjit "Për trashëgiminë kulturore" dhe udhëhoqi përgatitjen e dosjeve të Gjirokastrës dhe Beratit për UNESCO, duke kontribuar në përfshirjen e tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore. Për veprimtarinë e tij u nderua me titullin "Qytetar Nderi" i Gjirokastrës dhe Beratit, shkruan në njoftimin e ASSH, transmeton KosovaPress.
Me rastin e vdejes së Rizës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Komisioni i Përhershëm i Trashëgimisë Kulturore i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, miqve, komunitetit akademik dhe bashkëpunëtorëve të tij për sic u tha, “këtë humbje të madhe njerëzore dhe shkencore”.
Ceremonia e varrimit të Rizës do të zhvillohet sot ) të mërkurën) në orën 16:00 në varrezat e Tufinës, në Tiranë. /Telegrafi/


































