Dy prej lojtarëve më të mëdhenj në historinë e Barcelonës dhe të futbollit spanjoll, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, e kanë mbyllur përfundimisht karrierën e tyre si futbollistë profesionistë.

Fundi i rrugëtimit të tyre erdhi pas triumfit të Inter Miami në MLS kundër Vancouver, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment simbolik për dyshen që për më shumë se një dekadë la gjurmë të pashlyeshme në Evropë dhe më gjerë.


Alba, një karrierë me mbi 700 ndeshje

Jordi Alba e mbylli karrierën pas më shumë se 700 ndeshjeve zyrtare, prej të cilave plot 457 i zhvilloi me fanellën e Barcelonës. Ai u shndërrua në një ndër mbrojtësit e majtë më të mirë të epokës moderne, i njohur për shpejtësinë, depërtimet e tij vertikale dhe lidhjen e jashtëzakonshme me Lionel Messin, lidhje që u rikthye edhe te Inter Miami.

Alba la pas një trashëgimi të ndërtuar mbi trofe, ndeshje vendimtare dhe vazhdimësi të jashtëzakonshme. Vendimi i tij për të “varur këpucët” u mor më herët gjatë sezonit, me synimin që të largohej në momentin e duhur – dhe ai moment erdhi me një trofe të fituar.

Busquets, arkitekti i padukshëm me mbi 800 ndeshje

Ndërkohë, Sergio Busquets – një prej mesfushorëve më të rëndësishëm në historinë e futbollit – e përfundoi karrierën pas më shumë se 800 ndeshjeve profesionale, 722 prej të cilave i luajti me Barcelonën.

Roli i tij si mesfushor qendror i tejkaloi thjesht statistikat: ai u bë simbol i mënyrës së lojës së Barcelonës, gur themeli i stilit tiki-taka dhe një prej lojtarëve më inteligjentë në fushë.

Busquets ishte figura që lidhte ekipin, që kontrollonte ritmin e lojës dhe që vendoste ekuilibrin që e bëri Barcelonën të pathyeshme në periudhën e artë.

Fund karriere me trofe

Të dy legjendat kishin paralajmëruar se ky sezon do të ishte i fundit në karrierat e tyre. Mbyllja e këtij kapitulli me titull kampioni në MLS është një fund ideal për dy futbollistë që kanë fituar gjithçka në karrierën e tyre – brenda dhe jashtë Spanjës.

Inter Miami tashmë i lamtumirës së tyre u shton një ngjyrë emocionale këtij triumfi, duke shënuar fundin e një epoke dhe fillimin e një tjetre në klubin amerikan./Telegrafi

telegrafi sport app