LAJMI I FUNDIT:

Shala: Serbia asnjëherë nuk e ka respektuar CEFTA-n, vuri barriera për Kosovën

Shala: Serbia asnjëherë nuk e ka respektuar CEFTA-n, vuri barriera për Kosovën

Në Javën e CEFTA-s që po mbahet në Prishtinë, ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala ka thënë se si objektivë e përgjithshme e politikave ekonomike, Qeveria e Kosovës i kushton rëndësi të madhe mbajtjes së një ekonomie liberale, duke respektuar të gjitha rregullat e OBT-së.

Sipas tij, Kosova njihet si një shtet kandidat potencial dhe Kosovës i është dhënë edhe perspektiva e BE-së.


Shala ka shtuar se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA dhe ka krijuar barriera në vazhdimësi ndaj kompanive kosovare për lëvizjen e mallrave nëpër Serbi.

“Për shembull, importet ose eksportet tona, të cilat kalojnë përmes fqinjit tonë, i cili nuk e njeh vendin tonë, ndalen dhe atyre u kërkohet të dorëzojnë certifikatat nacionale të eksportit ose importit të atij vendi. Kjo për shkak se ata e konsiderojnë vendin tonë si pjesë të tregut të tyre të brendshëm. Apo fakti që ai vend nuk i njeh tabelat e veturave tona apo nuk i pranon certifikatat e eksportit të vendit tonë për shkak se ato dokumente mbajnë emrin tonë kushtetues dhe flamurin. A mund këto probleme të zgjidhen nga shërbyesit publik? Jo. A po shkelin këto probleme marrëveshjen? Po”, ka thënë Shala.

Pavarësisht gjithë këtyre pengesave, ministri Shala ka treguar se Kosova i ka ngritur këto çështje para CEFTA-s.

“Megjithatë, as mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e as strukturat e saj nuk kanë qenë në gjendje të sigurojnë një zgjidhje miqësore. Prapë, arsyeja kryesor për këtë dështim është i njëjtë me shkaktarin kryesor të problemit. Të jemi të sinqertë me vetveten. Mosnjohja e Kosovës është pengesa më e madhe jo-tarifore në CEFTA, dhe po ashtu është barriera më e madhe ndaj lehtësimit të transportit”, tha Shala.

David Cullen nga Komisioni Evropian ka thënë se taksa ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e ka vënë në hije punën e Kosovës në kryesimin e CEFTA-s.

“Si pasojë e kësaj mase jo të gjitha palët e CEFTA-s janë këtu në këtë Javë dhe nuk mund të merren vendime të përbashkëta të CEFTA-s. Më lejoni të jap qëndrimin e KE për këtë. masat e fundit që janë vënë nga Kosova, janë kundër rregullave dhe parimeve të CEFTA-s. Mosmarrëveshjet tregtare ndodhin dhe ne e kuptojmë se ka barriera të vërteta, që Kosova po ballafaqohet me to, por duhet të adresohen në forume adekuate që përfshihen edhe kornizën e CEFTA-s”, theksoi Cullen.

Ai tutje ka thënë se derisa masa ndaj mallrave me origjinë serbe dhe të Bosnjës është miratuar, kryesimi i Kosovës ka qenë i suksesshëm.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFTA-s dhe kjo e fundit asnjëherë nuk ka arrit që të zgjidhë këto probleme.

Rukiqi tha se 60 për qind e bizneseve nuk kanë pa asnjë përfitim nga CEFTA. Sipas tij, nuk janë vetëm Serbia dhe Bosnja që kanë shkelur marrëveshjen e CEFTA-s.

“Është viti 2018 dhe ne ende kemi çështje që i kemi ngritë në vitin 2007, dhe asnjë mekanizëm, as rajonal, as evropian nuk ka arritur t’i zgjidhë. Dhe kjo tash ka shtyrë që bizneset të jenë shumë kundër përfshirjes tonë në CEFTA ose edhe me kërkesa radikale për dalje nga CEFTA. 60 për qind e bizneseve nuk kanë pasur asnjë përfitim nga CEFTA deri tani”, theksoi Rukiqi.

Ndërsa, në Javën e CEFTA që po mbahet sot në Prishtinë, nuk po marrin pjesë Serbia, Bosnja dhe Moldavia. /Telegrafi/